PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 10.8.1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Ti i pandehur ke pohuar se nuk ke qenë dakort per prishjen e marrëdhënieve me vendet revizioniste. Na trego se cilat kanë qenë pikëpamjet e tua për direktivat e Partisë dhe normat e Qeverisë që kishin të bënin me zhvillimin e tregtisë së vendit tonë me vendet e tjera dhe për çarjen e bllokadës borgjezo-revizioniste.
Përgjigje: Siç kam shpjeguar edhe më parë, unë nuk kam qenë dakort me prishjen e marrëdhënieve të vendit tonë me vendet revizioniste. Kisha pikëpamjen që kontradiktat ideologjike ndërmjet partive të zgjidheshin me bisedime, por marrëdhëniet ndërmjet shteteve të mbeteshin, sepse vendi ynë kishte nevojë për ndihmën ekonomike dhe kreditë që i jepnin vendet revizioniste, sepse kështu do të fuqizohej ekonomia e vendit tonë. Pas prishjes së këtyre marrëdhënieve, në kundërshtim me politikën e Partisë, mendoja se nga vendet revizioniste neve nuk do të na bëhej ndonjë bllokadë ekonomike, sepse sipas meje, mendoja se edhe në ato vende vazhdonte të ndërtohej socializmi. Rrjedhimisht, unë nuk kam qenë dakord me direktivat e Partisë dhe normat e Qeverisë që kërkonin uljen e koefiçentit të tregtisë me vendet revizioniste dhe për gjetjen e tregjeve të reja. Unë kam qenë i mendimit që tregtia me vendet revizioniste të mbahej e të zhvillohej siç kishte qenë, sepse mbi bazën e kleringut kishim leverdi ekonomike, por njëkohësisht unë kam qenë dakord që të gjenim tregje të reja e të zhvillonim tregti edhe me vende të tjera kapitaliste, mjaftonte që ne të kishim leverdi në fuqizimin e ekonomisë dhe për mua nuk kishte rëndësi regjimi politik që mund të ishte në fuqi në ato vende me të cilat ne do të bënim tregti. Këtu e ka burimin edhe aprovimi nga ana ime për marrjen e makinës sizmike për naftën nga Amerikanët të cilën e kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore.
Pikëpamje të njëjta armiqësore me të miat, ndoshta më të avancuara, për zhvillimin dhe mbajtjen e tregëtisë me vendet revizioniste, kanë patur edhe Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela e Vasil Kati. Këtë e them pasi, konkretisht me secilin prej tyre më kujtohet që kam bërë këto biseda:
Nga fundi i vitit 1960 ose fillimi i vitit 1961, mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në një rast kur ishim në një shëtitje të vogël, ku isha unë, Kiço Ngjela dhe disa nga shokët e udhëheqjes, Kiços, në formë porosie iu tha se tani mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik duheshin marrë masa dhe duhej patur kujdes se edhe vendet e tjera revizioniste mund të ndërprisnin marrëdhëniet me vendin tonë, prandaj duhej që të mos ziheshim në befasi edhe për çështjet tregtare. Kiçua, me sa më kujtohet, tha që në tregti do merrnim masa, por nuk duhej të shpejtoheshim në këtë drejtim. Më gjatë biseda nuk më kujtohet të ketë vazhduar dhe u ndamë. Unë dhe Kiçua ikëm të dy bashkë se i kishim shtëpitë në një drejtim. Unë e pyeta Kiçon pse u shpreh që nuk duhej shpejtuar në marrjen e masave në tregtinë e jashtme. Kiçua më tha që nga Partia e Shteti ynë duheshin bërë përpjekje që të paktën të mbaheshin marrëdhëniet ekonomike me vendet revizioniste të Evropës sepse ne kishim leverdi, shkëmbimin me këto vende ta bënim me klering, mallrat tona të eksportit ishin me cilësi të dobët e megjithatë këto vende na i merrnin dhe Kiçua thoshte se duke qenë të kësaj cilësie, ishte e vështirë të gjeje tregje në vende të tjera, bile ishte e vështirë të bleje në tregje të tjera mallra që i duheshin ekonomisë tonë. “Ne, -më thotë Kiçua, kemi krijuar traditë në zhvillimin e tregëtisë me vendet revizioniste, prandaj kjo tregti duhet ruajtur, se për ta prishur e prish kollaj, por për ta ndrequr nuk e ndreq dot më.” Unë i thashë Kiços që edhe këtë çështje kështu e kuptoja, se kjo tregti me këto vende revizioniste, duhej ruajtur e forcuar pasi ishte një tregti e vendosur dhe e stabilizuar, prej së cilës vendi ynë kishte leverdi ekonomike. Kiçua në përfundim më tha se kjo çështje kështu ishte, por problemet e ekonomisë nuk i njihnin e nuk i kuptonin mirë të gjithë shokët. Më gjatë biseda nuk më kujtohet të ketë zgjatur dhe ne u ndamë me njëri-tjetrin.
