“Është një krenari e madhe që jam këtu në cilësinë e trajnerit të Barcelonës”. Me këtë fjali e nisi prezantimin te klubi katalanas, trajneri argjentinas, Gerardo Martino, karriera e të cilit mori një shtysë të madhe me ftesën e papritur nga klubi spanjoll. Ish tekniku i New’s Old Boys. Në praninë e presidentit Rosell dhe drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta, 50-vjeçari u shpreh i vetëdijshëm se dashje pa dashje, përfitoi nga fatkeqësia e dikujt për të marrë drejtimin e një prej skuadrave më të lakmuara në planet, prandaj ai u ndal edhe te kjo temë. Si trajner i ri i Barcelonës, mendimi i parë i Gerardo Martinos lidhet me Tito Vilanovën. “Jam i lumtur që ndodhem këtu, por të gjithë dimë arsyen pse ndodhi kjo. I uroj gjithë të mirat Tiros”, deklaroi argjentinasi në konferencën e prezantimit zyrtar në krye të katalanasve.
Skema
Sa i takon Mesit dhe Nejmarit, 50-vjeçari u shpreh: “Mesi do luajë në pozicionin e vet. Mendoj se do shkojë mirë me Nejmarin, nëse nuk shkon, fajin e ka trajneri e jo lojtarët e veçantë. Ideale është që skuadra të dijë të shfrytëzojë mundësitë e krijuara. Do ishte katastrofë po të mos fitonim asgjë”. Dy fjalë edhe për merkaton: “Para se të diskutoj për këtë, duhet të njoh organikën që kam në dispozicion. Fabregas? Klubi ka refuzuar disa oferta, ndaj do qëndrojë me ne”. Në vijim, trajneri i lindur në Rosario sqaron projektin që ka në kokë për të çuar përpara projektin e shoqërisë. “Do të ndjek stilin e këtij klubi dhe do t’u caktoj lojtarëve detyra ku ata do të ndihen më komodë. Gjëja e parë që dua të theksoj është se objektivi është i qartë, të vazhdojmë në rrugën e sukseseve për të fituar sa më shumë. Gjatë karrierës time i kam përshtatur skuadrat në bazë të karakteristikave të lojtarëve që kam pasur në dispozicion, prandaj kush pret një revolucion te Barcelona, mendoj se do të mbetet i zhgënjyer. Messi do të luajë në pozicionin e zakonshëm, ndërsa skema që kam në kokë është 4-3-3, të cilën e kam përdorur edhe me Paraguajin dhe Newell’s. Gjithashtu do të kërkojmë të rikuperojmë disa cilësi që Barcelona i ka humbur kohët e fundit si presingu në që në zonën kundërshtare”.
Mesi
Në fund Martino ka mohuar zërat se ishte Mesi ai që e udhëzoi drejt stolit të Barcelonës, duke pasur parasysh lidhjen e të dyve me Njuwlls Old Bojs: “Nuk e njoh Mesin personalisht, nuk është e vërtetë që ai ka ndikuar në ardhjen time te Barcelona. Mendoja se një ditë do ta stërvisja, jo këtu, por në Argjentinë…”.