PROCES – VERBAL
Në Tiranë, më 10 Maj 1976
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për veprimtarinë armiqësore që ke zhvilluar kundër pushtetit popullor.
Përgjigje: Veç sa kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore, dua të them se nga viti 1972, ka filluar puna për pregatitjet e rregullores për caktimin e detyrave të komisionit shtetëror të rezervave të naftës e gazit. Kjo përfundoi nga fillimi i vitit 1973 dhe në një pikë të saj thuhej që komisioni për çdo problem që shqyrton, vendos me shumicë votash. Abdyl Këllezi dhe Ramiz Xhabia kishin mendim të kundërt për këtë pikë dhe thonin që komisioni vendos vetëm atëherë kur ka vota unanime nga të gjithë anëtarët e tij. Për këtë gjë na ka thirrur në një rast Abdyli në zyrën e tij dhe më pyeti pse nuk ishte pranuar e të vendosej në rregullore mendimi i tij dhe i Ramizit. Unë i thashë se komisioni e gjeti me vend ashtu siç e kishte rregullorja dhe asnjëherë nuk kishte ndodhur që çdo komision të mos kishte të drejtë të merrte një vendim kur njëri ishte kundër. Abdyli më tha se ai nuk ishte dakort me këtë që kishim vendosur ne dhe do ta apelonte këtë në kryesinë e Këshillit të Ministrave. Unë i thashë se ishte e drejta e tij të vepronte si të donte. Më gjatë nuk më kujtohet të ketë zgjatur biseda, por Abdyl Këllezi nuk u ankua fare në kryesi siç më tha mua dhe rregullorja qëndroi ashtu siç u vendos.
Nga fillimi i muajit Korrik i vitit 1973, mbaj mend që Abdyl Këllezi, në një mbledhje të Qeverisë më kritikoi mua pse e kisha lënë Lipe Nashin kryetar të komisionit të rezervave të naftës e gazit dhe nuk isha vetë, duke thënë në këtë mënyrë që kisha shkelur një vendim të Qeverisë. Unë e pranova kritikën dhe që në ato kohë u vura vetë në krye të këtij komisioni.
Pyetje: Përse ti i pandehur e kishe shkelur këtë vendim të Qeverisë?
Përgjigje: Këtë veprim unë nuk e kisha bërë vetëm në komisionin e rezervave të naftës e gazit, por edhe në komisionin e rezervave të minierave që kisha caktuar ish-zëvendësin tim Zenel Hamitin. Pra këtë vendim të Qeverisë e kisha shkelur me ndërgjegje dhe në realizim të pikëpamjes time anti-parti për decentralizimin e kompetencave duke u dhënë Lipe Nashit e Zenel Hamitit ato kompetenca që me vendim të Qeverisë më ishin caktuar vetëm mua që isha ministër. Mbas kësaj kritike, unë u bëra vetë kryetar për të dy këto komisione.
Pyetje: Vazhdoni shpjegimet e mëtejshme.
Përgjigje: Nga gjysma e dytë e vitit 1972, është krijuar komisioni për përcaktimin e rezervave të vendburimeve të naftës e gazit, që në fillim caktova kryetar Lipe Nashin. Mbasi doli rregullorja që përmenda më lart, nga fillimi i vitit 1973, komisioni ngarkoi Institutin e studimeve të naftës për të hartuar raportet e përcaktimit të rezervave për ato vendburime që nuk ishin përcaktuar. Të tillë ishin vendburimi i gazit në Divjakë, vendburimi i Gorrisht-Koculit dhe më vonë ai i gazit në Finiq. Përfundimi i studimit të rezervave për këto vendburime u bë nga muaji Tetor i vitit 1974. Për këtë na u dërguan edhe raportet përkatëse mua e Abdyl Këllezit, ku përcaktoheshin konkretisht rezervat për secilin vendburim nafte e gazi.