Nga kjo bisedë që bëra me Kiço Ngjelën unë kuptova jo vetëm faktin që ai ishte për mbajtjen dhe zgjerimin e tregtisë me vendet revizioniste të cilën ma tha edhe vetë, por nuk ishte dakord as me porositë e detyrat që i dhanë pak më parë shokët e udhëheqjes për këtë problem, bile siç m’u shpreh edhe vetë, ai bënte aluzion se udhëheqja e Partisë dhe e Shtetit nuk i njihte si duhej çështjet e tregëtisë.
Po në ato kohë më kujtohet një bisedë tjetër me Kiço Ngjelën për eksportin dhe importin që i duhej industrisë së rëndë të vendit tonë, të cilën më duket se e kemi bërë në Komisionin e Planit pasi unë isha President i Planit.
Në këtë bisedë më kujtohet se Kiçua më është shprehur që prerja e marrëdhënieve ekonomike me Bashkimin Sovjetik ishte një gjë e rëndë për vendin tonë. “Ja, -thoshte ai, më përpara bitumin na e merrnin Sovjetikët në masën më të madhe dhe një pjesë të vogël vendet revizioniste. Tani që na u prenë marrëdhëniet me Sovjetikët, ku do t’i gjejmë treg bitumit që po na mbetet stok?” Veç kësaj, Kiço Ngjela më ka thënë se pjesët e këmbimit për industrinë e rëndë dhe bujqësinë i merrnim nga Bashkimi Sovjetik, e më pas nuk kishim se nga t’i merrnim, prandaj Kiçua thoshte se ne ishim të detyruar që t’u kërkonim Kinezëve dhe ata të importonin nga Bashkimi Sovjetik materialet që na duheshin neve dhe më pas ne t’i merrnim nga Kinezët. “Kështu, -thoshte Kiçua, prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik i ka krijuar vështirësi të mëdha ekonomisë së vendit, prandaj ne duhet t’i mbajmë marrëdhëniet me vendet revizioniste.”
Nga kjo bisedë unë kuptoja që edhe Kiçua ishte në po të njëjtën pikëpamje armiqësore me timen për mos qënien dakord për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe për mbajtjen e zgjerimin e tregtisë me vendet revizioniste.
Mbas vitit 1966 që unë erdha Ministër i Industrisë e Minierave, për të gjitha paisjet që i duheshin kësaj industrie dhe që nuk i gjenim dot në RP të Kinës, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati kërkonin që ne këto t’i importonim nga vendet revizioniste. Po kështu mallrat e eksportit të Ministrisë së Industrisë e Minierave, sipas marrëveshjeve që lidhte tregëtia, kalonin në vendet revizioniste, me përjashtim të asaj pjese që transportohej në Kinë. Ky eksport në vendet revizioniste, nga viti në vit ka qenë në rritje, në vend që të shkonte në kufizim e ulje sipas direktivave të Partisë. Shifra konkrete për këtë rritje mua nuk më kujtohen. Unë kam qenë dakord me këtë rritje e zgjerim të eksport-importit me vendet revizioniste, pasi siç thashë isha për mbajtjen dhe zhvillimin e këtij tregu.
Për të qenë i saktë, dua të sqaroj se nga viti 1968, nga RP e Kinës na u dha një pjesë e vogël e kredisë në valutë të lirë, kështu që nga viti 1969 e në vazhdim, për nevojat e industrisë e minierave janë importuar pjesë këmbimi e makineri për industrinë edhe nga vendet e perëndimit.
Gjatë kohës që kam qenë Ministër në Ministrinë e Industrisë e Minierave, në raste të ndryshme, më kujtohet që Kiço Ngjela më thoshte që të dërgonim 2-3 specialistë nga Ministria e Industrisë në panairin e Laipsigut që organizonin gati çdo vit bashkërisht vendet revizioniste dhe ku ekspozonin përparimet e tyre teknike. “Kjo gjë,- më thoshte Kiçua, duhet bërë vazhdimisht, pasi specialistët tuaj dhe specialistët që dërgojmë ne si Ministri tregëtie duke u njohur në vend me këto arritje të reja të vendeve të reja revizioniste, marrin zhvillim për këtë zhvillim të teknikës dhe të përcaktojnë se çfarë fabrikash apo pjesë teknike mund të importojmë për nevojë të ekonomisë tonë dhe për shtimin e marrëdhënieve tregëtare me ato vende revizioniste.”
Unë duke qenë i një mendimi me Kiço Ngjelën për këtë çështje, kam urdhëruar që nga Ministria e Industrisë, çdo herë të shkonin në panairin e Laipsigut të Gjermanisë demokratike 2-3 specialistë të cilët vinin sëbashku me specialistë të tjerë nga Ministria e Tregëtisë.
Kjo ndodhte për panairin e Laipsigut, ndërsa panaireve që bëheshin në shtete të tjera, as unë e as Kiço Ngjela nuk u vinim ndonjë rëndësi. Ndonjë bisedë konkrete për nënvleftësimin e panaireve që bëheshin në vende të tjera, mua nuk më kujtohet që të kem bërë me Kiço Ngjelën.
