Një murgeshë është bërë e famshme në Spanjë për qëndrimin e saj kundër bankave, kompanive farmaceutike dhe neoliberalizmit. Në një intervistë për “The Guardian”, ndër të tjera ajo nuk druhet të kritikojë Kishën për përbuzjen që ushqen ndaj femrave, duke mbrojtur betejën e së drejtës së tyre mbi abortin
Ajo evokon një model ekonomik alternativ ndaj kapitalizmit, duke denoncuar shpërbërjen e shtetit social dhe interesat industriale të firmave të mëdha farmaceutike në dëm të shëndetit të qytetarëve. Sillet si një lidere e së majtës, por atipike, e që mban veshjet e urdhrit benediktin: motër Tereza Forkades është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme në panoramën politike katalanase. Në një intervistë për “The Guardian”, ajo rithekson pozicionin e saj duke kritikuar masat shtrënguese që ka ndërmarrë vendi iberik në kurriz të qytetarëve të thjeshtë.
Një murgeshë kundër strukturave të kapitalizmit
Motër Tereza është bërë e njohur në Katalonia për kritikat e saj ndaj sistemit të bankave dhe mbi të gjitha ndaj kompanive farmaceutike, të cilat i ka akuzuar se duan të spekulojnë mbi shëndetin e spanjollëve. Nuk mungon as qëndrimi i saj kundër Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila në 2009-n reklamoi një vaksinë joefektive kundër gripit H1N1.
Ajo ka lançuar edhe një program politik: një manifest radikal, që ka midis pikave të tij të referimit eksperiencën e partisë së majtë radikale greke SYRIZA, për një qasje që synon ndërtimin e një Katalonie të pavarur. “Kriza ekonomike në Spanjë ka mbërritur tashmë në një pikë që këcënon vetë stabilitetin e shoqërisë. Kjo ka ndodhur në Greqi, ku shkurtimet buxhetore i detyrojnë qytetarët të përqafojnë pozicione ekstreme dhe jo demokratike”, thotë Forkades.
Programi i saj
Në manifestin e saj zënë vend çështje si rithemelimi i shtetit spanjoll, në mënyrë që të aprovohen autonomi të reja në rajon, duke shpresuar edhe që një ditë Katalonia të jetë e pavarur. Tereza Forkades apelon gjithashtu për kombëtarizimin e bankave dhe kompanive energjitike, si edhe daljen e Spanjës nga NATO-ja. Ajo shpreson që kështu do të rigjallërohet shpirti i të “indinjuarve” (Los indignatos) që kanë zaptuar sheshet spanjolle disa herë nga viti 2011.
Fushata e saj synon në realizimin e objektivave konkrete. “Unë dhe një grup personash kemi ndjerë nevojën për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë një përgjigje pakënaqësisë e ndjenjës së zhgënjimit të thellë të shumë e shumë spanjollëve”, thotë dhe shton se nuk ka qëllim të krijojë një parti politike apo të kandidojë. Ajo do vetëm të rikrijojë një lëvizje opinioni të përgjithshëm kundër shtrembërimeve të neoliberlizmit.
Kritikat për Kishën
Forkades nuk kursen as kritikat për përbuzjen që ofron Kisha ndaj figurës së gruas në hierarkitë e Vatikanit. Ajo thotë se jeta në manastir nuk i duket shtypëse, por apelon për të drejtat e grave, shugurimin e tyre dhe përdorimin e kontraceptivëve për të shmangur abortet./ Dorina Gjuzi