PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 04.12.1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrine e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqitet për njohje materiali që titullohet: “Mbi shkeljen dhe sabotimin e direktivave të Partisë si dhe të dispozitave ligjore mbi pagat në industri-miniera nga armiku Koço Theodhosi” me 10 fletë, në të cilën pasqyrohen një seri veprimesh antiligjore, që ti i pandehur ke kryer në drejtim të pagave (I jepet materiali për t’u njohur). Na jepni shpjegime se ç’keni për të thënë lidhur me aktin.
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova të gjitha çështjet që përmban ky material, lidhur me të dua të them se unë i pranoj të gjitha këto veprime antiligjore në drejtim të pagave që kam kryer. Këto gjëra i kam bërë si rezultat i pikwpamjeve dhe qëndrimeve armiqësore që unë kisha dhe në drejtim të zbatimit të ligjeve të shtetit, ku sipas meje, çështje të ndryshme, siç është në rastin konkret ajo e pagave, mund të mos zgjidheshin e të rregulloheshin siç i caktonin direktivat e Partisë e ligjet e shtetit, por sipas pikwpamjeve të mia armiqësore, në rrugë liberale e armiqësore, në kundërshtim me këto direktiva e ligje.
Në kryerjen e këtyre veprimeve në kundërshtim me direktivat e Partisë dhe ligjet e shtetit, unë them se deri në njëfarë mase, të përbashkët me mua kanë qenë edhe Zenel Hamiti e Shahin Ruka, sepse shumë nga këto dokumente të kundraligjshme i përpilonin vetë ata dhe unë i aprovoja. Nuk më kujtohet që të kem bërë ndonjë bisedë konkrete ose ndonjë diskutim me këta persona ku t’i flisnim hapur njwri-tjetrit që ta kryenim këtë apo atë veprim për çështjen e pagave, megjithëse ishte në kundërshtim me direktivat e Partisë apo ligjet e shtetit, por unë vetë e dija një gjë të tillë dhe ato duhej ta dinin këtë sepse merreshin me atë punë, bile do të ndodhte që të më ndalonin ose kundërshtonin edhe mua në kryerjen e këtyre veprimeve antiligjore.
Pyetje: Në faqen e parë e të dytë të këtij materiali, pika a, me nënpikat 1, 2 e 3 ku flitet për veprimet e kundraligjshme mbi organizimin dhe shpërblimin e punës me plan detyre, si dhe nga shkresat Nr.17/147, datë 23.05.1967; Nr.17/92, datë 25.03.1967 dhe Nr.17/114, datë 24.04.1967, që të paraqiten për njohje, dërguar respektivisht minierës së hekur-nikelit Çervenakë, Pishkash, minierës së bakrit në Kukës, Rubik e Kurbnesh, janë dhënë udhëzime në kundërshtim me kriteret e organizimit e të shpërblimit të punës me plan detyrë (I jepen dokumentet për njohje). Ç’keni për të thënë lidhur me këto veprime të kundraligjshme që keni kryer?
Përgjigje: Pasi u njoha me dokumentat që përmenden në pyetje, lidhur me to kam për të thënë se këto veprime të miat, janë realizimi i pikpamjeve të mia armiqësore e liberale në kundërshtim me ligjet e shtetit edhe në drejtim të organizimit e të shpërblimit të punës me plan detyrë. Siç shihet edhe nga dokumentat që më paraqiten për njohje, në kryerjen e këtyre veprimeve antiligjore, unë jam i përbashkët me Zenel Hamitin e Sahin Rukën, por ndonjë bisedë konkrete me njeri-tjetrin që të unifikonim qëndrimin e përbashkët antiligjor, nuk më kujtohet të kemi bërë, se këto veprime i kemi kryer që para 10 vjetësh.
