U futa në parti me të vetmin pikësynim që të çlirohej vendi nga pushtuesit e huaj, ndërsa për çështje të tjera të programit të Partisë kisha një qëndrim indiferent. Në detyrat që më ngarkoheshin që atëherë, unë bëja çmos që t’i kryeja sepse isha i bindur se të gjitha këto në radhë të parë ndihmonin çështjen e çlirimit të vendit dhe më vonë rindërtimin e tij
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 30.4.1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Na trego i pandehur nëse keni patur detyra nga KQ i Partisë dhe Qeveria për shtrirjen e kërkimit të vendburimeve naftë-gaz mbajtëse edhe në dete dhe nëqoftëse po, si konkretisht i ke zbatuar ato?
Përgjigje: Nga sa më kujtohet, nga vitet e fundit të 5 vjeçarit të katërt, Ministrisë së Industrisë e Minierave iu vu detyrë nga KQ i Partisë dhe Qeveria që t’i shtrinte kërkimet për naftë e gaz edhe në dete. Unë, që në ato kohë, për realizimin e kësaj detyre, kisha një mbresë pasigurie, pasi në ato kohë sipas meje nuk ishin mundësitë teknike dhe shkencore për kryerjen e saj. Me gjithë këtë, unë nuk i thashë as KQ të Partisë dhe as Qeverisë për këtë mosbesim që kisha, por urdhërova Institutin e Studimeve Gjeologo-Gjeofizike që të fillonin nga puna për të bërë studimet gjeofizike dhe vendin se ku duhej ngritur struktura. Instituti kishte vendosur që studimet dhe goditja të kryheshin në Bishtin e Pallës. Unë aprovova këtë propozim të tyre dhe në fakt Beqir Alia me disa specialist të tjerë kryen një studim i cili mbështetej vetëm në disa të dhëna gjeologjike sipërfaqësore (dalje flluskash gazi në det) dhe me të dhënat e disa çpimeve strukturale në bregdet. Që këtu fillon sabotimi për zbatimin e kësaj detyre të vënë nga Partia e Qeveria, sepse këto studime ishin në kundërshtim me vendimin e Byrosë Politike, sepse mungonte studimi gjeofizik me aparatura sizmike.
Më vonë, meqënëse ne nuk po merrnim asnjë masë për fillimin e çpimit në dete, duhet të ketë qenë aty nga viti 1970, jemi thirrur nga Zv.Kryetari i Këshillit të Ministrave Spiro Koleka, për të raportuar e marrë masa unë, Abdyl Këllezi, Ramiz Xhabia e përfaqësues nga Ministria e Ndërtimit dhe ajo e tregtisë. Aty u vendos që pusi të çpohej duke montuar një sondë për çpim të thellë deri në 3000 m, e cila do të vendosej mbi disa konstruksione metalike, në brendësi të detit rreth 800 m dhe thellësi rreth 20 m. Konstruksionet metalike do t’i projektonte Ministria e Ndërtimit, materialet dhe paisjet do t’i importonte Ministria e Tregtisë mbi bazën e një fondi që do t’i jepte Komisioni i Planit të Shtetit. Për këto çështje, mbaj mend se doli edhe një vendim i Kryesisë së Këshillit të Ministrave.
Në vijim, meqënëse materialet e kërkuara nga importi nuk kishin ardhur të gjitha, nga çpuesit e pusit u kërkua një mjet detar, por edhe ky mjet nuk u dha as nga Ministria e Komunikacionit dhe as nga Komisioni i Planit, megjithëse kërkesën ia kishim paraqitur në kohën e planifikimit vjetor.
Në realizimin e kësaj detyre, specialistët tanë nuk kishin eksperiencë pasi edhe në Kinë, çpimet në dete bëheshin në vende ku thellësia e ujit arrinte në 7 m, kurse tek ne ajo ishte rreth 20 m. Gjithashtu, për të përcaktuar drejt strukturën duheshin bërë studime sizmike me aparatura speciale të cilat kinezët na thanë se nuk i kishin, ndërsa në vende të tjera kishte, por kushtonin shumë shtrenjtë dhe përdoreshin vetëm për studimet në det.
