Ky ngulmimi i Sali Berishës për të marrë pushtetin për herë të tretë, pa e merituar e votuar shumica, më kujton një ngjarje mjaft të bukur gazmore. Unë jam rritur në një qytet të vogël të Shqipërisë, në verilindje të saj , qytet i vogël por që mua më ngjall shumë mall e nostalgji. Duke qenë qytet i vogël njerëzit njiheshin mirë me njeri-tjetrin, por sidomos njiheshin shumë mirë ata që u shërbenin njerëzve: si këpucar, marangoz , bojaxhi, hidraulik, mjek, etj
Dhe njëri prej tyre ishte fotografi i qytetit tonë, që e kishte emrin Sadik. Sadiku ishte njeri i mirë, por kishte shumë qejf pijen: e duke qenë i pirë nuk ishte korekt me punën. Kur njerëzit dilnin në fotografi tek Sadiku, në raste festash, dasmash apo fejese, dhe shkonin të merrnin fotografitë e tyre, Sadiku pa e prishur qejfin u thoshte: “Është djegur poza (apo filmi)”. Dalngadalë, kjo punë mori erë dhe njerëzit e humbën fare besimin tek Sadiku. Por për ndonjë rast të detyrueshem shkonin tek Sadiku , sepse vetem ai ishte fotograf i qytetit. I luteshin që të tregonte kujdes dhe mos t’ua digjte pozat. Ai prapë I digjte. Ne si kalamaj që ishim sa e herë e shikonim Sadikun duke nxjerrë fotografi njerëzit, i thërritshim me të madhe: T’u dogj poza o Sadik!
Kjo fjalë ngeli proverbiale në atë qytet. Për dikë që nuk pëlqehej për sjelljet e tij apo për punën dhe që e bënte fare baltë punën, i thoshim: T’u ka djegur poza ty more njeri si puna e fotograf Sadikut. Edhe unë more kryeministër i vendit tim, them se ty nuk të beson më njeri. Je bërë kaq karagjoz e kaq i pabesueshëm, sa kur del në TV, them çdo herë: Tu ka djegur poza o Sali.
Letër e nënshkruar: Bujar Cani