Rares Bugla, drejtues lokal i Partisë Liberale në Rumani, ka propozuar në një status në faqen e tij në “Facebook” që gratë rome të shterpëzohen. Propozimi është cilësuar si ‘shokues’ dhe Buglasit i është kërkuar të japë dorëheqjen nga partia e tij
Gratë rome lindin shumë fëmijë dhe i rrisin në kushte shumë të vështira. Ky realitet është i ngjashëm kudo ku jetojnë etnitë rome. Jetojnë në kushtet e një varfërie ekstreme dhe përgjithësisht janë të paarsimuar. Këto kanë qenë disa nga arsyet që e kanë shtyrë Rares Buglan, kryetarin lokal të Liberalëve të rinj të Alba Iulias në Rumani, që të shprehte mendimin e tij në një postim të bërë në faqen e tij në “Facebook”.
“E di që do të ngjall shumë kritika nga ana e ‘moralistëve të rremë’, por vazhdoj të mendoj që duhet të merren masa për sterilizimin e grave rome. Këto pasi sjellin në jetë fëmijën e parë, nëse nuk tregojnë që janë në gjendje ta rrisin në kushte njerëzore, atëherë duhet të procedohet që të sterilizohen”. Ka qenë kjo deklarata e Bugleasit, e cila përveç kritikave ka shkaktuar habi, duke qenë se ai bën pjesë në radhët e liberalëve. Disa e cilësojnë atë një sulm etnik, por Buglea i kishte paraprirë kësaj mundësie duke i quajtur kritikat e ashpra si “moralizma të rreme”.
Fakti është se postimi i tij po bën xhiron e internetit duke ngjallur komente pro dhe kundër çështjes së ngritur nga ai. Megjithatë, anëtarët e partisë së tij (PNL), e cila aktualisht bën pjesë në koalicionin qeverisës të Bashkimit Socialdemokrat, kanë protestuar ashpër për qëndrimin e tij dhe i kanë kërkuar të japë dorëheqjen deri në sqarimin e plotë të situatës. Madje, një nga eksponentët e PNL-së ka mbajtur një qëndrim të fortë duke thënë se propozimi për shterpëzimin e grave të komunitetit rom është ekuivalent me atë të “genoncidit” të ushtruar ndaj kësaj popullate.
Romët në Rumani përbëjnë 8-9 për qind të popullsisë, nga 20 milionë banorë që ka gjithsej ky shtet. Ndonëse me këtë propozim Rares Bugla ngjalli kritika të shumta, shumë rumunë u solidarizuan me të, duke shprehur mbështetje për idenë e tij si një mjet për të kufizuar mjerimin ekstrem në të cilin jetojnë romët. Ish-drejtuesi lokal i liberalëve duket se i qëndron besnik mendimit të tij, edhe pse kjo i kushtoi dorëheqjen nga posti partiak.
Përgatiti: Dorina Gjuzi