Kryeministri kinez Çu En Laj ngulte këmbë që ne nuk e shikonim drejt problemin, duke lënë të kuptohej se nuk ishte dakort me vijën e Partisë së Punës së Shqipërisë për mbrojtjen e vendit
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 26.8.1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime rreth akuzës.
Përgjigje: Në Ministri kam njohur Teki Biçokun i cili ka qenë Drejtor i Gjeologjisë në Ministrinë e Industrisë e Minierave. Që nga viti 1966 dhe lidhur me të kam thënë se: si në hartimin e detyrave në planin 5 vjeçar dhe ato vjetore, është treguar gjithnjë tepër i shtrënguar, për plane të vegjël. Për disa minerale që i mungonin dhe ishin të domosdoshme për ekonominë e qymyrit të pasur (për koks), hekur pa nikel etj., këtu është treguar gjithmonë pa inisiativë duke i nënvleftësuar e zvarritur këto kërkesa, në vend që të ndërmerrte punime serioze studimore shkencore për to. Dhe për këto unë kam patur disa biseda me të në Ministri, duke ia shpjeguar gjerë e gjatë domosdoshmërinë.
Në mbledhje të organizatës së Partisë ose aparatit të Ministrisë për debate e mendime rreth çështjeve organizative të Ministrisë, ka ngritur gjithnjë ndarjen materiale, furnizim e shpërndarje (sidomos atë në valutë të huaj); p.sh. Tekiu thoshte e mbronte me forcë që Drejtoria e Gjeologjisë të administronte vetë 4-5 baza grosiste ose ndërmarrje furnizim materialesh kryesisht të destinuara për gjeologjinë si degë ekonomike. Ky decentralizim nuk i është aprovuar asnjëherë, se po të veprohej kështu për të gjitha drejtoritë e dikasterit do të bëhej një decentralizim tepër i madh.
Kohët e fundit, duke marrë parasysh përvojën e tij për problemet e ideologjisë edhe ato për naftën, sepse ishte edhe i specializuar për problemet sizmike për kërkimet e naftës, e kam marrë në mbledhjet dhe aktivet për kërkimin dhe prodhimin e naftës me qëllim që të ndihmohesha prej tij. Mirëpo në këto mbledhje, mendimet e tij kanë qenë kryesisht rreth çështjeve sekondare (qofshin ato edhe tekniko-shkencore) e jo kryesore. P.sh.: në Nëntor 1974, në aktivin e naftës në Fier (për kërkimet) kishte mendime dhe kur u kthyem në Tiranë pas disa ditësh më thotë se ai kishte patur disa mendime në kundërshtim, sidomos me diskutimin e Milto Gjikopollit, por nuk pati mundësi t’i shfaqte në aktiv sepse shkoi bashkë me Abyl Këllezin në festën e Tiranës duke e lënë përgjysëm zhvillimin e punimeve të aktivit. Unë e pyeta pse nuk qëndroi e t’ja numëronte të gjitha Miltos dhe të tjerëve ose për probleme të tjera që mund të kishte. Justifikohej në atë që duhej të merrte pjesë në përvjetorin e çlirimit të Tiranës, ku shkoi edhe sëbashku me Abdylin.
Më kujtohet nga Prilli i vitit 1973, pasi kishte qenë në Finiq të Sarandës edhe me specialistë të tjerë, më thotë se ai mbas materialeve sizmike, etj., që kishte studiuar, Finiqi i tregonte premisa të favorshme (pozitive) për një strukturë nafte. Edhe në Nëntor të vitit 1973, po në Sarandë, në mbledhjen që u bë me specialistët e naftës e të institutit, nuk bëri ndonjë vërejtje rreth përqendrimit që do të bëhej për kërkimet dhe shfrytëzimin e naftës në Sarandë. Si profesor, me dijeni shkencore duhet të jepte mendimin e tij të saktë, të bazuar, gjë që nuk e bëri. U tregua i frikshëm (ose me pikëpamje jo të sakta) dhe influencoi për keq edhe te ne të tjerët, edhe te mua, për përpunimet që do të merreshin. Shkencërisht, dhe si kuadër partie, nuk i lejohej një qëndrim i tillë, megjithëse u pyetën të gjithë nëse kishin kundërshtime.