Së fundi, Drejtoria e naftës, Instituti dhe çpuesit më propozuan që të fillonim nga puna për bërjen e një pusi të inklinuar, i cili të fillonte që nga buzë detit dhe do t’i afrohej strukturës së supozuar rreth 500 m. Unë e aprovova kryerjen e kësaj pune, por edhe ajo nuk filloi fare nën pretekstin se na mungonte eksperienca për të kryer një punë të tillë dhe mbeti për të marrë eksperiencë nga ndonjë shtet tjetër për të çpuar një pus me devijim të tillë të drejtuar. Kështu mbeti deri në fund kjo detyrë e vënë nga Partia e Qeveria e pa realizuar.
Në sabotimin e një vepre të tillë, përveç Beqir Alisë dhe Lipe Nashit me specialistët e tyre, kam edhe unë fajet e mia të rënda të cilat qëndrojnë në faktin se unë i kam lejuar ata që për këtë vepër të mos bënin studime të plota siç e kërkojnë normat e Partisë e të Qeverisë dhe që kanë ndryshuar disa herë variantet e realizimit të kësaj vepre në pretekstet e mungesës së eksperiencës apo të teknikës. Gjithashtu, për vitet 1973-1974, unë kam përgjegjësi të rëndë që nuk informova KQ të Partisë dhe Qeverinë për gjendjen e kësaj vepre, por lejova Beqir Alinë e Lipe Nashin të kryenin sabotimin e saj. Këto faje i kam kryer sepse edhe unë isha në veprimtari të përbashkët armiqësore me ta, kisha edhe unë pikëpamjet e mia anti-parti socialiste për sektorin e industrisë së naftës, të cilat i kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore.
Pyetje: Të paraqesim për njohje një shkresë më dt. 9.3.1970, Nr. 2002 së bashku me një parashtresë në dy fletë dhe një listë materialesh e aparaturash në dy fletë, që ti i pandehur ia ke dërguar Këshillit të Ministrave nëpërmjet së cilave kërkon që të të jepen 20 milion rubla për të kryer kërkimet e gazit në det. Na trego i pandehur se çfarë ke për të thënë lidhur me këto dokumenta që të paraqiten. (I jepen dokumentat për të lexuar)
Përgjigje: Pasi i lexova dokumentat që m’u dhanë për t’u njohur, lidhur me to sqaroj se këto dokumenta i kam bërë unë dhe ja kam paraqitur Këshillit të Ministrave se për realizimin e kërkimit të gazit në det duheshin gjithë këto aparaturat që përmbajnë listat dhe që për to duheshin 20 milion rubla. Unë këto kërkesa ia kam bërë që për plotësimin e tyre të kërkohej një kredi nga Republika Popullore e Kinës për 20 milion rubla. Me sa më kujtohet, nga RP e Kinës u dha fare pak nga kjo kredi që ne kërkuam.
Pyetje: Të paraqesim për njohje urdhrin e Këshillit të Ministrave Nr. 472, dt. 2.4.1970 që titullohet “Mbi hapjen e një pusi për kërkim gazi në det afër Bisht Pallës”, ku në pikën 2, gërmat a, b dhe c, dhe në pikën 5 të tij ngarkohet direkt me detyra konkrete Ministria e Industrisë dhe Minierave. Na jep shpjegime nëse i ke zbatuar këto detyra që të ngarkon ky urdhër i Këshillit të Ministrave. (I jepet urdhri për ta lexuar)
Përgjigje: Mbasi u njoha me urdhrin e Këshillit të Ministrave, sqaroj se për këto detyra që më ngarkon, kam qenë plotësisht në dijeni, por asnjërën prej tyre nuk e kam zbatuar. Ky moszbatim nuk është vetëm i imi, por edhe i Lipe Nashit dhe Beqir Alisë dhe të gjithë ne nuk e kemi zbatuar këtë veprim si rezultat i punës armiqësore të përbashkët që kryenim në sektorin e naftës, ky ka qenë rrjedhim i pikëpamjeve anti-parti e armiqësore që unë kisha për këtë çështje. Përveç të tjerash, kjo tregon edhe shkallën e normave të Qeverisë që janë kryer nga ana ime, mospërfilljen e tyre.
