Qeveria i heq ekskluzivitetin e dhënies së dekoratave, medaljeve dhe titujve të nderit kreut të shtetit. Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, në Kuvend ka mbërritur një projektligji i ri, i cili parashikon që dhënia e dekoratave dhe titujve të nderit të bëhet jo vetëm nga presidenti por edhe nga drejtues të tjerë të lartë të shtetit, duke filluar pikërisht nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministrat. Sipas të përditshmes MAPO, ligji iri “Për Dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit”, ndër të tjera bën dhe shfuqizimin e gjithë legjislacionit që trajton këto çështje deri më tani, por duke lënë në fuqi të gjithë ata tituj dhe medalje që janë dhënë deri më tani nga shtetit shqiptar, përfshi këtu edhe ato të periudhës së komunizmit.
Projektligji
Drafti përcakton të gjitha llojet e dekoratave, titujve dhe medaljeve, si dhe autoritetet shtetërore kompetente, rregullat, procedurat dhe kriteret për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre. Kështu, projektligji përcakton fillimisht në mënyrë ezauruese të gjitha institucionet që kanë të drejtë të bëjnë propozime për dhënien e dekoratave apo titujve të nderit, duke e kufizuar atë vetëm te 9 krerë institucionesh, si kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat apo dhe krerët e gjykatave dhe të Akademisë së Shkencave. Në këtë mënyrë i mbyllet rruga mundësisë që ekziston deri më tani që një propozim të tillë mund ta bëjë dhe një shoqatë apo organizim joshtetëror. Së dyti, në këtë projektligj bëhet ndarja e qartë e dekoratave dhe titujve dhe medaljeve për meritat për të cilat ato jepen. Por ajo çka në fakt përbën risinë kryesore në këtë draft është pikërisht ndarja që i bëhet dekoratave dhe titujve të nderit, që do të vijojnë të jepen vetëm nga kreu i shtetit, ndërkohë që nga ana tjetër do të ekzistojnë dhe medaljet, por që tani e tutje do të jepen nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe ministrat. Dhe kjo sipas një logjike të thjeshtë, pasi dekoratat dhe titujt do të jepen nga presidenti si shpërblim për akte të veçanta merite apo trimërie ndaj kombit shqiptar dhe interesave të tij. Ato do të përbëhen nga një medalje e madhe dhe një e vogël, të dyja të arta. Ndërkohë që medaljet që do të jepen nga krerët e institucioneve të renditurat të dyta apo të tretat në hierarkinë e shtetit, shqiptar siç është kryetari i Kuvendit dhe kryeministri do të jepen si shpërblim për veprimtarinë e shquar në një fushë të veçantë profesionale.
Dekoratat dhe medaljet
Presidenti mund të japë 12 lloje dekoratash dhe titujsh të ndryshëm, duke filluar nga më i rëndësishmi që është dekorata “Urdhri i Flamurit” dhe për të vijuar më pas me dekorata dhe tituj të tjerë më pak të rëndësishëm. Ndërkohë që Kuvendi me propozim të 1/5 së deputetëve jep medaljen “Qytetar Nderi i Republikës së Shqipërisë”, për personalitete shqiptare ose të huaja, për vepra me efekte të spikatura në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, të cilat njihen si arritje madhore. Ndërsa kryeministri dhe ministrat mund të japin medaljen “Mirënjohje publike” dhe “Vlerësim profesional”. Çdo institucion që sipas këtij ligji do të ketë të drejtën të japë dekorata, tituj apo medalje do të krijojë një komision këshillimor, i cili do të trajtojë çdo propozim të ardhur, duke vlerësuar së pari meritën dhe kontributin e dhënë prej personit që kërkohet të nderohet, por edhe të shkuarën e tij penale.
Njihen titujt dhe dekoratat e komunizmit
Ndryshe nga sa kërkuan ish-të përndjekurit politikë disa javë më parë pranë Presidentit të Republikës, për anulimin e të gjitha dekoratave dhe titujve të dhënë nga regjimi komunist për figura që kanë shërbyer atij pushteti, përfshi këtu edhe vetë diktatorit Enver Hoxha, projektligji i ri i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë nuk e ka marrë parasysh një gjë të tillë. Pavarësisht se kreu i shtetit mori në shënim kërkesën e tyre, duket se ajo ka mbetur thjesht dhe vetëm një tentativë. Kjo pasi në kapitullin e katërt të tij, atë që flet për dispozitat kalimtare në nenin 24 të tij thuhet se “dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit që janë dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji njihen”. Pra, sipas kësaj dispozite, rezulton se të gjitha ato dekorata, urdhra, titujt e medalje që kanë dhënë institucionet shtetërore shqiptare deri më sot, pra pa bërë dallim edhe për ato të periudhës së komunizmit, do të kenë vlerë dhe në të ardhmen, pra do të njihen. Nuk dihet cili do jetë reagimi i shoqatave të të përndjekurve politikë për këtë dispozitë, por ajo që ka reaguar me një veprim konkret në drejtim të pranimit të një kërkese të tillë është FRD-ja e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi. Dje kjo forcë politike ka deklaruar publikisht se në momentin e parë që do ketë të drejtën e propozimit të projektligjeve, do të ndërmarrë nismën për të hequr me ligj të gjitha medaljet e titujt e diktatorit Hoxha.