Si për kërkimet minerale dhe për ato të naftës, ka bërë gjithmonë me insistim të madh kërkesa të fryra materialesh e paisjesh importi, fuqi punëtore etj. Kur e pyeta një ditë, në vitin 1974, në zyrën time për kërkimet e naftës, për mos suksesin e tyre, problem kryesor më ngriti çështjen e shtrimit të metrazhit të çpimit. Arsyetimet e tij nuk i shikonte në mungesën dhe sabotimin e studimeve shkencore për kërkimet e naftës. “Shtuam metrazhin e kërkimit për krom”, më thoshte Tekiu, “dhe u realizuan rezervat industriale të kromit, për të cilat kisha shfaqur që në fillim të 5 vjeçarit dyshime. Pra duhet të shtojmë medoemos metrazhin e çpimit në kërkimet e naftës për të zbuluar ndonjë strukturë nafte.” Me këto mendime, si profesor për çështjet e gjeologjisë, në vend që të studionte problemet shkencërisht, ka vepruar me pikëpamje krejt të kundërta duke ndikuar për keq.
Gjithashtu, një ditë, gjatë vitit 1974, duke biseduar me të për mos suksesin në kërkimet e naftës, e pyes si kuadër partie dhe si shkencëtar, të më jepte ndonjë mendim për Beqir Alinë duke i thënë edhe për dyshimet rreth punës së tij. Nuk më dha asnjë përgjigje (dhe nuk mund të them se nuk e njihte) dhe me marifet sikur mbaruam bisedën dhe u ngrit e iku. Në përgjithësi, përgjigjet e tij edhe për probleme të tjera i jepte me ndruajtje të veçantë, si me thënë, për ta ruajtur vehten nga çdo lloj përgjegjësie eventuale.
Për mbingarkesën e gëlqeroreve, në mbledhjet ose bisedat që kemi patur, ishte në kundërshtim me kërkesat dhe mendimet e Ramiz Xhabisë, por ka qenë gjithnjë i një mendimi me ngarkesën që vendosej nga Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe Ministria duke shtuar p.sh., se nuk mbante ky apo ai vendburim gëlqeror të merrte më shumë. Asnjëherë nuk doli me ndonjë kundërshtim të bazuar, duke bërë ndonjë studim shkencor mbi gabimet e rënda dhe fajet në këtë drejtim.
Specialistin Sejfedin Qerlaze (me biografi jo të mirë) e solli vetë në Ministri.
Një ditë, nga fundi i vitit 1974, vjen vetë Tekiu në zyrën time e më informon se kishte patur rastin të takonte Sekretarin e Parë të KQ të Partisë së Shqipërisë, zotin Enver Hoxha, në një familje për ndonjë urim, ku ai e kishte pyetur pse nuk organizonim debate në industrinë e naftës dhe Tekiu i ishte përgjigjur që pikërisht kishim bërë debate, duke treguar për ato të muajit Tetor me specialistët gjeologë në Fier. E pyeta nëse kishte biseduar ndonjë problem tjetër për të marrë masat përkatëse. Tekiu mu përgjigj negativisht.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 15 Tetor 1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdoni i pandehur të jepni shpjegime rreth akuzës.
Përgjigje: Në vitin 1965 kam qenë në RP të Kinës në përbërjen e një delegacioni që kryesohej nga zoti Spiro Koleka. Në takimin e parë plenar, pasi u shtrua nga kryetari i delegacionit të RP të Shqipërisë, zëvendës kryetari i Këshillit të Ministrave zoti Spiro Koleka ndihma që kërkohej, përfshi edhe rindërtimin e zhvillimit të industrisë së rëndë, mori fjalën nga pala kineze kryetari i Këshillit të Ministrave të RP të Kinës, Çu En Laj. Ai foli shkurt për disa çështje të ndryshme dhe përmendi se ne kërkonim import drithërash – bukë për çdo vit të 5 vjeçarit të katërt dhe si me të qeshur, në formë pyetje, me sa më kujtohet, tha se mesa dukej ne do të vazhdonim nga hera të importonim grurë. Në bisedën e tij, nga sa më kujtohet, veç të tjerash foli gjatë edhe për çështjet e bujqësisë duke u shprehur që rëndësi të dorës së parë kishte bujqësia duke lënë të nënkuptohej jo industria, ose industria e rëndë. Duke u njohur me rendimentet e drithrave të bukës në vendin tonë, për atë kohë, ai u shpreh se bujqësia jonë, në këtë mënyrë nuk ishte në vendin e duhur dhe s’kishte se si të sigurohej buka. Prandaj ai tha se problem kryesor për ne ishte bujqësia.