Pyetje: Të paraqitet për njohje vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 108, dt. 8.7.1970, me të cilin i janë dhënë Ministrisë së Industrisë e Minierave 50 mijë dollarë nga fondi në valutë të lirë për sigurimin e disa materialeve, paisjeve e makinerive të domosdoshme për çpimin e pusit të gazit në det në afërsi të Bisht Pallës në Durrës (I jepet vendimi për ta lexuar). Na jep shpjegime i pandehur nëse janë përdorur këto fonde për qëllimin e caktuar dhe nëqoftëse jo, përse?
Përgjigje: Mbasi e lexova vendimin e Këshillit të Ministrave, lidhur me të sqaroj se, me sa më kujtohet, këto fonde nuk janë përdorur për qëllimin e dhënë, unë nuk mbaj mend të jetë përdorur kjo valutë për të blerë makineri e paisje për pusin e Bisht Pallës. Se përse është përdorur kjo valutë dhe përse me të nuk janë blerë makineritë për të cilat është dhënë ky fond, mua nuk më kujtohet. Edhe në këtë rast, ne kemi kryer një shkelje të një vendimi tjetër të Këshillit të Ministrave.
Pyetje: Të paraqesim për njohje dy shkresa që i ka dërguar Lipe Nashi të pandehurit Abdyl Këllezi, njëra me Nr. 578, dt. 21.2.1972 sëbashku me një informacion në një faqe dhe tjetra me Nr. 178/1, dt. 9.3.1972, ku në të parën flitet për shkuarjen e naftëtarëve shqiptarë në RP të Kinës me qëllim për të filluar çpimet në det dhe e dyta është për fillimin e çpimeve sizmike detare (I jepen dokumentat për t’i lexuar). Na tregoni i pandehur nëse ke patur dijeni për këto veprime zvarritëse e armiqësore që kanë kryer armiqtë Abdyl Këllezi e Lipe Nashi në realizimin e kësaj detyre për të cilën kishin dalë edhe vendime të Këshillit të Ministrave dhe nëqoftëse po, çfarë qëndrimi ke mbajtur ti?
Përgjigje: Unë, pasi i lexova këto shkresa të Lipe Nashit, sqaroj se për të gjitha këto veprime kam qenë në dijeni. Edhe qëndrimi im për këtë problem, ka qenë i njëjtë me atë të Abdyl Këllezit e Lipe Nashit, zvarritës e në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Ministrave.
Pyetje: Të paraqitet për njohje shkresa Nr. 2191/1, dt. 20.5.1974 që ti i pandehur i ke dërguar Komisionit të Planit të Shtetit me anën e së cilës jo vetëm që vërtetohet fakti se deri në atë kohë nuk ishin filluar punimet në det, por kërkoni përsëri të zvarrisni kryerjen e kësaj detyre duke dërguar specialistë të tjerë në Republikën Popullore të Kinës (I jepet shkresa për ta lexuar). Na tregoni se ç’keni për të thënë rreth këtij dokumenti.
Përgjigje: Pasi e lexova shkresën, lidhur me të sqaroj se deri në atë kohë, kërkimet në det janë zvarritur. Meqënëse grupi i parë që u dërgua në Kinë në vitin 1972 nuk mësoi gjë për këtë problem, ne menduam të dërgonim një grup tjetër në vitin 1974 duke gjykuar që Kinezët gjatë atyre dy vjetëve do kishin arritur rezultate në këtë fushë dhe specialistët tanë do merrnin eksperiencë. Tjetër gjë nuk kam për të thënë.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Tiranë më 3 Maj 1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdo i pandehur të tregosh veprimtarinë armiqësore që ke zhvilluar kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor.
