Një bisedë tjetër armiqësore që kam bërë me Abdyl Këllezin për sabotimet që bashkarisht kryenim në naftë dhe për përpjekjet tona që t’i fshiheshim Partisë e Qeverisë për këto çështje, ka qenë edhe ajo e muajit Shtator ose Tetor të vitit 1974 që konkretisht është zhvilluar kështu: Në ato kohë, Komisioni i rezervave të naftës kishte bërë raportin e llogaritjes së rezervave për vendburimin e Gorrisht-Koculit dhe pritej që ato ditë të bëhej edhe mbledhja e Komisionit për t’i vendosur. Nga një kopje të këtij raporti e kishim marrë dhe unë e Abdyl Këllezi. Pak ditë para se të mblidhej ky Komision, kryetar i të cilit isha unë, Abdyli më ka marrë në telefon dhe më tha që të shkoja në zyrën e tij pasi kishte disa çështje për t’i biseduar lidhur me atë raport. Unë i thashë që po shkoja dhe pas pak shkova në zyrën e Abdylit të cilin e gjeta vetëm. Abdyli më tha që rezervat e Gorrisht-Koculit nuk duheshin të vendoseshin aq sa ishin në raport, por shumë më të mëdha, sepse duke i llogaritur më shumë ato rezerva, justifikonim intensifikimin e nxjerrjes në sasira më të mëdha e me mbingarkesë më të madhe, gjë që do të na plotësonte edhe planin e prodhimit e nga ana tjetër justifikonim deri në njëfarë mase plotësimin e rezervave nga vendburimet e reja që nuk i kishim zbuluar në kërkime. Abdyli tha se kjo ishte e vetmja rrugë për të dalë nga gjendja ekzistuese. Unë e pyeta si do ta bënim këtë gjë para Komisionit, pasi këto rezerva që përmbante raporti i kishin llogaritur me një grup pune që kishte bërë studime shkencore. Abdyli më tha se ai dhe Ramizi kishin pregatitur një sërë tezash të cilat po t’ja shtronin Komisionit, mund që të ndryshonin bindjen e tij dhe t’i nxirrnin këto rezerva sipas llogaritjeve tona, shumë më të mëdha nga ato që kishte raporti. Abdyli filloi të m’i lëshonte mua këto teza duke më shpjeguar se duhej të mbroheshin kur t’ja paraqitnim Komisionit. Unë i thashë Abdylit se me këto çështje le të merrej vetë ai me Ramizin që ishte edhe anëtar i Komisionit dhe t’i shtronin në mbledhjen që do bënim. Abdyli kundërshtoi, ato teza duhet t’i shtroja unë sepse mua mund të më dëgjonin anëtarët e tjerë të Komisionit dhe rezervat të vendoseshin ashtu siç thonim ne, ndërsa po t’i ngrinte Ramizi ato, nuk e dëgjonin dhe do t’i hidhnin poshtë ato teza e do të vendosej siç i kishin paraqitur në raport. Unë pranova, i thashë Abdylit se do t’i shtroja këto teza vetë, por unë nuk i mbroja dot vetë deri në fund sepse nuk isha specialist, me urdhër nuk i rritja dot vetë rezervat sepse më kundërvihej i gjithë Komisioni, kështu që nëse i gjithë Komisioni do të mbronte ato teza që kishte paraqitur në raport, unë nuk kisha se çfarë të bëja. Në fund Abdyli pranoi, por më tha të kisha parasysh se ato rezerva duhej t’i llogaritnim shumë më tepër nga sa na i kishin paraqitur dhe më dha mua rreth 10 (dhjetë) teza që t’ia shtroja Komisionit. Më gjatë bisedën me Abdylin nuk e vazhduam dhe unë kam ikur nga zyra e tij.
Siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme hetimore, ku ishte edhe Ramiz Xhabia, i shtrova këto teza që më dha Abdyli, por të gjithë anëtarët e Komisionit, në diskutimet e tyre, m’i rrëzuan ato me faktet që kishin dalë nga eksperimentet që kishin kryer. Këtu i mbrojti këto teza vetëm Ramiz Xhabia, ndërsa Beqir Alia nuk diskutoi fare, pasi pa që grupi i punës, me në krye Petraq Xhaçën, ishte i vendosur që t’i mbronin me fakte sasinë e rezervave që kishin llogaritur. Përfundimisht edhe unë u detyrova të pranoja atë sasi rezervash që kishin paraqitur grupi i punës, për të cilat në fund u mor edhe vendimi përkatës.
Kur erdha në Tiranë, jam takuar me Abdyl Këllezin, i thashë që rezervat u vendosën aq sa i kishte raporti dhe unë nuk kisha çfarë t’i bëja sepse si tezave që shtrova unë, dhe diskutimit të Ramizit, ju kundërvunë pothuajse të gjithë anëtarët e Komisionit. Abdyli më tha që kjo nuk ishte rrugë dalje, prandaj ai do t’i kërkonte kryesisë së Këshillit të Ministrave që të rishikonin këtë vendim të Komisionit dhe ta anullonin. Unë i thashë që anëtarët e Komisionit ishin të vendosur që të mbronin tezat e tyre me fakte, por ai të bënte si të donte, e dinte vetë. Në fakt Abdyli nuk e ngriti këtë çështje në kryesinë e Këshillit të Ministrave sepse ai e pa që nuk ja dilnim dot me këtë rrugë. Ndonjë bisedë tjetër për këtë çështje nuk më kujtohet të kemi bërë.
Biseda armiqësore me Abdyl Këllezin, për sabotimin e shfrytëzimit të vendburimeve ekzistuese, kam bërë edhe aty nga fundi i muajit Tetor të vitit 1974, kur në zyrën e tij e duke qenë vetëm të dy, vendosëm që edhe sasinë e naftës të planifikuar për vitin 1975, ta merrnim nga vendburimet ekzistuese duke vazhduar mbingarkimin. Bile më kujtohet që Abdyli më tha ta rritnim këtë plan në 2-4 milion ton, por unë i thashë që duhet ta linim 2.2 milion ton sepse do të na inondoheshin krejtësisht vendburimet dhe kështu do të ishte më keq. Unë me Abdyl Këllezin kemi patur pikëpamje të njëjta armiqësore në kundërshtim me vendimet e Partisë e të Qeverisë edhe për çështjen e kërkimeve gjeologjike dhe në bisedat e bëra me të herë pas here, unë e kam vënë në dijeni se këto kërkime kryheshin pa kompleksin e studimeve shkencore, por vetëm me rilevime gjeologjike. Abdyli më thoshte se mjaftonte të bënim sa më shumë kërkime sepse edhe Ramiz Xhabia i kishte thënë që vetëm me rilevime gjeologjike kishim zbuluar vendburime të rëndësishme, kështu që nuk ishte nevoja të kryheshin studime komplekse e të hollësishme.
Me Abdyl Këllezin kam patur pikëpamje të njëjta armiqësore edhe për çështjen e perspektivës të naftës. Si unë edhe Abdyli, në bisedat e ndryshme që bënim për këtë çështje, thonim që perspektiva e naftës nuk përcaktohej nga shfrytëzimi racional, por nga gjetja në vazhdimësi e vendburimeve të reja. Këto pikëpamje tonat, ishin në kundërshtim të hapur me kërkesat e vendimit të Byrosë Politike të vitit 1967 për naftën. Në vazhdim të këtyre bisedave më kujtohet një rast që konkretisht ka ndodhur kështu: Në muajin Prill të vitit 1974, kur shkova me Abdyl Këllezin dhe bëmë mbledhjen në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës, ku urdhëruam të mbingarkoheshin më tej vendburimet ekzistuese, mbas mbledhjes në mbrëmje, të dy shkuam në shtëpinë e pritjes në Fier. Si hëngrëm bukë dhe ishim vetëm unë dhe Abdyli, filluam përsëri bisedën për çështjen e naftës. Abdyli më tha që ne, vendburimet ekzistuese i kishim, por edhe po të na përmbyteshin, e merrnim naftën bashkë me ujin dhe pastaj e ndanim, vetëm kështu mund të dilnim nga kjo gjendje që ishim e të mbyllnim bilancin e tregëtisë së jashtme. Unë i thashë Abdylit se çështjen e perspektivës së naftës, nuk duhej ta shihnim në shfrytëzim racional të vendburimeve ekzistuese, por në vendburimet e reja që mund të gjenim, prandaj duhet të zgjeronim çështjen e kërkimeve dhe për këtë nuk duhet të kursenim, sepse gjetja e vendburimeve të reja siguronte perspektivën e naftës. Abdyli më tha se duhet ta zgjidhnim të tanishmen me ato vendburime që kishim, t’u merrnim naftën e të dilnim me plane të realizuara se çështja e perspektivës sigurohej nëpërmjet gjetjes së vendburimeve të reja dhe ai ishte dakord që në drejtim të kërkimeve të shtonim metrazhin e të mos kursenim për ato momente që ishim. Më gjatë bisedën nuk më kujtohet që ta kemi vazhduar pasi erdhën për të ndejtur me ne Petraq Xhaçka, Lipe Nashi dhe njerëz të tjerë që nuk më kujtohen. Me këta bëmë biseda të parëndësishme për çështje të ndryshme. Këto ishin disa nga bisedat e tjera armiqësore që kam bërë me Abdyl Këllezin në vazhdën e të gjitha bisedave armiqësore që herë pas here bënim me njëri-tjetrin për të shkëmbyer pikëpamjet tona anti parti dhe për të vepruar bashkarisht kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor në drejtimet që kam shpjeguar,
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI/ / ELHAM GJIKA /
PROCES – VERBAL
Në Tiranë më 28.02.1977
Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.
Pyetje: Të paraqesim për njohje proces dëshminë e qytetarit Hasan Hamza, i cili ndërmjet të tjerave shpjegon për veprimtarinë e përbashkët armiqësore sabotuese që ti i pandehur ke zhvilluar me armiqtë Abdyl Këllezi, Filip Nashi, Beqir Alia e Piro Gusho, në industrinë e naftës e të gazit, për veprimet decentralizuese revizioniste që ti ke kryer në sektorë të ndryshëm të Ministrisë së Industrisë e Minierave dhe për përpjekjet tuaja për t’i fshehur Partisë e Qeverisë këtë veprimtari thellësisht armiqësore që keni kryer (I jepet dëshmia për ta lexuar). Ç’keni për të thënë rreth shpjegimeve të dëshmitarit?
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova të gjitha shpjegimet e Hasan Hamzës, lidhur me to kam për të thënë se: Në përgjithësi të gjitha shpjegimet e Hasanit janë të vërteta dhe unë i pranoj. Janë plotësisht të vërteta shpjegimet e tij për përpjekjet që unë kam bërë për të fshehur veprimtarinë armiqësore që kryenim në industrinë e naftës dhe të gazit. Është e vërtetë që unë i kam dhënë Hasanit ato porosi që ai përmend për raportin e muajit Prill të vitit 1974, i kam thënë Hasanit dhe Hilmiut se vendimi i Byrosë Politike nuk është i drejtë e shprehje të tjera siç i thotë Hasani. Është e vërtetë që unë e kam thirrur Milto Gjikopullin në fillim të vitit 1974, por mua më kujtohet që këtë person e kam thirrur me propozimin e Hasan Hamzës dhe jo të Filip Nashit, bile kam thirrur edhe specialistë të tjerë për kërkimet. Është e vërtetë se me Milton kam bërë atë bisedë që thotë Hasani, pasi edhe ky ka qenë i pranishëm. Janë të vërteta të gjitha shpjegimet e Hasanit për kërkimet e Sarandës dhe për mbledhjen në Stiar. Është e vërtetë që unë kam shkuar në komisionin e rezervave për gazin e Sarandës dhe kam biseduar me Beqir Alinë ashtu siç thotë Hasani, por me një ndryshim, që Beqir Alia më parë më kishte raportuar mua për një rezervë gazi prej 2.5 miliard m3, gjë që unë verbalisht ua kisha thënë shokëve të udhëheqjes së Partisë e Qeverisë. Grupi i punës të komisionit të caktimit të rezervave e nxirrte për rreth 900 mijë m3 e jo 600-700 mijë m3 siç thotë Hasani. Është e vërtetë që unë kam insistuar që kjo sasi të rritej dhe i thashë Beqirit që unë kisha raportuar lart shifër shumë më të madhe, prandaj duhej të rritej rezerva e vendburimit në rreth 1 miliard m3, meqënëse kohët e fundit ishte zgjeruar shumë konturi i vendburimit. Është e vërtetë se Beqiri u ngrit mbas kësaj bisede me mua në mbledhje e bëmë ato ndryshime që thotë Hasani. Janë të vërteta shpjegimet e Hasanit për mosraportimin real në Qeveri në Nëntor 1974 mbi gjendjen e vendburimeve gëlqerore dhe unë i kam dhënë atij ato porosi që shpjegon Hasani për bërjen e informacionit. Të gjitha shpjegimet, qoftë për biseda, apo edhe për veprimet sabotuese që kemi kryer në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese, janë bërë ashtu siç thotë Hasani, pasi edhe ky ka qenë bashkë me mua në këto raste. Janë të vërteta shpjegimet e Hasanit për çështjen e disa problemeve që kishte ngritur Sekretari i Parë i KQ të Partisë për çështjen e industrisë së naftës e të gazit, të cilat lidheshin me zbatimin e vendimit të Byrosë Politike e rrjedhimisht isha edhe kundër këtyre porosive që jepte Sekretari i Parë i KQ të Partisë. Është e vërtetë që unë kam mënjanuar Ministrinë e Industrisë e Minierave nga kontrolli mbi naftën dhe Drejtorinë e Përgjithshme të saj e kam quajtur si një “ministri të vogël”.
Është e vërtetë që unë nuk i kam mirëpritur vërejtjet apo ankesat që më bëheshin për sektorin e naftës. Është e vërtetë që kam biseduar me Vangjush Kokonozin që të dekorohej Milto Gjikopulli, ashtu siç thoshte Hasani në shpjegimet e tij. Të gjitha shpjegimet e Hasanit për veprimet e mia decentralizuese revizioniste, janë të vërtea dhe i pranoj.
Diskutimin e muajit Mars të vitit 1975, është e vërtetë që ma ka pregatitur Hasani me Hilmiun, por mua nuk më kujtohet që t’u kem thënë që të zbusnin kritikat ndaj Piro Gushos, është e vërtetë që unë i kam porositur ata që diskutimin të ma pregatisnin në atë mënyrë që fajin për të gjitha këto sabotime në naftë t’ua lija Lipe Nashit e Beqir Alisë.
Janë të vërteta shpjegimet e Hasanit për djegien e naftës dhe për qymyret, bile edhe mua më kujtohet që në një raport për çështjen e qymyreve kam vënë shënimin: “Të mos dalë jashtë ministrisë.” Këtë shënim e kam bërë se kisha patur raste të tjera që sektorët e veçantë njoftonin menjëherë Qeverinë pa e parë njëherë e analizuar problemin në ushtri.
Nuk është e vërtetë që unë para se të bëja projektet e planit të ministrisë pyesja Abdylin, këto i bëja vetë e pastaj diskutonim bashkarisht. Është e vërtetë që sasitë e kursyera të bitumit i kemi futur në planin e mbulimit të valutës, ashtu siç e shpjegon Hasani. Është e vërtetë që unë kam biseduar me Teki Biçokun dhe Lipe Nashin, ashtu siç thotë Hasani, për të marrë vesh çështjet që kishte përmendur Sekretari i Parë i KQ të Partisë për naftën.
Janë të vërteta edhe shpjegimet e Hasanit për bisedën që kam bërë në Fier në Mars të vitit 1975. Të gjitha shprehjet që përmend Hasani, unë ua kam thënë me përjashtim të asaj që: “…këta tani atë ruajnë, të marrin vesh ndonjë fjalë…”
Unë, çështjet që ngre Hasani, i kam shpjeguar edhe në proceset e mia hetimore, por dua të shtoj se Hasan Hamza, në shpjegimet e tij ka njëfarë tendence sepse, që puset e vrojtimit t’i kthenim në shfrytëzim, këtë nuk e kam urdhëruar unë, për filialin e Gorrishtit nuk kam urdhëruar unë, kam bërë mbledhje edhe me gjeologë të tjerë dhe jo me disa, siç thotë Hasani, bile kam diskutuar me vetë Hasanin nëse mund të bëhej ashtu dhe më tha se ishte plotësisht dakord.
Për shumë nga këto veprime sabotuese në naftë ka përgjegjësi edhe Hasani, pasi jo vetëm që unë i kam biseduar me të, siç thotë edhe vetë në shpjegimet e tij, pasi e kishim të vetmin specialist për çështjet e naftës në ministri, por edhe ka qenë bashkë me mua në shumë mbledhje apo takime në sektorët e naftës ku unë jepja urdhëra e porosi për vazhdimin e këtyre sabotimeve.
Tjetër gjë për shpjegimet e Hasan Hamzës nuk kam.
Pyetje: Të paraqiten për njohje proces dëshmia, shpjegimet e armikut Filip Nashi, ku tregon për drejtime të ndryshme të veprimtarisë armiqësore sabotuese që ti i pandehur ke kryer bashkarisht me armiqtë Abdyl Këllezi, Filip Nashi, Piro Gusho, Beqir Alia dhe personat e tjerë që përmenden në këto shpjegime, në industrinë e naftës e të gazit (I jepen proceset për t’i njohur). Ç’keni për të thënë rreth shpjegimeve të armikut Filip Nashi?
Përgjigje: Pasi i lexova dhe i kuptova të gjitha shpjegimet e Filip Nashit që mua dhanë për njohje, lidhur me to kam për të thënë se: Në tërësi të gjitha shpjegimet e Lipes janë të vërteta dhe unë i pranoj. Këto biseda e veprime sabotuese në industrinë e naftës e të gazit që ne kemi kryer, i kam shpjeguar edhe në proceset e mia hetimore. Dua të sqaroj se të gjitha këto sabotime që kemi kryer në industrinë e naftës e të gazit, janë bërë edhe me pjesëmarrjen direkte të Lipes dhe nuk është ashtu siç thotë ai se gjoja ka kundërshtuar në ndonjë rast mua e Abdylin për çështjet e mbingarkimit të vendburimeve, ai ka qenë plotësisht dakort me mendimet tona, po kështu për bërjen e planeve të fryra e për sabotimet e tjera që unë kam shpjeguar në procese. Unë, Abdyli e Lipia, kemi bërë shumë biseda e takime ku përcaktonim qëndrimet e përbashkëta për këto sabotime. Është e vërtetë që udhëheqjes së Partisë e Qeverisë nuk i kemi raportuar gjendjen realisht për naftën. Është e vërtetë që me Lipen kam biseduar siç thotë edhe vetë, për krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të naftës e që unë e kam thënë në pohimet e mia. Çështja e kërkimeve në det është ashtu siç thotë Lipia dhe që unë e kam shpjeguar. Janë të vërteta shpjegimet e Lipes për takimin me specialistët hungarezë, unë kam qenë në dijeni. Po kështu janë të vërteta shpjegimet e Lipes për blerjen e makinës elektronike nga amerikanët dhe që unë e kam shpjeguar.
Përfundimisht, unë jam plotësisht dakord me shpjegimet e Filip Nashit. Nuk më kujtohet që unë të kem qenë në shtëpinë e pritjes në Fier sëbashku me Beqir Ballukun dhe të kem bërë bisedat që thotë Lipia, ndërsa me personat e tjerë kam qenë dhe kam biseduar.
Tjetër gjë nuk kam për të thënë për shpjegimet e Lipe Nashit.
Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.
I PANDEHURI HETUESI
/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /
Hajt, ta gezosh plumbin!