Po të kishim vepruar sipas thënies së kryeministrit, zotit Çu En Laj (Maj 1965), që azotikun ta ndërtonim pasi ata të përvetësonin prodhimin e pajisjeve të tij në Kinë, siç është rasti i ndërtimit të uzinës për Urenë (mbarimi në fund të 1976), objekti për plehrat e nitratit do të ishte vonuar mbi 10 vjet. Brenda kësaj kohe, mbi ndërtimin e azotikut (fillim prodhim Shkurt 1967), mendoj unë, ne ngritëm shumë rendimentin e drithrave të bukës.
Ndryshime procesesh, studimesh, përvetësime të zgjatura, projektime të tjera, pati në shumë vepra të tjera, p.sh. 3 herë për apatitet etj., ose mos kombinim si duhet i marrëveshjeve në Pekin, sipas kushteve apo rregullave të tyre, p.sh. 5 puset e minierave e të tjera vepra, duheshin vënë në komitetin ekonomik për marrëdhëniet me jashtë e jo në Ministrinë e Tregëtisë së Jashtme. Kjo bëri që 5 puset as për 5 vjet nuk u sqaruan në Ministri, ndërsa të tillë furnizonte Komiteti dhe këto veprime ishin në dorë të zëvendës kryetarit të Këshillit të Ministrave, zotit Li Si Nien, i cili, lidhur me këto, në vitin 1970 i tha delegacionit tonë: “Për këto vepra, do t’ju japim ç’të kemi.”
Lidhur me këtë, për fajet e delegacionit tonë në 1970, kam deponuar në proces verbalet e mëparshme.
Të gjitha këto tregojnë për një kundërvënie në forma të ndryshme për ndërtimin ose jo të industrisë së rëndë në RP të Shqipërisë ose, në pamundësi të një veprimi të tillë, të zvarritej sa më shumë ky ndërtim. Kjo del si nga bashkëbisedimi me krerët e palës kineze (kryeministri Çu En Laj, zëvendës kryeministri zoti Li Si Nien etj. që i përmenda më sipër), ashtu edhe me veprimet në vijim të marrëveshjeve, sidomos për veprat e ndryshme, dmth për një kundërvënie ndaj vijës së Partisë së Punës të Shqipërisë edhe në këtë fushë.
Dihet që ndihma që i ka dhënë RP e Kinës vendit tonë në valutë, për materiale e paisje ose objekte, ka qenë e madhe. Janë ngritur një sërë veprash industriale e të tjera, me teknologji në përgjithësi moderne. Kjo ndihmë ka bërë që të zhvillohet ekonomia e vendit. Por, nëpërmjet kësaj ndihme, disa probleme kyçe të ndërtimit të ekonomisë kanë pasur rrjedhime të këqija të ndërhyrjes së disa personaliteteve të RP të Kinës, kryesisht të kryeministrit zotit Çu En Laj.
Si delegacione qeveritare, para se të niseshim për të kërkuar ndihmat e duhura, ne kemi marrë porositë e Partisë, që gjatë bisedimeve, po të paraqitej rasti i shfaqjes së pikëpamjeve apo mendimeve që cënonin sadopak vijën e Partisë sonë, ne të mbanim patjetër qëndrimin e duhur. Më kujtohet që kryeministri i RP të Shqipërisë, zoti Mehmet Shehu, na fliste gjerë në këtë drejtim.
Nga sa më kujtohet, gjatë bisedimeve, ka pasur ndërhyrje kryesisht nga kryeministri, zoti Çu En Laj, ndaj kërkesave të palës sonë, të cilat, neve si delegacion na kanë kaluar si kontradikta pune, ndërsa tani, duke i gjykuar drejt, ato ishin ideologjike. Në 1965, si delegacion (përfshi kryetarin), jemi mjaftuar me një ndërhyrje në rrugë pushteti për të kundërshtuar tezat e delegacionit kinez, nga e cila nuk rezultoi asgjë pozitive dhe marrëveshjet u bënë sipas propozimeve të palës kineze. Kjo gjendje la ndikim tek unë, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Pupo Shyti etj., që edhe disa kërkesa të palës sonë ishin të fryra, influencë jo e drejtë që bëhej në disa raste edhe në biseda.