Përgjigje: Siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme hetimore, unë kam patur një seri pikëpamjesh anti-parti të cilat më kanë lindur në kohë e rrethana të ndryshme dhe në momente të caktuara të cilat i kam biseduar me persona të tjerë. Fillimi dhe evolimi i pikëpamjeve të mia anti-parti, me sa më kujtohet, është zhvilluar si më poshtë:
Nga viti 1936 deri nga muaji Nëntor i vitit 1941, unë kam qenë për studime në Belgjikë dhe në Francë për kimi. Në Lion të Francës ku qëndrova rreth 4 vjet, sëbashku me mua ishin edhe studentë të tjerë shqiptarë si Halim Budua, Enver Sazani, Gaqo Dishnica, Dhori Samsuri e të tjerë. Veç këtyre, atje kishim shumë kontakte me imigrantët shqiptarë Qamil Çela e vëllezërit Gogo e Kozma Nushi të cilët ne studentëve na mbanin afër dhe na bënin propagandë që dhe ne të luftonim për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj. Nën drejtimin e këtyre, atje u krijua dhe Federata e Shqiptarëve që banonin në Francë me qëllim që t’i bashkonte shqiptarët në luftë kundër fashizmit. Kjo kishte edhe gazetën “Sazani”. Anëtar i kësaj federate isha edhe unë. Kështu që nën ndikimin e atyre shokëve, edhe unë, që në atë kohë isha i predispozuar për të luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi. Studimet unë i mbarova nga viti 1940, por italianët nuk na jepnin vizë për t’u kthyer në Shqipëri, kështu që unë qëndrova në Francë deri nga Nëntori i vitit 1941 që u lejova për të ardhur në Shqipëri. Para se të nisesha në Shqipëri, përgjegjësi i federatës Shqiptare që kishim atje, Qamil Çela, më dha rekomandim që kur të kthehesha në atdhe, të kërkoja të futesha në Partinë Komuniste Shqiptare që ishte krijuar 10-15 ditë më parë se të kthehesha unë. Gjithashtu ai më porositi që për këtë punë të hyja në lidhje me Enver Sazanin që në atë kohë punonte mjek në Durrës dhe që ishte kthyer nga Franca rreth një vit e gjysëm më parë se sa unë.
Kur zbrita në Durrës, unë shkova e takova Enver Sazanin, i thashë edhe porosinë e Qamilit, por ai më tha që të shkoja në Korçë dhe atje do të më thërriste një person tjetër, pa më treguar se kush dhe kështu do të zgjidhej ajo çështje. Kështu unë ika në Korçë. Nga muaji Dhjetor i vitit 1941, mua më thirri në një shtëpi të Korçës Imer Dishnica dhe më tha se duhej të futesha në Parti. Kam bërë pjesë në fillim në një organizatë bazë ku kishim sekretar një Vasil Peçi, por kjo organizatë kishte një aktivitet shumë të vogël dhe nga fundi i vitit 1942 ajo u shkri e unë kalova në një organizatë tjetër. Dua të sqaroj që këtu, që unë u futa në parti me të vetmin piksynim që të çlirohej vendi nga pushtuesit e huaj, ndërsa për çështje të tjera të programit të Partisë kisha një qëndrim indiferent. Në detyrat që më ngarkoheshin që atëhere, unë bëja çmos që t’i kryeja sepse isha i bindur se të gjitha këto në radhë të parë ndihmonin çështjen e çlirimit të vendit dhe më vonë rindërtimin e tij. Nga fillimi i vitit 1943, unë shkoj në një organizatë partie tjetër me sekretar Andrea Ziun. Organizata e parë ku bëja pjesë u shkri, sepse siç thashë kishte një aktivitet fare të vogël sepse si sekretari Vasil Peçi dhe komunist të tjerë, ishin liberal, nuk i nënshtroheshin disiplinës së Partisë dhe kishin frikë të aktivizoheshin. Duke qenë pjesëtar në organizatën me sekretar Andrea Ziun, mbaj mend se diskutonim si do të bëhej qeverisja pas Çlirimit të Shqipërisë, nëse do të ishin në Qeveri vetëm komunistët apo edhe njerëz të tjerë. Kështu mbaj mend që atëhere na kanë ardhur njëherë në mbledhje të organizatës Pandi Kristua e Pëllum Dishnica dhe aty se kush pyeti nuk më kujtohet: “Mirë ne do t’i kryejmë detyrat, lufta do bëhet, por kur të çlirohet vendi, kush do jetë në Qeveri?” Këtu u dhanë mendime të ndryshme, por me sa mbaj mend, Pandi Kristua e Pëllumb Dishnica thanë që kjo do të zgjidhej kur të çlirohej Shqipëria, por sido që të bëhej, komunistat do të kishin përfaqësuesit e tyre në qeverinë e ardhshme. Për mua një gjë e tillë kishte mbetur e paqartë se si bëhej pas Çlirimit qeverisja e vendit dhe dëshiroja që në qeverinë e ardhshme të merrnin pjesë edhe komunistët, edhe njerëz patriot pa parti.