Siç kam shpjeguar edhe më parë, Abdyli nuk ishte dakord me rezervat që ishin caktuar për Gorrishtin e Koculin duke pretenduar se ato ishin shumë më tepër. Ai më dha mua edhe disa çështje me shkrim për t’ia paraqitur unë edhe një herë komisionit, pasi, sipas tij, Ramizit nuk i dëgjohej fjala. Unë i mora, ja shtrova komisionit, por pjesëtarët përsëri i rrëzuan ato ashtu siç kam folur në proceset e mëparshme hetimore. Kur u ktheva, Abdyli më tha se këtë çështje do ta ngrinte në kryesi të Këshillit të Ministrave. Unë i thashë të bënte si të donte, por në fakt, edhe këtë problem nuk e ngriti në kryesi të Qeverisë.
Caktimi i rezervave të këtyre vendburimeve u bë në mbledhjen e komisionit nga muaji Tetor i vitit 1974.
Gjatë viteve 1973, 1974 e deri sa u mblodh ky komision, unë dhe Lipe Nashi asnjëherë nuk e nxitëm grupin e studimit të Institutit për të përcaktuar në një kohë sa më të shpejtë rezervat e vendburimit të Gorrisht-Koculit. Kjo gjë nga ana ime u bë sepse unë e dija që ky vendburim shfrytëzohej pa projekt të plotë, shfrytëzohej në mbingarkesë gjithnjë e në rritje dhe se vetëm me këtë mbingarkesë, unë mund të realizoja planet vjetore të prodhimit të naftës, ndërsa po të përcaktoheshin shpejt rezervat e këtij vendburimi, atëhere do të dilte qartë shkalla e mbingarkesës dhe kështu që punonjësit e ndërmarrjes së atij vendburimi do të protestonin më shumë për të ulur shkallën e mbingarkimit për të evituar përmbytjen e tij. Të njëjtat pikëpamje dhe po kështu ka vepruar edhe Lipe Nasahi. Unë me Lipen, nuk më kujtohet që të kemi biseduar dhe të kemi rakorduar bashkarisht mendimet ashtu siç i shpjegova më lartë, por unë me Lipen kam biseduar disa herë duke i thënë që Gorrishtin e kishim mbingarkuar shumë dhe do të na përmbytej. E pyesja se ç’po bënte ai grupi i studimit të rezervave, pse nuk po e përfundonte punën, duhet që të gjenim medoemos një vendburim të ri që të lehtësonim Gorrishtin dhe Lipia më thoshte se ashtu ishte, por nuk kishim ç’të bënim e duhej ta realizonim planin e prodhimit të naftës. Grupi i studimit kishte edhe disa çështje të tjera për të sqaruar, kjo punë donte edhe njëfarë kohe që të përfundonte, e shprehje të tjera të tilla që në fakt prunë ato pasoja të rënda deri në fillimin e përmbytjes së këtij vendburimi. Ishin këto veprime e pikpamje anti parti të miat që unë jo vetëm nuk e mblodha asnjëherë këtë grup studimi e të analizoja punën e tyre ose të paktën të thërrisja Lipe Nashin dhe përgjegjësin e këtij grupi studimi që qe Petraq Xhaxhka e të më raportonin punën e kryer dhe t’u vija detyra që të paktën kjo punë të qe përfunduar nga fillimi i vitit 1974.