Pyetje: Në pikën b të këtij materiali që përfshin faqet 2 (dy) deri në 6 (gjashtë), si dhe nga 12 (dymbëdhjetë) copë dokumenta të ndryshme që po t’i paraqesim për njohje, pasqyrohen një seri veprimesh të kundraligjshme që ti i pandehur ke kryer gjatë vitit 1967 në sektorë të ndryshëm që vareshin nga Ministria e Industrisë e Minierave lidhur me shtesat e shpërblimet mbi pagat dhe mbi dhënien e shpërblimit për vjetërsi pune (I jepen dokumentat që përmenden në akt për njohje). Ç’keni për të thënë i pandehur për këto veprime të kundraligjshme që keni kryer?
Përgjigje: Pasi u njoha me të gjitha dokumentet që përmenden në akt, edhe për këto veprime të kundraligjshme që kam kryer sëbashku me Zenel Hamitin e Shahin Rukën, vërtetohet tendenca jonë për t’i zgjidhur çështjet e Ministrisë së Industrisë në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe vendimet e Qeverisë. Në rastet konkrete, ne kemi vepruar në kundërshtim të hapur me vendimin Nr.91, datë 24.06.1967 të Këshillit të Ministrave.
Pyetje: Në pikën c të materialit që përmbledh faqen 6,7 dhe 8 të tij, si dhe nga shkresa Nr.14, datë 06.01.1970, me udhëzime të ndryshme që përmbajnë 29 (njëzetë e nëntë) fletë si dhe nga materiali, “Konkluzionet e Ministrisë për zbatimin e vendimit të Byrosë Politike mbi punën me norma kolektive”, datë 20.09.1969 prej 9 (nëntë) fletësh, vërtetohet se ti i pandehur, në kundërshtim me direktivat e Partisë dhe vendimet e Qeverisë, ke vepruar kundër normimit të punës duke urdhëruar që të mos sundojë kudo norma teknike, nuk janë marrë masat për të zëvendësuar normat e vjetra të punës me normat progresive, ke rekomanduar që në sektorë të ndryshëm të punohet me kohë, pa norma, ke lejuar shtrembërime në zbatimin e normave kolektive e veprime të tjera antiligjorë që pasqyrohen në akt (I jepen dokumentat për njohje). Ç’keni për të thënë lidhur me këto sabotime që keni kryer në drejtim të normimit të punës?
Përgjigje: Pasi u njoha me të gjitha dokumentat që mu paraqitën në hetuesi, për çështjen kam për të thënë se të gjitha shkeljet e mia që përmban akti e që vërtetohen nga materialet, unë i pranoj plotësisht. Këto veprime të miat në kundërshtim me porositë e vazhdueshme të Partisë dhe me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.169, datë 14.12.1972, në drejtim të normimit të punës, i kam kryer si rezultat i qëndrimeve të mia liberale që kam patur për të zbatuar me rigorizitet të gjitha vendimet e Partisë e të Qeverisë, por mendoja se këto veprime ishin dhe të parealizueshme në të gjitha kërkesat e tyre, sepse aparati i Ministrisë së Industrisë e Minierave, sipas meje, nuk i zbatonte dot këto detyra që viheshin për normimin e punës. Kështu, unë, duke qenë në këto vendime armiqësore, kam kryer, ose kam lejuar të kryhen të gjitha ato veprime të kundraligjshme edhe në drejtim të normimit të punës, tjetër gjë për këtë çështje nuk kam.
Pyetje: Në pikën c të aktit, faqe 8 dhe nga shkresa Nr.17/188, datë 24.07.1967, që të paraqitet për njohje, duket tendenca armiqësore që ti i pandehur ke patur edhe në fushën e decentralizimit të kompetencave për pagat (I jepet shkresa për njohje). Ç’ke për të thënë lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Pasi u njoha me shkresën Nr.17/188 të firmosur nga Zenel Hamiti, sqaroj se mua tani nuk më kujtohet që këtë çështje ta kem biseduar me Zenelin dhe të kemi patur të njejtin mendim për të zgjeruar decentralizimin në fushën e pagave, e pastaj bashkëkrisht t’i kemi bërë vërejtjen projekt udhëzimit të Këshillit të Ministrave siç e përmban shkresa.