Gjatë vitit 1943 e pjesërisht edhe gjatë vitit 1944, në Korçë, kryetare qarkori ishte Naxhije Dumia dhe në vitin 1944 u bëra edhe unë anëtar i qarkorit. Naxhia në shumicën e rasteve vendoste vetë e nuk kunsultohej me ne të tjerët për problem të ndryshme. Kjo mënyrë veprimi më krijoi mendimin se në Parti nuk kishte kologjialitet, por detyrat dhe veprimet caktoheshin për t’u kryer sipas vullnetit të atij që ishte në krye dhe në rastin konkret të Naxhies. Veç kësaj, ajo më linte përshtypjen që nuk kishte besim tek ne të tjerët, se vetëm kjo i merrte udhëzimet nga organet më të larta për punën tonë, ndërsa ne të tjerët duhej të ishim vetëm zbatues të urdhërave që jepte ajo. Këto qëndrime mua më krijonin rezerva ndaj vetë Partisë, sepse unë isha i bindur që Naxhia vepronte sipas udhëzimeve të Partisë, por mua nuk më dukej e drejtë një mënyrë e tillë veprimi. Unë isha për diskutim kologjial, secili të thoshte hapur mendimin e tij e pastaj në vartësi të tyre të vendosej se ç’duhej bërë. Kjo krijonte për mua edhe rezervën tjetër lidhur me disiplinën e fortë që ishte në gjirin e Partisë, sipas së cilës, çdo detyrë e vënë duhej kryer patjetër, me të cilën unë nuk isha shumë dakord, megjithëse vetë, kurdoherë përpiqesha të kryeja detyrat e mia i nisur nga ajo që të çlirohej vendi.
Veç sa më sipër, gjatë vitit 1943, në forcimin e këtyre rezervave të mia ndaj programit të Partisë Komuniste Shqiptare kanë ndikuar edhe njerëz të shtresës time me të cilët unë isha shok ose i kisha të njohur. Kështu më kujtohet që në atë periudhë, unë kam biseduar me shokët e mi të shkollës Fori Stase e Pandi Geçon që të aktivizoheshin në lëvizjen Nacional Çlirimtare, ata më thonin se edhe ata ishin dakort për çlirimin e Shqipërisë, por këtë lëvizje e udhëhiqte Partia Komuniste Shqiptare, e cila ishte shumë fanatike, do ta udhëhiqte vetëm ajo këtë punë e të bëhej siç thoshte ajo, kurse luftën për çlirim mund ta udhëhiqnin edhe nacionalistët apo grupe të tjera politike që donin e ishin gati të luftonin për çlirimin e vendit. Unë u thoja se program i Partisë Komuniste thoshte se çlirimi i Shqipërisë mund të arrihej vetëm me luftë të armatosur duke u bashkuar i gjithë populli në të. Ata më thonin që ky program ishte shumë i ngurtë sepse duhej që ky çlirim të arrihej vetëm me luftë. Të tilla mendime kanë shprehur edhe intelektual të tjerë të asaj kohe që unë i kisha shok ose njerëz që ishin të shtresës time. Natyrisht, këto biseda tek mua linin ndikimet e tyre edhe për shkak të rezervave që kisha vetë ndaj programit të Partisë.
Vijon neser
U fute ne Parti rriji besnik asaj. Nuk je dakord, largohu me mirekuptim, por jo te tradhtosh, kur je ne krye te sofres.
