Situatë e tensionuar mes banorëve të strehuar në çerdhen nr 36 dhe forcave të policisë. Forca të shumta police kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në ish-godinën e çerdhes nr.36 tek ish-Fusha e Zezë, për të nxjerrë që aty familjet e strehuara. Ndërsa banorët, të cilët prej ditësh thonë se nuk kanë ku të shkojnë, kanë bërë rezistencë, duke u konfrontuar me forcat e policisë. Ndërkohë, një grua tenton të vetëflijohet në tarracën e ndërtesës. Gruaja mban pranë një bombol gazi 15 litërshe dhe një shkrepëse, me të cilën kërcënon se do t’i vërë flakën nëse polica hyn në shtëpinë e saj.
Banorët e çerdhes nr. 36 prej ditësh përballen me paralajmërimet e përmbaruesve për t’u larguar nga ndërtesa. Sot ka përfunduar edhe afati kur ata duhej të linin shtëpitë e tyre, prandaj përmbaruesit janë paraqitur aty për të ekzekutuar vendimin. Në ndërtesën e çerdhes nr 36 gjenden të strehuar 12 familje, të cilat janë të detyruara të dalin në rrugë, pas vendimit të gjykatës për t’i rikthyer pronën ish-pronarit.