Më shumë se një ndeshje. I tillë është derbi midis Partizanit dhe Tiranës, gjë që Hasan Lika e di mirë, pasi e ka përjetuar si lojtar e trajner. Ndaj dhe nuk fshihet në prag të këtij takimi, në të cilin kërkon me çdo kusht fitoren. Tri pikë për të kënaqur tifozët, por sidomos për të mbajtur gjallë shpresat e titullit, për herë të fundit i fituar më 1993. Trajneri i të kuqve nuk i druhet kundërshtarit që është në buzë të greminës, madje nuk ndien as keqardhje që një sukses i Partizanit mund ta shtyjë një hap para Tiranën… Është derbi dhe dëshira për fitore këtu rritet dyfish!
– Si është gjendja e Partizanit në prag të derbit?
– Skuadra është në gjendje të mirë. Edhe pse nuk arritëm të fitonim kundër Kukësit, shfaqëm rritje në lojë dhe kjo më bën optimist për ndeshjen tjetër.
– Duke parë pozicionet në renditje, Partizani është favorit, e shihni edhe ju kështu?
– Kjo ndeshje është ndaj kundërshtarit tonë tradicional dhe nuk shohim pikët që ka. Vlerësojmë faktin që përballë kemi Tiranën.
– Tifozët ju ndjekin edhe në stërvitje dhe ju kërkuan me çdo kusht fitore. Ndieni presion?
– E shoh si gjë pozitive. Kemi disa futbollistë që luajnë për herë të parë në një ndeshje të tillë dhe dikush mund të emocionohet më shumë. Dikush tjetër kupton se bëhet fjalë për një ndeshje të veçantë, këto gjëra janë të zakonshme para derbit.
– Do të luajë Memelli?
– Memelli nuk është 100 për qind i gatshëm. Do të presim deri të premten se si do të reagojë. Megjithatë, edhe nëse luan, nuk do të jetë titullar.
– Po Nexhipi?
– Ai është pjesë e rëndësishme e skuadrës, por janë ditët e para dhe forma që ka nuk e mundëson aktivizimin nga minuta e parë. Megjithatë, do të jetë i gatshëm.
– Tirana luan për jetë a vdekje. I druheni këtij fakti?
– Nuk i druhemi kundërshtarit. Në derbi kemi gjithmonë respekt për të dhe do të japim maksimumin. E thashë që kjo është më shumë se një ndeshje, për shkak të atmosferës që krijon te të gjithë, lojtarët e tifozët.
– Në krahun e majtë keni pasur probleme, do të debutojë Ahmeti?
– Nuk mendoj se kemi pasur aq shumë probleme. Thjesht janë disa lojtarë që kanë ardhur kohët e fundit dhe ende nuk janë ambientuar mirë me ekipin.
– Në derbin e fazës së parë nuk u pa spektakli që pritej nga të dyja skuadrat. Do të shihet këtë herë, apo vlerë kanë vetëm pikët?
– Emocionet e derbit janë më të mëdha para takimit, pastaj kur nis loja është një ndeshje si gjithë të tjera. Natyrisht që edhe lojtarët kanë ngarkesën e tyre emocionale, por unë shpresoj që të bëjmë lojë të mirë e të marrim pikët. E kemi përgatitur skuadrën psikologjikisht që ta ndiejë sa më pak efektin e shpresave që kanë tifozët.
– Pas përforcimeve të bëra, jeni gati për titullin?
– Ne luajmë për të fituar ndeshjen e radhës dhe nëse ia dalim natyrshëm që mund t’i afrohemi titullit. Ne jemi ndërtuar për t fituar, si çdo ekip tjetër që ka objektivat e caktuara. Ne synojmë, pasi kampionati është i gjatë dhe çdo gjë mund të ndodhë.
– Në rast se fitoni ju, Tirana është shumë pranë rënies nga kategoria. Ndieni ndopak keqardhje?
– Në futboll gjithsecili synon të fitojë, aq më tepër që është derbi.
O Hasoni grave jeni bo si muri i Mitrovices
O Hasan mos merni shum vrull me Tironen se kur ishit ne siklet dhe dolet ne kategorine jo superiore nuk ju zhyti, por zhvilloje ndeshje korrekte e miqesore.
Nuk eshte faji i Tiranes qe ka arritur deri ketu, por eshte faji i Kryetarit te Bashkise Lulzim Basha qe nuk i financon, mbeshtet dhe inkurajon.
Me Tiranen matuni kur te largohet Luli nga bashkia, tani respektoni futbollin dhe sportedashesit qe do te mbushin stadiumin si asnjehere keto 23 me skuadrat e vendit.