Sëmundjet tumorale dhe ato kardiovaskulare vijojnë të përbëjnë një shqetësim për popullatën shqiptare. Neglizhenca e kryerjes së kontrolleve të hershme, e ndihmuar kjo edhe nga mungesa e aparaturave dhe mjekëve specialistë, ka shtuar numrin e pacientëve që përballen me ndërlikime të rënduara, ku të shumta janë edhe rastet me pasojat fatale për jetën. Ndërmjet debatesh për gjendjen e rënduar në të cilën ndodhen spitalet, si dhe shifrat në rritje të sëmundjeve të rënda, deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, miratuan dje në unanimitet ratifikimin e marrëveshjes për eksport ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë Austriake, për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përmirësimi i pajisjes së spitaleve me aparatura diagnostikuese për trajtimin e kancerit, është domosdoshmëri. Sjellja e aparaturave të reja për radioterapinë do të ndihmojë pacientët që të shmangen nga përdorimi i tepruar i aparaturës së kobaltit, e cila përveç qelizave të sëmura çon edhe në shkatërrimin e shumë qelizave të shëndosha. “Në vendin tonë po shihet një rritje reale, mjaft e shpejtë e kësaj patologjie, me rreth 50 për qind, ku në 15 vitet e fundit dhe e pasuar edhe me rritje të vdekshmërisë”, nënvizoi Beqaj.
Aktualisht në Shqipëri, shërbimi i Onkologjisë në QSUT, mbetet i vetmi shërbim ku kryhet një trajtim multidisiplinar, pra ku kombinohen çdo ditë në të njëjtin “auditor” kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia. Vetëm tek kirurgjia regjistrohet një aktivitet prej 1600 operacionesh në vit, ndërsa radioterapia shërben për rreth 1000-1200 të sëmurë në vit. Por, kërkesat reale për këto shërbime janë shumë herë më të larta, çka i detyron pacientët që për javë të tëra të qëndrojnë në listat e pritjes. Ndërsa aparaturat unike si rrjedhojë e mbingarkesës shpesh herë dalin jashtë funksionit brenda një kohe të shkurtër nga vënia e tyre në përdorim. Pamje të cilën gjatë viteve të fundit e kemi parë shumë shpesh, e për të mos folur pastaj për rrethet të cilat janë në mungesë totale të aparaturave, çka i detyron pacientët që të marrin udhën drejt kryeqytetit për të marrë shërbimet përkatëse mjekësore.
Ajo që bie në sy është zbulimi shumë i vonë i këtyre sëmundjeve, trajtimi i të cilave mund të mos japë rezultatet e duhura në shërim. “Por, aparaturat aktuale, nuk mbulojnë dot kërkesat në rritje për këtë shërbim. Ndërkohë që aparatura e kobaltit që përdoret sot, përpos efektit mjekues, dëmton edhe qelizat e shëndosha rreth zonës tumorale, ndaj sot, kudo në vendet përreth, aplikohet rrezatimi me akserelator linear. Nëpërmjet këtij projekti, do të përfitohet akserelatori, shoqëruar me CT-skaner me lazer, injator kontrasti, si dhe dy printera”, ka deklaruar më tej ministri i Shëndetësisë. Në këtë formë do të shmanget edhe dëmtimi i qelizave të shëndosha, duke reduktuar përdorimin e aparaturës së kobalitit në çdo rast. Financimi për këtë projekt, do të jepet nga qeveria Austriake, përmes “Unicredit Bank Austria” dhe kap vlerën 2 milion euro.
Gjurmimi i kancerit në rrethe me 2 mamografë të lëvizshëm
Për të frenuar rritjen e tumoreve të gjirit, si dhe llojeve të tjera është menduar që dy ekspertë të mamografisë do të lëvizin në të gjitha rrethet e vendit për të kontrolluar në kohë rastet e reja, veçanërisht në rrethet më problematike ku këto shërbime mungojnë totalisht. Beqaj e vuri theksin gjatë fjalës së tij te sigurimi i dy mamografëve të lëvizshëm, me synim parandalimin e kancerit të gjirit. Sipas tij vetëm gjatë muajit të sensibilizimit për parandalimin e kancerit të gjirit, u vu re një dyfishim i ekzaminimeve, ndaj mendohet se me këto mamografë të lëvizhëm, do të rritet përfshirja e grave në moshë risku, sidomos në zonat rurale. Lidhur me interesimin e deputetëve për programin e depistimit, trajnimin e personelit për aparaturat e reja, si dhe për mbulimin me shërbim të specializuar Beqaj u përgjigj: “Padyshim që në programin e qeverisë, shëndetësia është një angazhim madhor. Dy nga grupet kryesore ku ne po fokusohemi edhe për shkak të përhapjes dhe fatalitetit të lartë janë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale. Ne synojmë parandalimin e hershëm të sëmundjeve nëpërmjet programit të depistimit që do të ndërmarrim për grupmoshën 40-65 vjeç, ndërsa për grupe të caktuara, do të parashikojmë protokolle mjekimi më specifike, si për shembull për gratë që jetojnë me ndihmë ekonomike, etj, për të ulur pragun e grupmoshës depistuese. Gjithashtu, dy aparaturat e lëvizshme që përmenda më sipër, do të prekin dhe zonat rurale, ku aksesi në shërbimet shëndetësore, është më i ulët”.
Kualifikim i personelit mjekësor pranë Agjencisë Bërthamore në Vjenë
Lidhur me trajnimin e personelit shëndetësor për aparaturat e reja, Agjencia Bërthamore në Vjenë, është e gatshme të marrë përsipër kualifikimin e specialistëve dhe fizikanëve që do të përdorin këto aparatura. Gjithashtu vlen për t’u theksuar edhe mirëmbajtja e tyre, si një komponent shumë i rëndësishëm. Këtë vit do të veprohet me kontrata të tipit ‘full-risk’, ndërsa vitin tjetër, mirëmbajtja e aparaturave, do të mbulohet nga Agjencia e Pajisjeve Biomjekësore. Lidhur me mbulimin më të mirë të shërbimit, së shpejti do të kemi edhe 14 mjekë onkologë që pritet të mbarojnë specializimin këtë vit dhe ato do të vendosen edhe në qendra të tjera, jo vetëm në Shërbimin Onkologjik.