Televizioni britanik, “Channel 4 Neës”, ka vizituar fshatin Lazarat të Gjirokastrës. “Prodhues të marijuanës po fitonin miliarda lekë, derisa në këtë vend u vu ligji”, shkruan faqja e internetit te këtij televizioni. “Ne shkuam në Lazarat, në fshatin e çuditshëm malor. Kur mbërritëm në pikat e kontrollit, forcat speciale shqiptare kërkuan të shihnin dokumentet dhe më pas na lejuan të kalonim. Dukej sikur sapo kaluam kufirin, një shtet brenda një shteti”, shkruhet më tej në faqe. “Disa vite më parë, ky fshat i largët, i ndërtuar brenda maleve, ishte harruar nga politikanët shqiptarë. Ishte i braktisur, nuk kishte ujë, rrugë dhe as ligj. Kështu që banorët e Lazaratit vendosën të kujdesen vetë për veten e tyre. Në vitet 2000 një grup banorësh nga Lazarati të cilët kishin emigruar në Itali, u kthyen në fshatin e tyre pasi kishin punuar me bandat në Itali. Ata sollën fara marijuane dhe i mbollën në shtëpitë e tyre. Me kalimin e viteve, ky fshat i harruar u shndërrua në një treg europian për marijuanë”, shkruan më tej Channel 4. Sipas artikullit, banorët, nga fermerë të thjeshtë u kthyen në tregtarë droge dhe nga shtëpi të thjeshta u ndërtuan vila luksoze. “Megjithatë, qeveria e re shqiptare e cila erdhi në pushtet në vitin 2013 vendosi të ndërhyjë në Lazarat dhe zhvilloi një operacion disa ditor për të asgjësuar marijuanën. Askush nuk humbi jetën gjatë operacionit. Vetëm një javë pas luftës së qeverisë shqiptare në Lazrat, Bashkimi Europian i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, përfundon artikulli.