Një tjetër plazh jepet me koncesion, me vendim qeverie. Pas plazhit të Dhërmiut, dhënia e të cilit u miratua vitin e kaluar, tashmë është radha e zonës bregdetare të njohur si “Kalaja e Turrës”, në komunën Synej të Kavajës. Koncesioni parashikon realizimin e fshatrave turistike, hoteleve, komplekseve turistike, vilave, qendrave për veprimtari kulturore e artistike, si dhe ndërtimin e infrastrukturës përkatëse. Përmes vendimit të djeshëm, qeveria ngarkon Ministrinë e Turizmit me detyrën e përzgjedhjes së shoqërisë koncesionare. “Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonën bregdetare ‘Kalaja e Turrës’, Synej, Kavajë, i cili përfshin planifikimin, realizimin dhe përdorimin ekonomik të fshatrave turistike, hoteleve, komplekseve turistike, vilave, realizimin e një qendre SPA – kongrese – veprimtari kulturore, qendre sportive, fushe golfi, si dhe ndërtimin e infrastrukturës për këtë zonë, është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, shkruhet në vendimin e qeverisë. Sipas kryetarit të komunës së Synejit, Përparim Çaça, i cituar nga Gazeta Shqiptare, bëhet fjalë për një projekt madhor, i cili parashikon ndërtimin e shtatë fshatrave me destinacione të ndryshme turistike, me një vlerë totale prej 800 milionë eurosh. “Është një projekt madhor, i cili studiohet prej kohësh dhe parashikon ndërtimin e 7 fshatrave të ndryshme turistike në ‘Kalanë e Turrës’. Pjesë shumë e rëndësishme e tij është ndërtimi i një porti ku do të ketë hapësirë për 1100 jahte, kostoja e të cilit do të jenë 31 milionë euro”, – thotë Çaça.
Sipas gazetës, në vendimin e djeshëm, qeveria i jep prioritet një kompanie zvicerane në procesin e tenderimit, e cila përfiton një bonus paraprak prej 5% në garën për koncesionin.