Nga muaji Korrik i vitit 1973, unë me Lipe Nashin e punonjës të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të naftës, bëmë një mbledhje në vendin “Lajthizë” të Patosit. Në këtë mbledhje diskutuam çështjen e sqarimit sa më shpejt të vendburimit të Finiqit në Sarandë si dhe të bënim sa më shpejt çpime të tjera për të realizuar sa më shpejt gjetjen e një vendburimi të ri, pasi planet e prodhimit të naftës kryheshin në mbingarkesë gjithnjë e më të madhe të vendburimeve ekzistuese. Nga fillimi i muajit Shtator të vitit 1973, bëmë një mbledhje tjetër në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës për të parë projektin e pregatitur nga ajo drejtori mbi shifrat e planit të prodhimit të naftës për vitin 1974. Shifrat e prodhimit për këtë vit ishin sipas 5 vjeçarit. Aty aprovuam këtë projekt të paraqitur duke vendosur që të mos shtohej më mbingarkimi i vendburimeve ekzistuese dhe një sasi të mirë nafte parashikuam që ta merrnim nga ndonjë vendburim i ri që do ta gjenim sidomos në Sarandë.
Siç kam shpjeguar me hollësi në proceset e mëparshme hetimore, këto parashikimet tona, sidomos për kërkimet në Sarandë, nuk u realizuan dhe përfundimisht edhe planin e vitit 1974 nuk e realizuam, megjithëse unë, Abdyl Këllezi e Lipe Nashi urdhëruam ndërmarrjet e prodhimit të naftës që të intensifikonin më tej mbingarkimin e vendburimeve ekzistuese, gjë që solli si pasojë përmbytje të rëndë në vendburimin e Visokës dhe fillim të përmbytjes edhe të vendburimit të Gorrisht-Koculit.
Në kuadrin e këtyre sabotimeve në naftë, dua të përmend edhe faktin që ne, puset e vrojtimit i kemi kthyer në puse shfrytëzimi, veprim që është krejt kundër me rregullat tekniko-shkencore për shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese. Me sa më kujtohet, këtë veprim e kemi kryer që nga muaji Prill i vitit 1974. Në këto kohë, unë, Abdyl Këllezi e Ramiz Xhabia kemi shkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës për të diskutuar me ata se si do të realizonim planin e prodhimit për vitin 1974, pasi në Sarandë u vërtetua që nuk doli vendburim. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe ndërmarrjet e Gorrisht-Koculit dhe Visok-Ballshit. Abdyl Këllezi tha se ai donte patjetër që t’i realizohej plani i prodhimit të naftës dhe ne këtë mund ta arrinim duke mbingarkuar më shumë vendburimet e Gorrishtit dhe të Visokës. Përfaqësuesit e ndërmarrjeve nuk e pranuan këtë propozim të Abdyl Këllezit që mbështetej nga Ramiz Xhabia. Unë u thashë që mbingarkimin do ta thellonim më shumë dhe ajo pjesë nafte që do të mbetej pa u realizuar për eksport, ne do ta kompesonim nga kursimet që kishim në bitum.
Drejtori i ndërmarrjes së Gorrisht-Koculit, Robert Kokonozi, duke i parë kërkesat e mia, të Abdylit, të Ramizit dhe të Lipe Nashit, tha se meqënëse çështja shtrohej ashtu dhe plani duhej realizuar patjetër, për të mos i mbingarkuar në atë masë aq të madhe sa thonim ne puset e shfrytëzimit, ata puset e vrojtimit do t’i kthenin në puse shfrytëzimi dhe na kërkuan t’i jepnim fonde që këto puse vrojtimi t’i zëvendësonin deri nga tremujori i parë i vitit 1975. Unë, Abdyl Këllezi dhe të tjerët e pranuam këtë gjë dhe kështu u vendos. Në vazhdim, Lipe Nashi tha që edhe në Ballsh, një pus vrojtimi të kthehej në shfrytëzim dhe të zëvendësohej më vonë.
Kjo mënyrë veprimi, përveç shtesës gjithnjë e më shumë të mbingarkesës, hiqte edhe kontrollin e plotë të gjendjes së vendburimit për shkallën e mbingarkesës dhe rrezikun e shtuar të inondimit(përmbytjen).
