Nga “BBC”
Deri më sot shkencëtarët kanë mbështetur tezën se nuhatja jonë është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me formën e molekulave që perceptojmë në ajër. Por dr. Luka Turin e kundërshton duke dhënë një tjetër alternativë, sipas së cilës janë vibrimet e molekulave ato që përcaktojnë erën e objekteve
Teoria shumë e diskutuar, sipas së cilës mënyra se si nuhasim lidhet me fizikën kuantike (ku kuanti paraqitet si një grimcë themelore e pandashme, me masë dhe energji të ndryshueshme) po pranohet gjithnjë e më shumë, bazuar edhe në testet që po kryhen mbi njerëzit. Kjo teori sugjeron idenë se ne perceptojmë erën e objekteve falë vibrimeve të molekulave të tyre.
Studimi i botuar së fundmi në revistën shkencore “PLOS ONE”, tregon se njerëzit janë në gjendje të bëjnë dallimin midis dy molekulave me formë të njëjtë, por me frekuencë të ndryshme vibrimesh nga njëra-tjetra. Të dhënat mbi efektet kuantike që ndodhin në sistemet biologjike, hapin mundësitë e zhvillimit të një fushe të re të shkencës.
Por, teoria kuantike e nuhatjes, e prezantuar për herë të parë nga Luka Turin, studiues në “Fleming Biomedical Research Sciences Centre” në Greqi ka ngjallur kundërshtime. Nga ana e tij, dr.Turin e mohon idenë se format e molekulave janë e vetmja lidhje me shqisën e nuhatjes. Për këtë, ai jep një shembull me molekula që përmbajnë atome sulfuri dhe hidrogjeni. Sipas tij, ato mund të marrin një gamë të gjerë formash, por të gjitha mbajnë erën e vezëve të prishura. “Nëse e shihni nga këndvështrimi i asaj që aromën e një molekule e përcaktojnë vibrimet e saj dhe jo forma, çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Molekulat mund të shihen si një koleksion atomesh, që lëvizin në drejtim të njëra-tjetrës. Energjia e frekuencës së lëvizjeve të tyre brenda molekulës shkakton edhe vibrimin e saj”, shpjegon dr. Turin, duke theksuar se është pikërisht kjo që përcakton erën e saj.
Por komuniteti i shkencëtarëve që vepron në këtë fushë ka argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin këtë teori. Për ta testuar idenë e dr. Turin, ata ekzaminuan në laborator dy molekula me formë të njëjtë, por me frekuncë të ndryshme vibrimesh. Njëra molekulë ishte e mbushur me atome hidrogjeni, ndërsa tjetra me atome më të rënda, të quajtura deterium. Puna në laboratorin e “Nature Neuroscience”, sugjeroi se pjesëmarrësit nuk mund të bënin dallimin midis dy molekulave dhe kjo çoi në bindjen se vibrimet nuk luanin asnjë rol në perceptimin e erës së tyre.
Por në vitin 2011, dr.Turin dhe kolegët e tij prezantuan përfundimet e një studimi në Akademinë Kombëtare të Shkencave, ku vërtetohej se mizat e frutave janë në gjendje të dallojnë erën e dy molekulave. Përsëritja e të njëjtit test mbi subjekte njerëzore, por me një numër shumë më të madh molekulash me përmbajtje hidrogjeni dhe pastaj deteriumi, plotësoi efektin që më parë supozohej. Në të dyja rastet subjektet ishin në gjendje të bënin dallimin midis dy versioneve të molekulës.
Profesor Leslie Vosshall nga “Rockefeller University” nuk ndan të njëjtin mendim me dr.Turin. “Debati midis vibrimit dhe formës së molekulave nuk do të mbarojë ndonjëherë, por e rëndësishme është të përcaktohet se përse gjërat vijnë erë në atë mënyrë që vijnë”, shprehet ai.
Tim Xhekob, studiues i nuhatjes dhe erës pohon se “puna mbi vibrimin e molekulave ka qenë mbështetëse dhe jo përfundimtare. Megjithatë, askush nuk ka qenë në gjendje të kundërshtojë dr. Turinin”.
Riçard Aksel shkencëtar në “Columbia University” shprehet se ky lloj eksperimenti nuk e zgjidh debatin. Ka shumë probleme me teorinë e ‘formës’ së erës, e njëkohësisht shumë gjëra nuk e shpjegojnë teorinë e vibrimeve, vetëm vëzhgimi mikroskopik në brendi të receptorëve të hundës, mund të na qartësojë më shumë”, thotë Aksel për “BBC”.
Përgatiti: Dorina Gjuzi