Dihet se jeta dhe vepra e zonjës Edith Durham, (1863 – 1944) u përshkua nga një jetë aktive, plot lëvizje e gjallëri. Me këtë, ajo arriti ta mposhtte edhe problemin e hershëm që kishte pasur me shëndetin e nga ana tjetër, sëmundja apo shëndeti i pastabilizuar u bë shkak që ajo t’i përkushtohej çështjeve të cilave u kushtoi jetën, siç ishte ajo në ndihmë të popujve të shtypur e të vegjël, ku dashuria për Shqipërinë e shqiptarët zuri vend të veçantë. Në këtë kuadër, bën pjesë edhe një artikull, të cilin ajo e kishte shkruar tek gazeta britanike, “The Manchester Guardian”, në vitin 1918.
Ky artikull ishte përzgjedhur për ribotim edhe nga stafi editorial i “The Adriatic Review”, botim i Federatës Patriotike Panshqiptare VATRA, e cila ishte një zgjatim i përpjekjeve lobuese të nisura me kohë nga diaspora shqiptare në SHBA, në momentet më të vështira të historisë së Shqipërisë. Revista në fjalë zyrtarisht ishte në dy gjuhë, porse raporti i prezencës së gjuhës angleze në krahasim me atë shqipe, ishte dukshëm i zhdrejtë në favor të anglishtes. Po ashtu ishte edhe raporti tematik e përmbajtësor, ku në faqet rezervuar për botimet në gjuhën shqipe, mund të shihje vetëm ndonjë krijim letrar apo gjëra të ngjashme, ndërsa në atë primarin, në anglisht; plot deklarata, lajme, artikuj, e thirrje publike.
Kjo e gjitha sigurisht se ishte menduar me paramendim nga të dy kolosët e mendimit shqiptar të kohës, Noli e Konica, të cilët ideuan formatin dhe përmbajtjen e një reviste lobuese të përmasave deri më atëherë të paparë për komunitetin shqiptar jashtë vendit. Revista u botua nga shtatori 1918 deri më nëntor 1919, dhe kryeredaktorë të saj ishin në fillim Fan S. Noli e më pas Constantin Anastas Chekrezi, apo siç njihet gjerësisht, Kostë Çekrezi.
Me Antantën, për Shqipërinë
Një zë i veçantë në këtë platformë ishin dhe ribotimet e artikujve, analizave e opinioneve nga faqet e shtypit të huaj, që ndërthureshin në një betejë diplomatike dhe propagandistike të Vatrës brenda suazës së shtypit amerikan. Çështja bazë ishte për kohën që t’i bëhej e qartë publikut dhe qeverisë amerikane pozita e popullit shqiptar, të demaskoheshin masakrat e atrocitetet e fqinjëve, pozicioni i elitave intelektuale vendase, në mbështetje të kauzës e kërkesave të drejta të popullit shqiptar, duke u rreshtuar përkrah Antantës, pjesë e së cilës ishin edhe SHBA, për të shmangur kështu të paktën keqinterpretimet apo abuzimet që vinin në atë kohë nga Serbia, Greqia e qarqet antishqiptare.
Vetë VATRA, duhet thënë se kishte dërguar për nevojat e Luftës në krah të Aleatëve, një regjiment vullnetarësh, për rolin dhe misionin e të cilit, pati asokohe edhe debat publik, por po kështu, përplasje pati edhe me përfaqësuesit e lobit grek të kohës, të cilët donin t’i paraqisnin shqiptarët më së pakti si “miq të austriakëve” e ti damkosnin përballë një publiku, jo vetëm të painformuar, por edhe të gatshëm për të thithur disinformacione e manipulime, duke pasur parasysh se bëheshin nga qarqe që ata i konsideronin si “aleatë”.
Emergjente u shfaqën për kohën dy çështje bazë: eliminimi i rrezikut sllavo-grek, të cilët në një paradoks historik ishin rreshtuar përkrah SHBA-së, si shtete aleate dhe në këtë mënyrë, mund të ushtronin të gjithë forcën e tyre lobuese në disfavor të çështjes shqiptare për arsye që dihen, dhe tjetra, pavarësisht se jo fort e dukshme në pamje të parë, ishte: të neutralizohej Esat Pasha, qeveria e tij dhe ajo çka ai përfaqësonte, pasi mund të abuzohej me faktin se ai kishte luftuar përkrah forcave të Antantës, të cilat në fakt, jo thjesht për arsye politike, ia kishin njohur “kontributet”, duke e dekoruar disa herë.
Në këtë kuadër, bëhej edhe (ri)botimi i artikullit të sipërpëmendur të zonjës Durham, botuar së pari në një gazetë britanike, ku ngrihej lart roli i Francës për kontributin që kishte dhënë në atë që në histori njihet si “Krahina Autonome e Korçës”, e nga ana tjetër, i bëhej thirrje fuqive të ardhshme fituese të Luftës së Parë Botërore (Antantës), që të mos binin prè e orekseve sllave (në rastin konkret), duke i rënë në qafë Shqipërisë e shqiptarëve.
