Tirana ka arritur një fitore shpresëdhënëse në Ballsh, duke mundur 1-0 Bylisin falë golit të shënuar nga Sulejman Ndikumana, 18 minuta para përfundimit. Është suksesi i dytë radhazi i bardhebluve në këtë kampionat, pas atij të arritur javën e kaluar kundër Partizanit. Tri pikët e djeshme bëjnë që Tirana të arrijë Lushnjën në renditje dhe ta lërë poshtë atë falë golaverazhit më të mirë. Për Bylisin kompromentohet gjithçka, sepse ka humbur mjaft terren në katër javët e fundit, në të cilat ka marrë vetëm dy pikë. Tirana ishte skuadra më e mirë në fushë, edhe pse nuk mund të mburret me lojën e zhvilluar, pasi ajo sërish la për të dëshiruar. Megjithatë, spektakli nuk llogaritet në planet e Gugash Maganit aktualisht, pasi rëndësi kanë vetëm pikët për të siguruar mbijetesën. Kjo përforcohet edhe nga fakti që skuadra kishte katër mungesa të rëndësishme, ndërkohë që në Ballsh Tirana nuk fitonte prej më tepër se 11 vjetësh, kohë në të cilën ka pasur formacion shumë më të mirë se ky i sotmi. Loja u karakterizua nga përpjekje më të mëdha të miqve për të çarë drejt portës kundërshtare, ndërsa nga vendasit pati disa ndërhyrje të parregullta, në dy raste goditje me shqelm, që duhej të ishin ndëshkuar rëndë nga gjyqtari, ndonëse nuk ishin të rrezikshme. Kuli dhe Morina patën rastet më të mira në pjesën e parë, por në të dy rastet portierët ishin vendimtarë, sidomos në rastin e Morinës, që u vonua mjaft para se të gjuante. Në pjesën e dytë bardheblutë janë më të vendosur dhe rrezikojnë me Ndikumanën, por përsëri portieri Frashëri shpëton portën e vet. Njëzet minuta më pas, lojtari nga Burundi rregullon shënjestrën dhe shënon pas pasimit të marrë nga Morina. Ky i fundit është në pozicion të dyshimtë, megjithatë për anësorin gjithçka është e rregullt dhe goli i vlefshëm. Bylisi është i pafuqishëm për të reaguar, ndërkohë që edhe Tirana nuk mendon për një gol të dytë, por për të mbrojtur të parin. Ia del më së miri, edhe atëherë kur vendasit nuk kanë më asgjë për të humbur dhe përpiqen me dëshpërim. Fitore 1-0 dhe tani e ardhmja nuk duket më aq e zymtë për Tiranën.