Megjithëse ne kryem të gjithë këto veprime sabotuese në drejtim të shfrytëzimt të vendburimeve, edhe plani i prodhimit të naftës për vitin 1974 nuk u realizua dhe nuk kishte se si të realizohej pasi sabotimet që kryenim në sektorin e çpim kërkimeve, prunë si pasojë mosgjetjen e ndonjë vendburimi të ri që ta plotësonte prodhimin. Them sabotime në fushën e kërkimeve, sepse siç kam shpjeguar edhe më parë, ne megjithëse e shikonim që ishim keq, përsëri vazhdonim në kërkime sipas pikpamjeve tona armiqësore, kryenim çpim kërkime pa studime komplekse, vepronim që të bënim sa më shumë të tillë se mbase binim në ndonjë vendburim; ato i kryenim duke shkelur parimin e kalimit nga e njohura tek e panjohura e çështjet e tjera që kam shpjeguar më parë.
Nga muaji Gusht i vitit 1974, unë bëj një mbledhje tjetër në “Lajthizë” të Patosit për sektorin e çpim kërkimeve, pasi po e shikoja që nuk po zbulonim një vendburim të ri, gjendja po keqësohej gjithnjë e më shumë dhe natyrisht përgjegjësia jonë po bëhej më e madhe. Këtu unë vura detyrë që të studjoheshin më tej pikat për çpim dhe do t’i rishikonim në muajin Tetor të vitit 1974, që në fakt edhe u rishikuan. Edhe në këtë mbledhje, unë detyrat për kërkimet i vura sipas pikëpamjeve të mia anti-parti që kam shpjeguar më parë dhe jo sipas vendimit të Byrosë Politike të Partisë i vitit 1967.
Nga fillimi i muajit Shtator i vitit 1974, më ka marrë në telefon në zyrë Abdyl Këllezi dhe më tha që do të vinte në zyrën time për të biseduar disa herë për projekt planin e prodhimit të naftës për vitin 1975. Unë i thashë të vinte dhe ai erdhi. Duke qenë vetëm të dy në zyrën time, Abdyli më tha që plani për prodhimin e naftës për vitin 1975 të bëhej 2.4 milion ton. Unë i thashë që ne do ta bënim për 2.2 milion ton sepse kaq e kisha marrë orientimin edhe nga kryesia e Këshillit të Ministrave. Abdyli tha se ne duhej ta kishim planin e 1975 për 2.4 milion ton sepse sipas të dhënave që kishim, duhet të mbingarkonim më shumë vendburimet e Gorrishtit e të Visokës.
Si orientim për këtë, Abdyli më paraqiti edhe një listë me të dhëna për 45-50 puse të Gorrishtit, sipas të cilave këto puse mund të mbingarkoheshin më shumë dhe që vinin në kundërshtim me të dhënat që kishte vetë ndërmarrja për këto puse. Unë i thashë Abdylit se gjendja nuk ishte ashtu siç e paraqitnin ata, por sidoqoftë, unë ato ditë do të shkoja në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës dhe do t’i shikoja ato të dhëna edhe me punonjësit e atyre ndërmarjeve e pastaj atje do të vendosnim për atë punë. “Unë, tha Abdyli, do të dërgoj Ramiz Xhabinë në atë mbledhje.” Unë rashë dakort dhe më gjatë kjo bisedë nuk më kujtohet të ketë vazhduar.
Në ato ditë unë shkova në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës për të parë planin e vitit 1975. Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të prodhimit, me argumentimet e tyre të drejat hodhën poshtë pretendimet e Abdyl Këllezit që më kishte dhënë mua e që në atë mbledhje mbroheshin nga Ramiz Xhabia. Nga kjo mbledhje, me gjithë mbingarkesat që u vumë vendburimeve ekzistuese si në gëlqerore dhe në ranore, plani i prodhimit për vitin 1975 arriti në shifrën 2.1 milion ton dhe as 2.2 milion ton. Ramizi tha që ai nuk ishte dakort me atë konkluzion dhe do ta ngrinte më lartë atë çështje.
vijon neser….