Në RP të Kinës, siç thoshte Çu En Laj, i jepej rëndësi më e madhe bujqësisë.
Kryeministri Çu En Laj insistonte për problemin që ngriti, sa që për të na demonstruar pikëpamjen e tij, sipas propozimit që bëri, na shoqëroi vetë në një kooperativë bujqësore “Taxhaj”, e cila ishte zotuar të hapte toka të reja, me tarraca shkëmbore, të siguronte prodhim drithërash për vehte dhe për shtetin, duke përpunuar mjetet lokale, pa marrë asgjë nga shteti, pra pa domosdoshmërinë e industrisë së rëndë, për (nënkuptohet) plehra kimike, mekanizim punimesh, etj. Me këtë vizitë që u bë nga Çu En Laj lihej të nënkuptohej se nga Partia jonë nuk ishte e drejtë vija për zhvillimin e industrisë së rëndë që kërkonim në atë rast, por në radhë të parë duhej zhvilluar bujqësia edhe me mjete të thjeshta.
Në vitin 1965, në bisedën e dytë plenare të dy palëve, na u tha nga Çu En Laj për çka na jepej, material apo objekte dhe për ato që nuk u dhanë, ai na bëri një sërë arsyetimesh. Çu En Laj na tha se aq ishin mundësitë e tyre për objekte, do të na jepnin ato që prodhonin vetë dhe në një listë, pregatitur nga Li Si Nien, na tregoi gjithë kontigjentin e caktuar nga Komisioni i Planit dhe Ministria e Financave të RP të Kinës për të na ndihmuar në 5 vjeçarin e katërt dhe na treguan vendet që ndihmonte Kina, sipas së cilës, më shumë se kushdo tjetër, ndihmohej RP e Shqipërisë.
Nga sa reflektoj tani, Çu En Laj me këtë donte të na thoshte ose të linte të kuptohej se mund të lidhen marrëdhënie diplomatike, mund të bëhej tregti me shtete të tjera për ndërtimin e socializmit në forma të ndryshme, siç i mbanin ata marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, me Jugosllavinë titiste, Rumaninë dhe shtete të tjera të Evropës dhe të botës.
Tani shikoj se ai na linte të nënkuptonim se Partia jonë nuk i shikonte drejt problemet, pasi nuk lidhte marrëdhënie me shtete të tjera. Çu En Laj linte të kuptohej se Partia jonë i shikonte ngurtë çështjet politike dhe se nuk ishte në rregull në këtë drejtim.
Lidhur me sa thashë më sipër, unë kam deponuar në proces verbalet hetimore se kam patur pikëpamjen anti-parti që tregëtinë mund ta mbanim edhe me Bashkimin Sovjetik ose edhe vende të tjera në kushte reciproke, ndërsa çështjet ideologjike të shikoheshin në rrugë tjetër, sidomos edhe për paisje teknologjike që nuk mund t’i gjenim në RP të Kinës dhe që ishin të domosdoshme. Kontradiktat politike i kam parë si çështje e probleme që do t’i përcaktonin apo zgjidhnin sektorët e tjerë që u takojmë, të Partisë apo Shtetit. Një sektarizëm të tillë e kam patur kurdoherë duke i kufizuar detyrat e mia në çështjet kryesore ekonomike të shkëputura nga politika.
