Letër e nënshkruar
Zeno Jahaj
Njëqindmijë euro janë pak për hallet që kanë bashkëkombësit tanë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ashtu siç janë shumë për Shqipërinë e për Kosovën ende të varfra. Por tej halleve e varfërisë, njëqindmijë euro janë mesazhi për një rishikim rrënjësor të procesit strategjik të zhvillimit të interesave kombëtare.
Strategjitë tona të deritanishme kombëtare, në rastin më të mirë, vetëm sa e nisin këtë proces në letër. Në rastin më të keq, edhe vetë këto strategji përbëjnë, shpesh kopje parimesh e kërkesash të strategjive të vendeve të tjera apo grumbullime kaotike idesh skolastike e formale, jo rrallë marrin formën e kallëpeve të cilat përshtaten për çdo vend e për çdo kohë, kësisoj krejt artificiale për natyrën e interesave dhe të perspektivave tona kombëtare.
Planifikimi kombëtar afatgjatë është treguesi themelor që e dallon një komb të qytetëruar nga një komb i paqytetëruar. Interesat kombëtare nuk mund të zhvillohen pa projekte e programe kombëtare e aq më pak vetëm me ndjenja kombëtare. Një komb serioz çmohet për të gjithë procesin e realpolitikës dhe jo vetëm për procesin e moralpolitikës. Vetëm kombet me identitete dhe interesa të respektuara e të mbështetura kombëtare kanë çfarë t’i ofrojnë jo vetëm vetes, por edhe njerëzimit.