Pyetje: Në faqen 8, 9 dhe 10 të materialit si dhe nga shkresa Nr.1/178, datë 26.08.1968, pasqyrohen sabotimet e rënda që ti i pandehur ke kryer në sektorë të ndryshëm të Ministrisë së Industrisë e Minierave në fushën e fryrjes së aparateve dhe shtimit të organikave (I jepen dokumentat për njohje). Ç’ke për të thënë lidhur me këto sabotime të tjera që ke kryer?
Përgjigje: Pasi u njoha edhe me dokumentat e tjera të kësaj çështje, dua të them se të gjitha veprimet sabotuese që përmban akti janë të vërteta dhe unë i pranoj. Për këto sabotime që unë kam kryer në fushën e fryrjes së aparateve dhe shtimit të organikave, unë kam folur me hollësi në proceset e mëparshme hetimore. Këto raste që përmban akti, janë një pjesë e veprimeve të mia armiqësore që unë kam kryer për riorganizimin e ekonomisë në rrethin e Shkodrës, në drejtim të instituteve kërkimore shkencore në vartësi të Ministrisë së Industrisë e Minierave, janë veprimet e mia për decentralizimin e kësaj ministrie duke nxjerrë jashtë saj drejtoritë qendrore, janë veprimet e mia armiqësore teknokratike për të fryrë aparatet e veprime të tjera që unë i kam kryer pasi kisha pikpamje të kundërta me Partinë e Qeverinë për të gjitha këto çështje, ashtu siç i përmban akti dhe që unë i kam shpjeguar me hollësi në proceset e mëparshme hetimore.
Në kryerjen e këtyre veprimeve, siç kam thënë edhe më parë, unë jam i përbashkët me Abdyl Këllezin, sepse çështjen e nxjerrjes së drejtorive qendrore jashtë ministrisë, të ndarjes e shtimit të institutive kërkimore dhe çështjen e fryrjes së byrove teknologjike pranë ndërmarrjeve i kam kryer në marrëveshje të plotë me Abdylin. Këtë e them pasi, para se të kryeja secilin nga këto veprime, unë i diskutoja me Abdylin dhe pasi binim dakort të dy, urdhëroja që të bëheshin.
Tjetër gjë për këtë çështje nuk më kujtohet.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 17.12.1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Po të paraqesim për njohje një material që titullohet: “Disa nga veprimet e kundraligjshme armiqësore e sabotuese të armikut Abdyl Këllezi” prej 18 fletësh, shkresën Nr.901, datë 25.05.1976, dërguar organeve të hetimit nga Ministria e Financave, shkresën Nr.659, datë 05.07.1972 së bashku me protokollin Nr.3210, datë 05.07.1972, ku ndërmjet të tjerave vërtetohen veprimet e përbashkëta armiqësore e sabotuese që ti i pandehur ke kryer me Abdyl Këllezin në drejtim të prekjes së mallrave të rezervës shtetërore operative pa kusht kthimi ose me kusht kthimi, në fushën e investimeve të ndërtimeve nëpërmjet protokolleve, keni kryer shkelje të kompetencave dhe shpërdorime të vleftave të plota të disa veprave të mëdha, si në hidrocentralin e Fierzës ku janë ndërtuar vepra të tjera në një shumë prej 31 milion lekë, nga vlefta e plotë e Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, janë ndërtuar rreth 10 milion vepra të tjera, shpërdoruar fondet e uzinës së Ballshit etj. Gjithashtu janë shkelur ligjet e shtetit dhe vendimet e Qeverisë për harxhimin e 150 mijë rubla, me të cilat është bërë zgjerimi i zdruktarisë në Pogradec etj. (I jepen dokumentat për t’u njohur). Na jepni shpjegime i pandehur për sabotimet që ke kryer në drejtimet e mësipërme.
Përgjigje: Pasi u njoha me të gjitha dokumentat që më paraqiten për njohje, sqaroj se unë i pranoj të gjitha këto veprime armiqësore që kam kryer e që përmbajnë dokumentat. Edhe këto veprime sabotuese unë i kam kryer në marrëveshje me Abdyl Këllezin, sidomos çështjen e prekjes së fondeve të veprave të plota në të gjitha ato objekte dhe ato shuma që përmban akti. Unë i kam kërkuar Abdylit që të më jepte materiale nga të rezervës kur nuk më vinin në kohë mallra nga importi, por mua nuk më kujtohet që t’i kem kërkuar pa të drejtë kthimi 1200 ton tuba nafte, ndërsa me të drejtë kthimi i kam kërkuar disa herë dhe ai m’i ka dhënë.