Po të njëjtat porosi patëm edhe për vitin 1968, por në këtë kohë na u plotësuan të gjitha kërkesat. Në vijim, gjatë ndërrimit të proceseve, siç thashë më sipër, ne, në vitet 1970-1974 i kemi pranuar këto si pamundësi të palës kineze, e cila na dukej se bënte përpjekje të mëdha për zgjidhjen e problemeve tona ekonomike. Sidomos në vitin 1970, kur u kthye nga Pekini delegacioni ynë, Abdyl Këllezi na i tregoi si shumë pozitive dhe optimiste përpjekjet e mëdha të palës kineze, duke sjellë edhe një numër të madh kampionesh, detaje gjithë farësh të eksperimentimit të metalurgjisë së zezë, bazë mineralit hekur-nikel shqiptar. Mbas 3-4 vitesh, unë tani e kuptoj se edhe në këtë drejtim dhe disa drejtime të tjera për të cilat fola më sipër, me qëllime të zvarritjes së realizimit të marrëveshjes së vitit 1968, konkretisht të industrisë së rëndë në forma të ndryshme, unë ndjej përgjegjësinë time që për probleme të tilla nuk kam reflektuar në kohë ashtu siç duhej.
Herë pas here, kur paraqitej ndonjë problem për veprat e mëdha dhe që kërkonte zgjidhje nëpërmjet këshilltarit ekonomik kinez, ose edhe ambasadorit të RP të Kinës në Tiranë, unë, në prani të zëvendës ministrit përkatës (që kishte edhe veprat), kryesisht Hektor Çaçi, drejtor i investimeve në Ministri (Fejzo Bino) dhe ndonjë person tjetër nga Ministria e Tregëtisë, thërrisja për bisedim njërin apo të dy, në varësi të rëndësisë së problemit. Kështu, më kujtohet që nga gjysma e parë e vitit 1973, na vjen një kërkesë nga pala kineze në Pekin për t’i dërguar gati gjysmën e koncentratit të bakrit si prodhim vjetor për nevojat e provave eksperimentale, për pirometalurgjinë e Laçit. Duke u shpjeguar me ta, u bindën dhe në vijim çështja u tërhoq edhe nga pala kineze në Pekin. Gjatë takimeve bëhej edhe ndonjë bisedë rreth plotësimit të planeve nga ana jonë dhe nga ana e tyre, rreth përvetësimeve midis të cilave kishte edhe të tilla që kërkonin dhe kohë të gjatë. Mjaft herë, takimet bëheshin midis zëvendës ministrit përkatës dhe këshilltarit ekonomik. Vetëm në një rast, më ka treguar Hektor Çaçi, në fund të vitit 1973, për një problem që sëbashku me pjesëtarë të Ministrive të Tregëtisë e Komunikacionit, e bënë takimin në Durrës, para takimit, duke vizituar portin dhe pajisjet e ardhura, nga sa më kujtohet, për një pajisje të komplikuar dhe që ishte zgjidhur mirë, që pala kineze e kishte siguruar në bashkëpunim me disa shtete të tjera. Këshilltari ekonomik i bëri një vlerësim të veçantë zhvillimit të bashkëpunimeve me shtete të tjera, pavarësisht nga sistemi i tyre (duke bërë njëkohësisht aluzion për vajtjen e Niksonit të RP të Kinës) që ky bashkëpunim mund të bëhej edhe me shtete të mëdhenj duke lënë të nënkuptohet si një veprim normal çështja me SHBA. Hektor Çaçi shtoi se duke menduar ku ishte mendimi i këshilltarit ekonomik të Kinës, në mbledhjen që ata përfunduan për problemin që kishte vajtur në Durrës, ndenjën edhe një kohë me ta për ta sqaruar mirë për vijën e Partisë sonë lidhur me këtë çështje ideologjikë dhe, nga sa më tha ai, këshilltari kinez kishte rënë dakort nga sqarimet e bëra me pjesëtarët e palës sonë. Çështjen e la me kaq. Në përgjithësi, personeli kinez, në marrëdhëniet ekonomike, rrallë se futej në biseda të tilla. Më shumë bëhej fjalë për miqësinë midis dy vendeve tona, mirënjohjes tonë për ndihmat e mëdha internacionaliste që ne merrnim nga RP e Kinës e teza të tjera si këto.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos me firmën time.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 10 Nëntor 1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqitet për njohje akti datë 11.11.1975 prej 15 fletësh dhe që titullohet: “Disa veprime në kundërshtim me vendimet e udhëzimet e Partisë e të Qeverisë të Koço Theodhosit, që dalin nga dokumentat në arshivën e Ministrisë së Industrisë dhe Minierave.” Na tregoni i pandehur se ç’keni për të thënë lidhur me përmbajtjen e aktit. (I jepet akti për ta lexuar)
Përgjigje: Mbasi e lexova dhe e kuptova aktin që më paraqitet për njohje, lidhur me të kam për të thënë se në përgjithësi jam dakord me përmbajtjen e aktit me përjashtim të çështjes mbi gazin sulfuror, nuk jam plotësisht dakord me çështjet që shtrohen për industrinë mekanike. Çpimi deri në 3000 m nga Drejtoria e Përgjithshme e Naftës mua më kujtohet që ka qenë e drejtë e kësaj drejtorie. Mbas krijimit të saj, çështja e djegies së gazit ka qenë e planifikuar, mund të ketë edhe ndonjë çështje tjetër që me sa më kujtohet, nuk duhet të jetë ashtu si e përmban akti, por unë do të jap konkretisht shpjegime për të gjitha shkeljet që përmban akti.