Këto biseda konkrete më kujtohen që kam bërë me Kiço Ngjelën për këtë çështje.
Pyetje: Ti i pandehur shpjegove se nga biseda që të bëri Kiço Ngjela për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, kuptova se as ai nuk ishte dakord që këto marrëdhënie të prisheshin. Na trego nëse gjatë kësaj bisede apo edhe në raste të tjera ti me Kiço Ngjelën keni biseduar hapur për mos qënien tuaj dakord për prishjen e këtyre marrëdhënieve dhe kujt ja hidhni fajin për këto çështje.
Përgjigje: Në bisedën që shpjegova më lart, Kiçua më foli mua më hapur për mos qënien e tij dakord lidhur me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Por që Kiçua të më thoshte mua ose unë t’i kem thënë Kiços se nuk ishim dakord që këto marrëdhënie të prisheshin, mua nuk më kujtohet që t’ia kemi thënë kaq hapur njëri-tjetrit. Kiçua, në njëfarë mase, mua ma tha këtë kur m’u shpreh se: “Për t’i prishur i prish kollaj këto marrëdhënie, por hajde t’i ndreqësh pastaj.” Nga kjo unë kuptova që ai e kishte fjalën për marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, sepse ato ishin prishur në fakt në kohën që unë bëja këto biseda me Kiço Ngjelën.
Fajin për prishjen e këtyre marrëdhënieve, unë siç e kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore, ia hidhja udhëheqjes së Partisë e të Shtetit tonë, por edhe Kiço Ngjela, nga biseda që bëmë, bëri fajtore udhëheqjen e Partisë sonë, sepse ai këtë bisedë ma bëri sipas porosive që mori nga disa shokë të udhëheqjes për këtë çështje dhe vetë ai m’u shpreh se çështjet e tregëtisë nuk i njohin e nuk i kuptojnë drejt disa shokë të udhëheqjes. Ishte fjala për udhëheqjen e Partisë e të Shtetit në vendin tonë. Si unë, edhe Kiçua, edhe për këtë çështje nuk i kemi thënë ndonjëherë hapur njëri-tjetrit se fajin për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e ka udhëheqia e Partisë dhe e Shtetit tonë.
Pyetje: Përse i pandehur nuk ia thua ti hapur Kiço Ngjelës pozicionin tënd për këto probleme, kur siç shpjegon, e kuptove fare qartë që edhe Kiçua ishte në të njëjtat pozita armiqësore më ato të tuat?
Përgjigje: Unë e mësova pozicionin e njëjtë që kishte Kiçua me mua për këtë çështje, por nuk ja thashë hapur pozicionin tim pasi nuk ishte kaq kollaj t’ja thoja, kisha frikë se mund të më ndodhte ndonjë gjë e mund të merrej vesh nga udhëheqja e Partisë qëndrimi im për këto çështje dhe natyrisht do të kisha pasoja.
Pyetje: Po për porositë e Partisë lidhur me çarjen e bllokadës borgjezo-revizioniste, ke biseduar me Kiço Ngjelën dhe nëqoftëse po, si konkretisht?
Përgjigje: Unë këtë, siç e shpjegova edhe më lart, nuk besoja se vendet revizioniste do të na bënin ndonjë bllokadë. Siç e kam thënë, unë mendoja se edhe në ato vende ndërtohej socializmi. Kiço Ngjela insistonte vazhdimisht për rritjen e tregëtisë me vendet revizioniste, bile më thoshte që kjo është tregëti e garantuar sepse bëhet direkt ndërmjet shtetesh dhe jo me firma kapitaliste. Ai më thoshte që vendet revizioniste nga viti në vit interesohen që të zhvillojnë e të rrisin masën e tregëtisë me vendin tonë, na bëjnë edhe ndonjë lëshim në cilësinë e eksporteve tona e shprehje të tjera të tilla. Nga këto biseda të Kiços, kuptoja që edhe ai nuk besonte që në këto vende revizioniste të na bëhej bllokadë siç porosiste Partia, por ne nuk i kemi thënë hapur njëri-tjetrit që nga vendet revizioniste nuk ka rrezik për bllokadë se edhe atje ndërtohet socializmi e për rrjedhim të shpreheshim se porositë e Partisë për këtë çështje nuk janë të drejta.
Pyetje: Si shpjegohet fakti që ti i pandehur, për shumë çështje që pohove je në pikëpamje të përbashkët armiqësore me Kiço Ngjelën dhe nuk paska ndodhur që qoftë edhe për një çështje të bisedoni hapur me njëri-tjetrin për pozicionin e njëjtë armiqësor që keni patur kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor?
Përgjigje: Me sa më kujtohet mua, për asnjë nga këto çështje unë nuk kam biseduar hapur me Kiço Ngjelën. Bisedat tona janë zhvilluar ashtu siç i shpjegova më lart nga të cilat unë e kam kuptuar Kiçon që ishte në pozita të njëjta armiqësore si edhe unë, veprimet edhe në këtë drejtim i kemi të përbashkëta. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
na lodhet me keto shkrime bool lodhje per populln jan asgje del ne drit