Marin ,ti kte e ke nga eksperienca personale ???
Mirkuptoheshe mire me partine ,si puntor i 80 lekshit ,si koperativist idiot apo kishe mamin sekretare te Komitetit qendror ???
Zgjidh si pergjigje nje nga kto obcionet …nuk kish tjeter rruge “mirkuptimi ” .
Sa here qe ju lexoj ,kam pershtypjen se eshte kjo zgjedhja e fundit .
Po ky Koco Theodhosi besonte se duke folur me ndershmeri do t’i shpetonte plumbit.Te ishte kaq naiv, megjithse ishte ndoshta i vetmi anetar i byrose me arsim te plote.
Partia Komuniste e Shqiprise ishte nje cete Islamikesh,me ne krye Enver Hoxhen kurse ajo e Andrea Zisit nje Parti komuniste qe i sherbente vertet internacionales socialiste si gjith bota!
Koco theodhosi dhe Lipe Nashi kundershtonin me te madhe drejtimin e kesaj partie Islamikesh,keshtu qe edhe e pesuan si shum e shum te Krishtere qe nga Koci Xoxe e me radhe!
Eshte njelloj sot me PD-ne qe ne krye duhet patjeter nje i besimit Islam??!!
_ Amani ore ! Parti Islamikesh !!!! Edhe Islamike edhe ateiste ? E dini ju se pikerisht mbase sepse ishin ne krye Hoxha e Shehu u shduken kisha e Xhamia se te ishte ndonje Pjeter ose Kico ato mund te minimizoheshin por nuk shembeshin .Po rrini ore se pjesa muslimane eshte pjesa me laike ne shqiperi . ……
Nuk na hyn ne pune Laiciteti,kur nuk sjell zhvillim!!
Laiciteti perdoret nga demagoge,si mashe per te afruar Europen ose me mire Kristianizmin si pjes e te moderuarve Islame per pushtet e egjemoni?
Te pakten nje njeri i sinqerte,si Nexhmedin nexhat ish presidenti Iranian deklaroheshe si Islamo-komunist,ku ne partin e tij nuk mundet te perfshiheshin as edhe Cifute e jo me te krishtere,por nje demokrat i vertete,ku zbatoj vlerat e demokracise Islame,qe ne 8 vjet qeverisje pushtetin e dorzoj ashtu simbas rregullave te demokracise Islame!Pra nuk pati pushtet te perjetshem!
Nuk di cmoshe ke se do te pergjigjesha ne perputhje me te.
Por ky Koço ishte intelektual fisnik dhe po te dish te lexosh “mes rreshtave”, do te kuptosh se pergjigja qe jep ai permban mesazhin se e dinte tashme se çfare e priste. Sidoqofte kam degjuar edhe nje version (nuk me duket i pabesueshem) tjeter se perse shkoi edhe ky per dhjame qeni. Brenda rrethit te ngushte ai kishte ironizuar Enver Hoxhen per menyren si udhehiqte, por ja qe atehere thuhej “mos i beso as kemishes tende”, e keshtu Enveri ja perdrodhi – per nje fjale goje. Prandaj as qe behet fjale per naivitet.
Kam pershtypjen se edhe Mihallaq Zicishti e dinte fundin por e lojti pjesen ne hetuesi dhe i shpetoi plumbit.
ne lidhje me punimet sizmike ne det, disa vite me vone ato u ngriten teresisht me materiale te vendit, nje anije peshkimi u pershtat,kabli u be ne plastiken e Durresit,si aparature elektronike u modifikua nje nga ato qe perdoreshin ne toke dhe u kryen punime sizmike qe dhane kontribut ne zbulimin e rezervave ne det si psh ai gazit ne Currila me te cilin u furnizua fabrika e qelqit Kavaje.Ishin nje grup inxhinieresh te rinj e patriote me ne krye K.Cirunen qe me kembengulje e realizuan gjithe projektin pa harxhuar aspak valute dhe asistence te huaj.Kush ka punuar ne kerkimin e naftes i di mire te gjitha keto.