Ndihma kineze për vendin tonë ka qenë më e madhja, por jo plotësisht ajo që duhej të ishte, sidomos si struktura (industria e rëndë) dhe në afate zbatimi për nevojat e vendit. Këto janë mendimet e mia. Ja disa aspekte:
Në vitin 1965, që nga desinteresimi i zëvendës kryetarit të Këshillit të Ministrave, Li Si Nien dhe Fan I, kryetar për komitetin e marrëdhënieve ekonomike me jashtë, në referatet e kryetarit të delegacionit tonë, kuptohej mungesa e gatishmërisë së tyre ndaj kërkesave tona, pasi ata nuk i dëgjuan vetë këto, por dërguan njerëz të tjerë. Tani realizoj se kjo ka ndodhur kështu sepse ata në fusha ideopolitike i janë kundërvënë vijës politike të Partisë sonë. Në vijim, gjatë bisedimeve, ata thonin: “Ne u japim ato që kemi mundësi, si ndihmë ekonomike dhe teknike.” Por në të njëjtën kohë nxirrnin një sërë pretekstesh që pengonin këtë ndihmë gjatë diskutimeve në grupet e punës, për objekte materiale e paisje të ndryshme të rëndësishme. Na thonin se s’kishte ç’na duhej Fierza kaq shpejt etj. Kur kam shkuar në vitin 1968 si delegacion ekonomik në RP të Kinës, që në mbledhjen e parë me palën kineze, nga të cilët merrnin pjesë kryeministri i RP të Kinës, Çu En Laj, Kan Shen, shefi i shtabit etj. dhe nga dy delegacionet tona, një pjesë kryesore ishin disa kuadro ushtarake në seancën e dytë të mbledhjes, pasi në të parën zoti Kan Shen referoi mbi situatën komuniste ndërkombëtare, u hapën hartat topografike të territorit tonë. Mbi bazën e këtyre, u shpjegua nga kryetari i delegacionit ushtarak të vendit tonë, Beqir Balluku, apo nga ndonjë kuadër tjetër ushtarak, se në rast agresioni ndaj vendit tonë, si do ta përballonim ne atë agresion. Lidhur me këtë ishte pregatitur edhe kërkesa e ndihmës ushtarake përkatëse, llogaritur nga pala jonë në armatime të lehta dhe të rënda. Nga pala kineze e mori fjalën kryeministri Çu En Laj, i cili nuk ishte dakort me mënyrën se si e shikonte problemin e mbrojtjes pala jonë. Nga sa më kujtohet, ai nuk e gjykonte me vend e sidomos një luftë (mbrojtje) pozicionale nga ana jonë, në kushtet e një pozicioni agresionesh. Në këtë drejtim, ai herë pas here mbështetej nga shefi i shtabit të RP të Kinës, emri s’më kujtohet, dhe kryeministri Çu En Laj ngulte këmbë që ne nuk e shikonim drejt problemin, duke lënë të kuptohej se nuk ishte dakort me vijën e Partisë së Punës së Shqipërisë për mbrojtjen e vendit. Diskutimet u zgjatën mjaft. Kryeministri qëndronte në pikpamjet e veta (e të tyre si delegacion) dhe përpiqej të arsyetonte, duke bërë edhe ndonjë llogari se palës tonë nuk i nevojiteshin armatimet e rënda, por në raste të tilla agresionesh armët e lehta, bile me sa më kujtohet, Çu En Laj tha se s’kish si të veprohej ndryshe nga një shtet i vogël.
Më vonë, unë nuk kam dijeni se si u përfunduan bisedimet, por kuptova që kontradiktat në këtë fushë ishin se për mbrojtjen e këtij vendi socialist të vogël (RPSH) nga njëra anë, nga krerët (disa) të palës kineze ngrihej lart qëndrimi marksist-leninist e lufta parimore konseguente e tij, por kur ishte fjala për mbrojtjen e këtij vendi ky problem neglizhohej, kundërshtohej, pra ideologjikisht, politikisht, ata i kundërviheshin vijës së Partisë së RP të Shqipërisë. Se si u mbyll marrëveshja, nuk kam dijeni. Por në vetvete krijova bindjen që neve na nevojiteshin edhe armatimet e rënda, për të mbrojtur një luftë pozicionale në rast koalicionesh, qoftë edhe për aq kohë sa do të kishim mundësi ta mbanim, të qëndronim.
Lidhur me këtë problem, nuk kam patur ndonjë bisedë tjetër.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /