“Ju mund të mos merreni me politikë, njëlloj do të merret politika me ju”. Javët e fundit janë dhënë disa lajme apo njoftime, që për mendimin tim janë tepër të rënda, për të mos thënë katastrofike. “Elita” e vendit tonë ka grabitur e zhdukur nga Shqipëria 1.3 miliardë euro. Njëkohësisht bankat e ndryshme në Shqipëri, kanë investuar jashtë saj 1.7 miliardë euro nga depozitat e shqiptarëve. Është e pamundur të mos i lidhësh këto dy kërpudha të helmëta me mënyrën e qeverisjes së deritashme. Në të vërtetë kryeministri S.Berisha, deri më sot ka ndenjur në majat e pushtetit, falë aftësisë së tij të njohjes e përshtatjes me nivelin nënmesatar të popullsisë. E kjo nuk është pak në Shqipëri. Injoranca, si forcë e verbër, po dite ta kanalizosh e ta kalërosh, përkohësisht të armatos me një forcë po të verbër që gjithçka e kthen mbrapsht, ashtu si mendja që e inicion atë.
Kjo lloj përshtatje që ky kryeministër ka mësuar ta aplikojë si një virtuoz, ka shërbyer edhe si një lloj lubrifikanti që ka vajisur trashë, por efektshëm një regjim despotik, injorant e grabitqar. “Kush nuk di te qeverisë, gjithmonë bëhet uzurpator”, thotë një mendje e urtë. Një fjalë bosh sot e një gënjeshter model nesër, një premtim kallp sot e një mashtrim të plotë nesër, pak nga pak ky mizantrop i pagdhendur po arrin “objektivin” që i ka vene vehtes. Të risjellë vitin 1997. Vitin e falimentimit total ekonomik, vitin e grabitjes masive, vitin fatkeq të këtij populli naiv e të mësuar edhe për të jetuar zvarrë.
Shifrat e mësipërme tregojnë fare qartë se jemi vjedhur disa herë më tepër se numrat që ato përfaqësojnë. Njësoj si me piramidat. Leku, nëse nuk investohet, nuk është më lek, nuk kthehet në kapital. Ai i fshehur e i larguar nga burimi, është vetëm një thesar për atë që e disponon, ose në rastin tonë një fantazmë për ne e një kamje kriminale për atë që e ka grabitur. Pra, e gjithë kjo sasi leku që ka “firuar”, në vend të investohej ketu, ka marrë vizë për jashte, duke e bërë kështu që djersa e shqiptarëve të shumëzohet me zero. Në këto kushte edhe Zoti nuk kujtohet më për ne. Sepse edhe ai ta “sjell” të mirën në derë e kaq. Po nuk e hape atë, ai nuk ia ka ngenë të merret me çdo “rob” që fle gjumë e gerrhet si derr.
Ndërkohë që “ekonomisti” i madh “doktor Adam Smithi shqiptar” flet e hedh lekë si Ali Babai, interesante është ngritja në piedestalin më të lartë të ekonomisë botërore, të dy prej vemjeve më të rrezikshme e injorante të ekonomisë shqiptare, ministrin e financave e titullarin e Bankës të Shtetit, në nivelin e “të klonuarve me FMN-në”. Ditë më parë, me një shqipe të qartë e pa pikën e turpit, ky pykë ne diell “dekoroi” këta parangallë të ndryshkur me shprehjen e mësipërme, duke tentuar të tallet me dëgjuesit e bashkë me ta, me të gjithë bashkështetasit e tij fatkeq. Meqë paskemi “fatin” të kemi dy krijesa ekonomike “te klonuar me FMN-në”, do te dëshiroja të bëja një pyetje. E pse duheshin investuar ato afro 600 milionë euro për të ndërtuar rrugën Tiranë–Elbasan këtë vit e jo ta zëmë pas 5 apo 10 vjetësh? Ç’zonë do të zhvillojë apo ç’industrie do t’i paraprijë? Rrapit të Bezistanit. Po! Elbasanllijte do te vijnë ndofta për gjysmë ore në Tiranë, do ta pinë kafen 100 lekë e do u kushtoje 4 here me tepër. Kaq! Çfarë gjëje tjetër?
Ndërkohë që zonat e saj e mbi të janë shkretuar. Ulliri ka degraduar, bujqësia është kthyer 100 vjet prapa, ujin sikur e ka përpirë lubija, pyjet dihen, ua kane shkulur dhemb e dhëmballë, industria e minierat një maskaradë e denjë për vitet 1700, transporti hekurudhor rreziku nr.1, jo vetëm i jetës së qytetarëve, por edhe i strukturës jetësore inxhinierike përgjatë gjurmës të saj…
Përse pra, ç’e shtyn këtë rrangallë të ekonomisë të çentralizuar të vendosë kuturu, apo aq më keq, në të keq të vendit?
Atë rolin e Gjergj Dimitrovit të Kryetarit të Konfederatës Ballkanike e ka marrë përsipër nga marrëzia e vet e madhështisë, apo dikush tjetër e komandon për t’u hapur rrugë në det “druzheve”? Në mënyrë figurative le të vihemi në rolin e “bufit”: Shuma! 1.3 miliardë të zhvatura, 1,7 miliardë të investuara jashtë vendit, 0.6 miliardë rrugë për lumë e det, bëjnë 3.6 miliardë euro. Pa llogaritur asgjë tjetër, nga kapitalet e palegalizuara, apo të rreth 20 mijë apartamenteve të ndërtuara e të pashitura. Miliarda e miliarda që nuk janë fati ynë, që nuk arrijmë ende të kuptojmë se të qeverisurit është shërbim e jo adhurim idiot. Nuk është fort e vështirë të kuptosh qëndrimin kriminal ndaj djersës tonë.
Pak vëmendje vetëm në qendër të Tiranës. Banka e Shtetit aktualisht po kryen një rikonstruksion kaq gjigand, sa me sy të lirë duket se kapaciteti i saj ndofta dyfishohet apo trefishohet. Nuk mjafton vetëm kjo. Banka apo shkëlqesia e tij Guvernatori i Përgjithshëm, jo vetëm se i ka blerë shtetit ish hotel Dajtin, por e ka blerë edhe atë për ambientet pikërisht të vetë Bankës të Shtetit! A thua se pranë kësaj banke do të instalohet vetë OKB-ja. Besoj se e kujtoni këtë “figurë”, është ai zapasqeri që, sipas shtypit, ka investuar deri për përgatitjen fizike të punonjësve të tij. “Të klonuarit me FMN-në”! Në xhepat e mi “thyen kokën miu”, por jam gati të vë një bast moral me cilindo, se këta “të klonuarit me FMN-në”, nëse për dy tre muaj nuk marrin fonde nga privatizimet deri edhe te ajri që marrim frymë, do të fillojnë (në mos kanë filluar) të shtypin, apo të emëtojnë lekë kallp, deri sa “shefi” të fitojë zgjedhjet e Qershorit, zgjedhjet e “administrimit” të hesapeve të “familjeve të mëdha” me milionat e skllevërve të Shqipërise “moderne”. Përmbytjet nuk fillojnë direkt me stuhi, ato fillojnë me qiell të errët e me pika të rralla e të rënda shiu.
Shiu i rëndë ekonomik ka filluar. Të gjithë e shohim e të gjithë jemi të frikësuar deri në kockë. Nuk ka punë, nuk ka investime prodhuese, nuk ka prodhim e shërbim rentabël, deficitet buxhetore e ato tregtare krejtësisht të frikshme, qytetet e krahinat periferike po kthehen në fantazma. Shpirtrat njerëzorë kanë filluar të egërsohen më keq se ujqërit… Nuk është habi që nga dita në ditë të fillojë të trokasë ora e falimentimit total ekonomik e shoqëror. Ajo aktorja deputete, Neli i teta Ollgës, nuk e kishte keq që i kujtoi me atë tonin e vet prej një “disidenteje” të paparë kryetarit të opozitës tik–takun e orës të fundit që po i troket.
Po i troket atij, e krejt këtij populli që është krejtësisht i çorientuar e që nuk po sheh ende, qoftë edhe pak dritë lirie, drejtësie e mirëqenieje të sigurtë. Nëse ata që premtojnë ndryshim apo aq me tepër rilindje, nuk fillojnë qysh nesër të zbulojnë të vërtetat tragjike që po na trokasin në derë jashtë podiumeve e zyrave, e njëkohesisht nuk “shkallmojnë” zinxhiret e komunikimit elektronik për t’i vene realisht gjoksin zjarrit të pamëshirshëm që ka ndezur banda në fuqi, të mos habiten kur ta shohin vehten edhe ata në koshin e plehrave. “Kush e mbulon të keqen, bëhet bashkëpunëtor i saj”.
Te lumte!
Bravo. Shume e goditur.
Edhe pse shohim pedite te humbas virgjerine e verteta,heshtim;pa e kuptuar se keshtu po ringrihet nga varri e po qesh me ne vdekja.
Saliu eshte vrases,genjeshtar dhe demagog i paskrupullt por… dhe mbi te gjitha ai dhe ekipi i tij jane njerzit me te paafte per te qeverisur, qe ky popull mbas renies se tyre, ndoshta nuk do shoh te tille kurre.Jane dhe do te mbeten proverbil ne paftesine e tyre.
Autorit te artikullit suksese per kete artikull ,ju lumte
jemi nje tufe dele me nje coban nga tropoja