Po kështu në faqet e “Adriatik Review”, regjistroheshin edhe lajme nga territoret shqiptare të pushtuara, ku Korça dhe atmosfera në rajonin nën administrimin francez, dukej se zinte një vend të konsiderueshëm. Nga teksti i saj, marrim vesh edhe një risi, le të themi, ndërsa ajo shkruan se “për momentin, shteti shqiptar është i vetmi në Europë i cili, pasi ka paguar të gjitha borxhet e veta, ka një sufiçit prej më shumë se një milionë frangash vitin e fundit”. Kjo lidhej në fakt me çështjen që ishte diskutuar qysh në bërthamën e krijimit të shtetit shqiptar, në vitet 1912-1913, kur diskutoheshin borxhet e mbartura nga Perandoria Osmane nga shtetet që ishin krijuar pas shkrirjes së saj, e njejtë pak a shumë, me debatin mbi trashëgiminë financiare të ish-republikave jugosllave, sot.
Më poshtë, përmbajtja e plotë e dy materialeve të nxjerra nga “The Adriatic Review”, 1918:
Francezët në Korçë!*
Ndërsa ngjarjet e fundit e kanë nxjerrë në vëmendjen publike Shqipërinë, një konstatim i shkurtër se si ky vend ka përballuar çështjet e tij të shumta, mund të jetë me interes. Mund të theksohet se megjithëse Fuqitë europiane e kanë njohur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1913, qysh nga shpërthimi i Luftës aktuale, ky vend është shkelur në total nga tetë armata të ndryshme, të fuqive të Antantës dhe atyre të Aksit, dhe është pushtuar në Veri nga Austria e në jug nga trupat e Mbretit Konstandin.
Përtej faktit se Italia ishte në Vlorë, vendi i gjithi ishte pothuajse në dorë të armiqve. Gjërat nisën të ndryshojnë me ardhjen e vitit 1916, kur trupat franceze çliruan Korçën, dëbuan grekët dhe ngritën lart flamurin shqiptar, nën brohoritjet e mëdha të popullsisë. Kjo copë e vogël toke, e cliruar nga francezët, u shpall një shtet i lirë prej tyre pikërisht në kohën kur trupat e Mbretit Konstandin po grumbullonin e po ia përcillinin të gjitha rezervat ushqimore armikut, dhe kur uria po shtrihej në mbarë vendin.
Zhvillimi “alla francez”, më i miri në Ballkan
Francezët, duke ia nisur të ndërtonin rrugë – dhe për këtë, duke paguar shpërblime të mira – apo duke dhënë çdo ditë një copë bukë derisa të afronin korrjet e reja, i shpëtuan njerëzit. Shteti i vogël, i lirë, nukli i Shqipërisë së ardhme, më pas u shfaq i vendosur të punonte për të organizuar vetveten. Tashmë, sipas një raporti të lëshuar së fundmi nga “The Calendirer of Coritza”, gjërat po lulëzojnë. Ai po qeveriset nga një këshill administrativ me përfaqësues shqiptarë. Një oficer francez është prezent në takime, por duket se kurrë nuk e ka parë të neëvojshme të ndërhyjë në procedurat e Këshillit.
Është ngritur një ministri drejtësie, të gjithë funksionarët e së cilës janë shqiptarë, dhe qeverisja e saj ka dhënë shumë rezultate, saqë neve na u tha se është më lart se sa ajo e çdo shteti tjetër ballkanik. Xhandarmaria është organizuar gjithashtu mirë, dhe brenda pak kohësh ka eliminuar incidentet e pakta që vinin nga përtej kufirit nga grekët, ndërsa rregulli i brendshëm është mbajtur më këmbë i pashqetësuar.
Shqiptarët, të dhënë pas arsimit
Zhvillimi më i rëndësishëm është ngritja e Departamnetit për Punët Publike. Duhet mbajtur parasysh se nën qeverisjen turke, gjuha shqipe ishte e ndaluar duke iu nënshtruar dënimeve të rënda. Çdokush që gjendej me një libër shqip apo letër në posedim, kishte gjasë të dënohej deri në 15 vjet burg, dhe shkollat në gjuhën vendase nuk lejoheshin. Shqiptarët …dhe përpjekjet e tyre për të arsimuar vetveten, në përballje me vështirësi e rreziqe, janë mëse të lavdërueshme. Çlirimi i tyre në dhjetor 1916, është pasuar nga një vrull për të sjellë në vend arsimimin, i cili është fare fenomenal, dhe na jep një ide të asaj se cili do të jetë zhvillimi i ardhshëm i kësaj race. Një bord arsimor shqiptar u ngrit menjëherë dhe përtej vështirësive për sigurimin e materialeve mësimore, janë çelur katër shkolla fillore dhe një e mesme në Korçë, me rreth 2 mijë nxënës, dhe 50 shkolla në fshatrat përreth janë sistemuar në mënyrë të ngjashme. Toka është pjellore dhe agrikultura po përparon, kështu që rajoni po ushqehet mirë.