Është e vërtetë se në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe vendimet e Qeverisë, për plotësimin e zgjerimit të zdruktarisë së Pogradecit, unë kam kërkuar nga Abdyl Këllezi që të më lejonte të përdorja fondet e planifikuara në valutë të huaj që nuk realizoheshin, t’i përdorja për plotësimin e kësaj zdruktarie. Abdyli më ka lejuar për një gjë të tillë dhe unë kam harxhuar nga valuta e huaj e planifikuar për objekte të tjera, rreth 150 mijë rubla për zgjerimin e kësaj zdruktarie. Në fakt kjo nuk ishte kompetencë e Abdyl Këllezit, por e kryesisë së Këshillit të Ministrave. Unë u mjaftova duke marrë vetëm nga Abdyl Këllezi, megjithëse e dija që ky nuk e kishte një kompetencë të tillë. Kështu është vepruar edhe për çështjen që përmendet në faqen 12 të këtij materiali, lidhur me harxhimin e 150 mijë rublave të tjera për zhvillimin e bazave mekanike të industrisë ushqimore, kur ne kishim makineri të tilla e nuk i shfrytëzonim të gjitha.
Unë këto çështje i kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme hetimore. Të gjitha këto veprime antiligjore e armiqësore unë i kam kryer në realizim të pikpamjeve armiqësore që kisha dhe siç thashë, në këto veprime kam qenë i përbashkët me Abdyl Këllezin.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 5 Janar 1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koçoi Theodhosi.
Pyetje: Po të paraqesim për njohje pjesë të nxjerra nga akti i ekspertimit, datë 15 Janar 1976, në gjithsej 175 fletë, në të cilat pasqyrohen sabotimet e rënda që ti i pandehur sëbashku me armiqtë Abdyl Këllezi, Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku etj., keni kryer në industrinë e naftës e të gazit (I jepen pjesët e aktit për t’u njohur). Na jepni shojegime se ç’keni për të thënë lidhur me këto veprimtari armiqësore sabotuese që përmban akti.
Përgjigje: Pasi i lexova pjesët e aktit të ekspertimit në faqe dhe i kuptova të gjitha çështjet në drejtim të sabotimeve që unë sëbashku me Abdyl Këllezin, Filip Nashin, Beqir Alinë e persona të tjerë që përmban akti, kemi kryer në industrinë e naftës e të gazit kam për të thënë se: Unë i pranoj të gjitha sabotimet e rënda që kam kryer në industrinë e naftës e të gazit sëbashku me Abdyl Këllezin, Filip Nashin, Beqir Alinë e persona të tjera që përmab akti. Këto sabotime të mëdha, sidomos në drejtim të kërkimeve të naftës dhe në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese, janë pasojat e realizimt praktik të pikpamjeve të mia armiqësore, në kundërshtim të hapur me vijën e Partisë e të Qeverisë në drejtim të industrisë së naftës e të gazit në vendin tonë. Unë këto pikpamje të miat i kam realizuar në dy mënyra: E para, duke urdhëruar vetë ose sëbashku me Abdyl Këllezin që të kryheshin këto sabotime në naftë dhe së dyti, duke lejuar armikun Lipe Nashi sëbashku me grupin e tij që të vepronin për të goditur naftën dhe unë, megjithëse vihesha në dijeni e merrja vesh për këto veprime armiqësore që ata kryenin, nuk merrja asnjë masë në drejtim të tyre, duke i lejuar që të vazhdonin si më parë.
