Rreth dy javë më parë, një funksionar i lartë i shtetit gjerman publikisht i tregonte me gisht shqiptarët si një rrezik real për rendin publik në krejt kontinentin evropian; një deklaratë kjo e pahijshme dhe ndoshta e palogjikshme, por që me siguri ka zënë në opinionet e evropianëve më tepër vend se kundërshtimet që iu bënë, madje edhe prej meje. Qytetarët shqiptarë ende ndeshen në vështirësi e pengesa të pabesueshme, kur kërkojnë të ushtrojnë një të drejtë njerëzore aq elementare sa liria për të udhëtuar nga një vend në tjetrin. Shqipëria ka mbetur prapë jashtë Evropës dhe ende nuk dihet kur e si do të mund të integrohet në kontinent, për t’u bërë e barabartë mes të barabartëve. Falë përvojave të drejtpërdrejta, shkrimeve të shumta në shtyp, kritikave të vëzhguesve dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, të dhënave nga organet e ruajtjes së rendit dhe vetë protestave të opozitës brenda vendit, është koaguluar tashmë opinioni – në Shqipëri dhe në botë – se shteti shqiptar është i korruptuar deri në palcë, madje se vetë veprimtaria rutinë e institucioneve të shtetit e të pushtetit në Shqipëri synon para së gjithash pasurimin e pushtetarëve. Është turp të vazhdojmë me këtë qeverisje-banditësh.
Email nga adresa: [email protected]