Pyetje: Në faqen 2 të aktit dhe në faqen 3 të tij përshkruhen shkeljet e ndryshme ligjore me karakter decentralizues që ti ke bërë në nxjerrjen e rregullores “Mbi detyrat dhe të drejtat kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme.” Në vërtetim të këtij konkluzioni, të paraqiten për njohje rregullorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës që përmenda më lartë si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.2, datë 17.4.1967. (I jepen materialet për t’u njohur)
Na shpjegoni i pandehur se ç’keni për të thënë lidhur me këto veprime armiqësore vetadministruese që ke kryer.
Përgjigje: Pasi u njoha me të gjitha dokumentat që m’u paraqitën për njohje e që përmenden në pyetje, kam për të thënë se të gjitha shkeljet që përmenden në akte për rregulloren e naftës i pranoj, me përjashtim të nomeklaturës të çpimit të puseve deri në 3000 m, për të cilën më kujtohet se ka dalë para vitit 1971 një shtojcë e vendimit të Qeverisë i cili i jepte kompetencë më shumë për metrazhin e çpimeve Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës. Këto shkelje e veprime të kundërligjshme i kam kryer sepse këtë drejtori e konsideroja një “ministri të vogël” jashtë Ministrisë së Industrisë, prandaj me këtë rregullore i dhashë të gjitha kompetencat. Ky është një veprim decentralizues revizionist që unë kam kryer.
Pyetje: Në faqen 3-4, pika 2 e aktit, përmenden një sërë veprimesh të karakterit decentralizues revizionist, në kundërshtim të hapur me vendimin Nr.194, datë 25-26.11.1970 të Këshillit të Ministrave që ti i pandehur ke kryer në rregulloren: “Mbi detyrat dhe të drejtat kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit Metalurgjik”, e cila sëbashku me shkresën Nr.3476, datë 16.8.1974 të paraqiten për njohje (I jepen dokumentat për t’u njohur). Na tregoni se ç’keni për të thënë lidhur me këto veprime armiqësore decentralizuese që ke kryer.
Përgjigje: Pasi u njoha dhe me të dy materialet e tjera që mu paraqitën, kam për të thënë se të gjitha veprimet e kundraligjshme që përmban akti janë të vërteta. Unë ato i kam kryer në realizim të pikpamjeve të mia armiqësore për decentralizimin e aparateve shtetërore. Këtë rregullore e ka pregatitur Mirush Putua me drejtuesit e Kombinatit Metalurgjik dhe siç shihet, edhe ata për këtë çështje të njejtat mendime kanë pasur dhe unë ua kam aprovuar.
Pyetje: Në faqen 4-5, pika 3 e aktit, pasqyrohen dhënia nga ana jote e kompetencave të kundraligjshme me rregulloren “Mbi të drejtat e personelit të Drejtorisë Qendrore të Kromit e Bakrit”, e cila të paraqitet për njohje. Ç’keni për të thënë i pandehur për këto veprime të kundraligjshme që ke kryer?
Përgjigje: Pasi u njoha edhe me këtë rregullore si edhe me shkresën Nr.3250, datë 28.8.1973 që mu paraqitën në hetuesi, sqaroj se të gjitha çështjet e kundraligjshme që përmban akti janë plotësisht të vërteta dhe i pranoj. Edhe këto veprime të miat kanë synuar në decentralizimin e Ministrisë së Industrisë e Minierave, duke shkelur normat e Partisë e të Qeverisë.
Pyetje: Në faqen 5, pika 4 e aktit përmenden një seri kompetencash të kundraligjshme, që ti i pandehur i ke dhënë Drejtorisë Qendrore të furnizimit material-teknik, e cila të paraqitet për njohje. Na tregoni se ç’keni për të thënë lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Pasi u njoha edhe me rregulloren që mu paraqit për njohje, sqaroj se të gjitha këto kompetenca të kundraligjshme janë aprovuar nga unë dhe i pranoj plotësisht, nuk kam asnjë kundërshtim për to. Edhe këto veprime të miat në këtë rregullore, janë rezultta i pikpamjeve të mia armiqësore decentralizuese për të cilat kam dhënë shpjegime në proceset e mëparshme hetimore.
