Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, dhe familja e tij votuan sot paradite në qendrën nr.1968 në Tiranë. Pas përfundimit të votimit, Topi tha në një prononcim për mediat se qytetarët duhet të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke ruajtur qetësinë dhe duke qëndruar larg episodeve të panevojshme.
Topi komentoi edhe incidentin në Laç, të cilin e cilësoi një ngjarje të rëndë për faj të politikës së vjetër.
“Ajo që ndodhi në Laç është e dhimbshme, pasi humbi jeta e një njeriu dhe e gjitha si pasojë e një politike të vjetër. Njerëzit janë të prirur të shkojnë pas partive politike, por disa individë gjatë kësaj kohe kanë prodhuar këtë lloj politike, që nuk është normale. Sot është moment që shoqëria të vendosë me qetësi dhe të bëjë analizë për ato që ndodhin. Ne nuk mund të tolerojmë që në vitin 2013 të ketë ngjarje të tilla, të cilat nuk ndodhin në asnjë vend të Ballkanit. Votoni në qetësi për të ardhmen tuaj dhe jo për interesat e politikanëve, të cilët për karrige i çojnë njerëzit drejt vrasjeve. Sot duhet të ndahemi nga tranzicioni, duhet të plotësojmë standardet dhe njëri prej tyre është ai i zgjedhjeve. Uroj që pjesa e mbetur e procesit, si edhe procesi i numërimit të shkojë në qetësi”, tha Topi.