Shqipëria, me sufiçit financiar
Një minierë qymyri po çelet në male. Për momentin, shteti shqiptar është i vetmi në Europë i cili, pasi ka paguar të gjitha borxhet e veta, ka një sufiçit prej më shumë se një milionë frangash vitin e fundit.
Ndërsa ushtria franceze përparon, dhe territore gjithnjë e më të mëdha të Shqipërisë po çlirohen, puna e nisur në Korçë do të përhapet me shpejtësi. Në kohën kur i gjithë vendi të jetë çliruar do të krijohet një njësi unitare dhe progresiste njerëzish që shtrihet nga Korça deri në Shkodër e Gjakovë.
Mos e shisni Shqipërisë për hatër të fqinjëve
Që ky popull do të rrethohet nga të gjitha anët nga sllavët, siç sugjerohet sot nga liderët e Antantës, është e papranueshme në shkallën më të lartë. Ti detyrosh ata të bëjnë këtë gjë është njëlloj sikure të detyrosh belgët që të dorëzojnë portet e tyre për Gjermaninë. Nuk është këtu as nevoja më e vogël për të dhunuar të drejtat e një populli, pasi sllavët posedojnë tashmë (apo e patën bërë këtë, qysh para shpërthimit të Luftës) dy qytet-porte të mirë siç janë: Tivari dhe Ulqini, dhe i gjithë bregu në veri të tyre është gjithashtu i populluar me sllavë, dhe si i tillë, paraqet një dalje natyrale detare për Jugosllavinë.
Ne s’mund të bëjmë asnjë paqe të qëndrueshme duke dhuruar toka të cilat nuk janë tonat për secilin nga aleatët tanë, sado të vlefshëm të jenë ata. E gjitha çfarë Shqipëria kërkon nga Fuqitë e mëdha është që pavarësia e saj të garantohet dhe respektohet, dhe që ajo të lejohet të shpëtojë qënien e saj.
*Nga Edith Durham,
botuar në “Manchester Guardian”,
ribotuar në “The Adriatik Review”, Shtator 1918, fq. 9
* *
“Vive le France, Vive l”Albanie!”
Territori i Korçës ka pasur një rast të shkëlqyer për të manifestuar ndjenjat e popullit të saj në prezencë të Gjeneralit francez. Gjenerali Humbert mbërriti në qytetin e Korçës më 4 qershor dhe u prit me manifestimet më entuziazte për Francën nga populli, mes brohoritjeve “Vive le France, Vive l”Albanie!”. Trupat e milicisë lokale dhe ato të xhandarmarisë ishin rreshtuar përgjatë sheshit me komandantët e tyre shqiptarë në krye, të cilët mbanin lart flamurin shqiptar, të njejtin që i udhëhoqi ata në betejat kundër austriakëve në krahë të francezëve. Ishte hera e parë në tri muaj që flamuri u shfaq zyrtarisht, duke ndjekur urdhrin që ishte dhënë më 28 marsin e shkuar, ku thuhej se duhej të mos shfaqej nëpër ndërtesat publike dhe zyrat qeveritare. Gjenerali Humbert kaloi në një revistë nderi trupat e rreshtuara dhe këmbeu përshëndetje me anëtarët e Këshillit Administrativ të Territorit, të cilët dolën përpara për ta takuar. Në mbrëmje, Gjenerali i ftoi anëtarët e Këshillit, me të cilët ai mbajti një konferencë të gjatë në lidhje me gjendjen aktuale të territoreve të pushtuara. Anëtarët e Këshillit e falenderuan atë për mbështetjen që Franca u jep të drejtave të popullsisë lokale, e cila nuk dëshiron asgjë tjetër veçse t’i bashkangjitet tokës mëmë, Shqipërisë më të madhe. Dhe grekët akoma të pakorrigjueshëm, po mashtrojnë veten me iluzionet e tyre.
“The Adriatik Review”, Gusht 1919, fq. 509
Edith durham ka qen nje misionare e katolicizmit ne sherbim te saj dhe fjalet e saj nxisin urejtje ndaj Ortodoksizmit ne bashkepunim me Islamin,qe ajo e konsideronte si nje mjet per percarje mes nesh!Zoti na rruajte nga kjo demagoge e Katolicizmit Anglikan!
Shum shtete ne ket kohe kerkonin shtrirjen kolonialiste ne teritorin e Shqiperise,ashtu sic u fut edhe Franca Gjermania e Austria dhe shqiptaret i kuptonin sikur keta ishin shpetimtaret?!!