Se cilat kanë qenë pikpamjet e mia në kundërshtim me vijën e Partisë për industrinë e naftës e të gazit, unë jam munduar t’i shpjegoj në proceset e mëparshem hetimore, bile kam shpjeguar se si këto pikpamje, që nga viti 1967 që ka dalë edhe vendimi i Byrosë Politike për naftën, unë i kam unifikuar me Zenel Hamitin, Ramiz Xhabinë, Beqir Alinë e Lipe Nashin. Në bisedat që kam bërë dhe që unë konkretisht, me sa më janë kujtuar e kam shpjeguar më parë, që atëhere kemi qenë kundër vendimit të Byrosë Politike dhe si rezultat i kësaj, bashkarisht kemi vepruar kundër këtij vendimi e sipas pikpamjeve tona në industrinë e naftës e të gazit, qoftë në sektorin e kërkimeve dhe në atë të shfrytëzimit.
Siç thashë edhe më lart, në këto sabotime që janë kryer në naftë, unë jam i përbashkët me Abdyl Këllezin, sidomos që nga bërja e projekt planit për 5 vjeçarin e pestë e në vazhdim. Kur Abdyl Këllezi erdhi kryetar i Komisionit të Planit, ai më gjeti mua duke kryer sabotime në naftë, pasi si në drejtim të kërkimeve dhe në atë të shfrytëzimit, veprohej kundër vendimit të Byrosë Politike dhe vendimit të Qeverisë. Abdyl Këllezi mori si këshilltar për naftën Ramiz Xhabinë që kishte të njejtat pikpamje armiqësore në drejtim të naftës si të miat, të Lipe Nashit e të Beqir Alisë. Unë më parë nuk i dija pikpamjet armiqësore të Abdyl Këllezit për naftën, por kur u bë projekt plani i 5 vjeçarit të pestë, nga bisedat e bëra me të, mora vesh se edhe ai ishte kundër vijës së Partisë në drejtim të naftës. Konkretisht më kujtohet kjo bisedë: Nga mesi i vitit 1971, para se projekt plani t’i paraqitej plenumit të KQ të Partisë për ta aprovuar përfundimisht, një ditë ose dy ditë para mbledhjes së plenumit, jam takuar më Abdyl Këllezin, me sa më kujtohet, në KQ të Partisë pasi kisha shkuar që të përgatitesha për diskutim në plenum dhe duke qenë vetëm të dy, Abdyli më thotë se projektin për naftën do ta paraqitnim në plenum të rritur nga 2.5 milion ton në 2.7 milion ton për vitin 1975 ose për të gjithë 5 vjeçarin me një rritje prej 500 mijë ton. “Këtë,- tha Abdyli, e kam parë edhe me shokë të tjerë e ngelëm dakort.” Unë i thashë se edhe projektin prej 2.5 milion ton ne e kishim parashikuar duke vazhduar shfrytëzimin me mbingarkesë të vendburimeve ekzistuese, Gorrishtin e Ballshin, kështu që po ta ngrinim këtë plan në 2.7 milion ton, atëhere do t’i mbingarkonim më shumë këto vendburime dhe po ta bënim këtë do të shkelnim më shumë rregullat e vendosura në vendimet e Partisë e të Qeverisë për shfryëzimin e vendburimeve ekzistuese sepse në atë kohë nuk njihnim vendburime të reja. Abdyli më tha se këtë rritje do ta bënim që të mbyllnim bilancin e tregëtisë së jashtme, bile Ramiz Xhabia më thoshte se mund ta rrisnim më shumë planin. Unë i thashë se kështu do të shkelnim të gjitha rregullat që ishin. Abdyli më tha se nëse nuk isha dakort, të ngrihesha në plenum e të thoja mendimin tim. Pastaj ka ikur. Nga kjo bisedë kuptova që edhe Abdyli ishte kundra normave të Partisë e të Qeverisë për industrinë e naftës dhe këtë qëndrim ma ka bërë më të qartë nga bisedat apo veprimet e përbashkëta që kemi bërë më vonë në drejtim të naftës. Unë në plenum nuk u ngrita që ta thoja mendimin tim, pasi e aprovova këtë rritje që i kishte bërë palnit Abdyl Këllezi dhe mendoja që këtë sasi nafte do ta merrnim duke i mbingarkuar më shumë vendburimet, si në fakt vepruam.