Persona ende të paidentifikuar i kanë vendosur një sasi të vogël eksplozivi në banesë Erjon Sqapit, 33 vjeç, shef i Klubit Sportiv Elbasani, rreth mesditës së djeshme. Shpërthimi ka shkaktuar panik dhe dëme materiale, por fatmirësisht nuk pati asnjë të dëmtuar. Ngjarja u shënua rreth orës 12:00, në apartamentin ku jeton familja Sqapi, kati i tretë i një pallati që ndodhet afër stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, përgjatë bulevardit të qytetit “Aqif Pasha”. Familjet e godinës janë terrorizuar, kurse shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme, duke shkatërruar muret dhe dyert. Grupi hetimor që mbërriti në vendngjarje deklaroi se sasia për fat të mirë ka qenë e vogël, rreth 100 gramë tritol. Në banesë në ato momente ndodheshin vetëm bashkëshortja e 33-vjeçarit dhe vajza e tij e mitur. Fuqia dhe tronditja nga shpërthimi kanë shkaktuar frikë tek fqinjët. Menjëherë pas ngjarjes u verifikua se Sqapi kishte depozituar një denoncim për kërcënim në komisariat dy ditë më parë. Policia kishte nisur verifikimet, ndërsa dje ka ndodhur edhe atentati me tritol. Vetë shefi i klubit të Elbasanit, i tha grupit hetimor se dyshon që autorët të jenë pikërisht ata që edhe e kërcënuan me jetë. Sqapi ka bërë të ditur se ka marrë kohët e fundit kërcënime për të cilat dhe ka denoncuar në polici. Burime policore thanë se ish-trajneri ka pasur grindje dhe kërcënime pak kohë më parë nga prindërit e fëmijëve sportistë, kryesisht futbollistët e moshave të reja, për mosaktivizimin e tyre në ndeshje dhe se tregohet i njëanshëm duke ndikuar në ekipin e Elbasanit. Por policia sqaroi se po i vlerëson të gjitha pretendimet, nëse pas këtij sulmi fshihen motive të tjera për konflikte që ka pasur 33-vjeçari. Autorët, duke ditur problemet e shefit të klubit me futbollistët, ka përfituar për të humbur gjurmët e krimit, duke devijuar hetimet. Deri dje në mbrëmje janë shoqëruar për në komisariat dhe marrë në pyetje 15 persona, futbollistët e klubit, autoritetet vendore që kanë dijeni për përplasjet dhe prindërit e fëmijëve futbollistë. Hetimeve iu bashkua edhe prokuroria dhe dyshimet janë përqendruar tek një hakmarrje e personave që e kanë kërcënuar Sqapin ditë më parë. Kapja e tyre do të sqarojë edhe motivin e vërtetë të atentatit. Po kështu janë pyetur banorët nëse panë lëvizje të dyshimta, pasi ishte pothuajse mesi i ditës dhe ka pasur lëvizje në rrugë. Erjon Sqapi njihet si përfaqësues i sporteve në Elbasan, kryesisht futbollit. Ai ka qenë për shumë vite trajner i ekipit të 17-vjeçarëve dhe më pas gjatë vitit 2012 është emëruar zyrtarisht sekretari i Klubit të Elbasanit, ku ka zëvendësuar të dorëhequrin Florenc Kushi. Sqapi ka qenë edhe zëvendëstrajner në ekipin e paratërinjve elbasanas.