Tirana ka rinisur stërvitjen një ditë pas kontestimit të tifozëve, të cilët bllokuan seancën e planifikuar për ditën e martë. Skuadra u vu nën urdhrat e përgatitësit të portierëve, Emanuel Egbo, i cili së bashku me kapitenin Ervin Bulku, folën për rreth një orë me ekipin në kompleksin “Skënder Halili”.
Dukshëm të dëshpëruar për situatën e krijuar nga tifozët, lojtarët nisën më pas stërvitjen në kuadër të ndeshjes së fundit të sezonit kundër Teutës, që mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin e bardhebluve në Europa League. Tifozët bardheblu në krahun tjetër kërkuan një takim me përfaqësuesit e skuadrës dhe ishte kapiteni Ervin Bulku ai që bisedoi me ta për disa minuta.
Grupi ku mungonte vetëm Debatik Curri vijoi më pas me seancën stërvitore, fillimisht me përgatitjen fizike dhe më pas me veprimet teknike dhe taktike. Situata u tensionua dukshëm të martën gjatë orëve të pasdites kur grupimi i tifozëve bllokoi punën e grupit, duke e detyruar ekipin të tërhiqej. Në disa prej banderolave kritikoheshin lojtarët për sezonin e zhvilluar, por edhe shoqëria që drejton Futboll Klub Tiranën.
Ndeshjen e fundit të sezonit Tirana do ta luajë të premten në orën 17:00 në “Qemal Stafa” ku do të presë Teutën në një 90 minutësh që konsiderohet i lehtë për ekipin kryeqytetas që gjatë këtij takimi do të drejtohet nga Emanuel Egbo.