Avokati i Popullit, si një institucion jo politik, do të kryejë rolin e tij gjatë fushatës zgjedhore, duke pasur objektiv mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit, Igli Totozani, tha sot se institucioni që ai drejton do të monitorojë në mënyrë të papritur administratën qendrore dhe lokale, institucionet arsimore, nëse do të ketë shkelje të të drejtave të njeriut, që kanë të bëjnë me praktika të njohura në fushata si kërcënimi me vendin e punës, përfshirja e fëmijëve në mitingje etj.
“Së pari dua të them dy gjëra të rëndësishme: Ne nuk jemi të përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve, po kështu jemi institucion jo politik. Megjithatë, jemi dhe institucioni i përgjithshëm i mbrojtjes të të drejtave të njeriut, që do të thotë se :
* Një punonjës i administratës publike që kërcënohet të lërë vendin e punës për t’u përfshirë në fushatë
* Një punonjës i administratës që i merret karta e identitetit për shkak të bindjeve politike
* Një fëmijë, apo prind i cili largohet nga librat për tu dërguar në miting
Të tre rastet si këto, janë brenda juridiksionit dhe kompetencave të Avokatit të Popullit”, tha Totozani.
Duke iu referuar denoncimeve në media se administratës publike, por edhe nxënësve të shkollës iu bëhet presion për të dalë në mitingje, Avokati i Popullit sqaron se pranë këtij institucioni nuk ka ardhur asnjë denoncim nga personat në fjalë. Megjithatë, Totozani tha se në lidhje me një fenomen të tillë do të ngrihen grupe të kontrollit ‘blic’ gjatë fushatës.
“Ne jemi një institucion i pavarur, jo pjesë e polemikave politike dhe funksionojmë mbi bazën e ankesave. Jemi në dijeni të rasteve të bëra publike në median vizive dhe të shkruar, por deri tani nuk ka pasur raste ankese nga qytetarët. Në po shikojmë mundësinë të monitorojmë në mënyrë të papritur administratën qendrore dhe lokale, institucionet arsimore, nëse do të ketë shkelje të sipërpërmendur”, tha ai.
shkelja e te drejtave ka kohe qe ka filluar…jeni i vonuar z.Avokat