Autorët e atentateve me eksploziv janë persona me precedentë të mëparshëm penalë, që kanë motive nga më të ndryshmet. Një tjetër shpërthim tritoli tronditi qytetin e Fushë-Krujës mëngjesin e djeshëm, pas sulmit që ndodhi në komisariat javën e kaluar. Ngjarja ndodhi në një mobileri në fshatin Larushk, në pronësi të P. Rr., rreth orës 02:00 të mëngjesit, duke shkaktuar dëme materiale dhe panik. Policia u vu në ndjekje të autorëve që u larguan me një autoveturë “Benz”, të cilën e sekuestroi në Kamzë pak orë më vonë, ndërsa prangosi të dyshuarin Astrit Leza, 35 vjeç, banues po në Larushk dhe shpalli në kërkim vëllanë e tij bashkëpunëtor, Skënder Leza, 29 vjeç, që u arrestua mbrëmë vonë. Motivi i sulmit me eksploziv mësohet se ka qenë një sherr i vjetër mes palëve, që kishin njohje mes tyre, që lidhet me pronësinë dhe biznesin. Astrit Leza ka qenë i arrestuar dhe dënuar më 20 maj 2004 nga Gjykata e Krujës, për krime kundër pronës, ndërsa i është falur një vit dënimi nga amnistia e vitit 2006.
Ngjarja
Shpërthimi ka ndodhur në orën 02:00, kur një kallëp tritoli i hedhur me fitil zjarrpërcjellës tek dera e mobilerisë shkaktoi dëme materiale. Shpërthimi alarmoi banorët e fshatit Larushk dhe biznesmenin P. Rr., i cili bëri denoncim dhe dha shpjegime për konfliktet në fshat. Patrullat e policisë së Fushë-Krujës, që në atë orë ishin afër zonës ku ndodhi ngjarja, u vunë në ndjekje të një veture tip “Benz” që po largohej me shpejtësi dhe që u denoncua se ishte parë në vendngjarje. Mjeti u gjet orë më pas i braktisur prej autorëve në afërsi të Kamzës. Pas hetimeve të kryera dhe gjurmëve të zbuluara, u identifikua pronari i autoveturës që nuk ishte denoncuar e vjedhur dhe personi që e shoqëronte, një kontigjent i njohur për policinë. Menjëherë ata u shpallën në kërkim.
Arrestimi
Policia vendore njoftoi pasditen e djeshme se pas kontrolleve të shumta kishte arritur të lokalizonte dhe arrestonte një nga të dyshuarit në krimin e ndodhur në Larushk të Fushë-Krujës. Në vendin e quajtur “Kryqëzimi i rrugës Larushk”, shërbimet bënë të mundur kapjen e Astrit Leza, një nga dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse në ambientin mobileri në pronësi të P. Rr., banues po në Larushk. I dyshuari mohoi akuzën, por policia tha se ka bllokuar mjetin që u ndoq dhe gjet i braktisur në Kamëz. Leza ka qenë i dënuar me burg më parë për krime kundër pronës dhe ka përfituar amnisti. “Shkak i ngjarjes është një konflikt i vjetër mes palëve që janë banues në Larushk, kurse i kërkuari tjetër ka precedentë të mëparshëm penalë”, tha policia.