Pyetje: Në faqet 5-6 e 7 të këtij akti, pika 1,2,3 e 4 dhe nga dokumentat: diskutimi që ke mbajtur ti i pandehur në mbledhjen e kolegjumit datë 29.5.1969 nga shkresa Nr.3267 datë 31.7.1974 sëbashku me materialin që titullohet “Konkluzione të kontrollit të ushtruar mbi funksionimin dhe zbatimin e kompetencave në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës” prej 9 fletësh, nga shkresa Nr.4688, datë 29.9.1972 prej 2 fletësh dhe nga materiali i inspektimit të shtetit për veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të centraleve elektrike, që po t’i paraqesim për njohje, vërtetohen plotësisht veprimet e tua sabotuese e konspirative në drejtim të centralizimit të Ministrisë së Industrisë e Minierave, në drejtim të zbulimit të gjendjes reale në sektorët e naftës, për përkrahjen që i ke dhënë armikut Lipe Nashi dhe për mbulimin e gjendjes reale që ekzistonte në Drejtorinë e Përgjithshme të centraleve elektrike. (I jepen dokumentat e përmendura për t’u njohur)
Na jepni shpjegime i pandehur se ç’keni për të thënë lidhur me këto veprimtari armiqësore që keni kryer.
Përgjigje: Pasi u njoha me të gjitha dokumentat që m’u paraqitën për njohje e që përmenden në pyetje, lidhur me to kam për të thënë se të gjtha këto veprime të miat janë realizime konkrete të pikpamjeve të mia anti parti e anti socialiste për të decentralizuar aparatin e Ministrisë së Industrisë e Minierave, për të mbuluar gjendjen e vërtetë që ishte në naftë, vërtetohen përkrahjet e mia të padrejta që i kam bërë Lipe Nashit. Po kështu është e vërtetë që unë, Partisë e Qeverisë nuk i kam raportuar drejtë gjendjen e Drejtorisë së Përgjithshme të centraleve elektrike dhe nuk janë bërë kontrolle nga Ministria, me përjashtim të një rasti që përmend edhe akti e që duhet të jetë bërë aty nga vitet 1972 ose 1973, ku u bë bile edhe një analizë. Përfundimisht, pranoj të gjitha veprimet sabotuese që unë kam kryer e që i kam shkaktuar pasoja të rënda shtetit. Gjithashtu kam për të thënë se tendencën për t’i fshehur të vërtetën Partisë e Qeverisë mbi gjendjen e naftës e ka patur edhe Rami Shehu, që e kisha zëvendës Ministër, sepse dhe në rastin konkret ai ma ka paraqitur mua këtë raport që unë e dija se nuk qe real dhe që ja dërguam Qeverisë për problemet e naftës. Disinformacionin që unë kam kryer në drejtim të naftës në udhëheqjen e Partisë e të Shtetit, nga viti 1973 ma përforcoi edhe një kontroll që bëri në ato kohë Inspektimi i Shtetit, që edhe ai gjendjen e naftës e paraqiti gjoja si të mirë, kur në fakt atje prej kohësh ne po sabotonim vendimin e Byrosë Politike të vitit 1967 dhe normat e Qeverisë për çështjet e kërkimit e të shfrytëzimit të vendburimeve të naftës.
Pyetje: Në kapitullin e tretë të aktit, faqe 9 e 10 të tij pasqyrohen sabotimet që ti i pandehur ke kryer në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.56, datë 5.10.1966 në drejtim të organizimit, kooperimit dhe specializimit të industrisë mekanike të gjithë vendit. Na jepni shpjegime se ç’keni për të thënë lidhur me këto sabotime.
Përgjigje: Për çështjen, që në fillim dua të them se nuk kam qenë dakort me këtë vendim të Këshillit të Ministrave, pasi mendoja se për të realizuar këtë detyrë, sidomos kooperimin, nuk mjaftonte aparati i Ministrisë së Industrisë që ne kishim, por duhej një aparat tjetër, shtesë e veçantë për këto probleme. Në fakt, në këtë drejtim ka mosrealizime të detyrave që më ngarkonte vendimi i Këshillit të Ministrave dhe personalisht kryetari i Këshillit të Ministrave, veçanërisht në drejtim të kooperimit, por në drejtim të profilizimit dhe të specializmit të industrisë mekanike, unë kam bërë përpjekje dhe me sa më kujtohet, ato janë realizuar në një masë të mirë. Në rastin konkret vërtetohet edhe një kundërvënie tjetër nga ana ime e një norme të Qeverisë, të cilën unë asnjëherë nuk ia thashë këtë rezervë timen, si në kohën e diskutimit të tij, apo edhe më vonë organit që e kishte nxjerrë. Ndonjë gjë tjetër nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
SHUME MIRE KA THONE !