U arratis nga komisariati i Krujës një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit, kapet i shumëkërkuari nga drejtësia italiane për rrëmbimin e një biznesmeni. Pas katër aksionesh të dështuara, policia vendore, e mbështetur edhe nga forcat speciale, arrestuan mëngjesin e djeshëm afër banesës së tij, të riun Lorenc Shota, 23 vjeç, banues në fshatin Bilaj. Më parë policia kishte ndaluar Emiljano Shotën, kushëririn e tij bashkëpunëtor në rrëmbim, ndërsa Lorenci përfitoi duke u arratisur nga komisariati më 24 qershor, ndërsa priste masën e gjykatës për efekt ekstradimi drejt Italisë.
Operacioni
“Kishim sinjalizime se i kërkuari vinte rrotull zonës ku banonte, kryesisht në orët e vona të natës. Pas një gjurmimi dhe survejimi të banesës në Bilaj, u bë e mundur që duke gdhirë dita e mërkurë, Lorenc Shota të kapej afër shtëpisë, pa asnjë rezistencë”, thanë burime zyrtare të policisë për këtë aksion. Interpol Roma e kishte shpallur në kërkim më datë 18 shkurt 2013, pasi Gjykata e Xhenovës në Itali, kishte nxjerrë ndaj tij urdhër-arresti për veprat penale “grabitje me armë” dhe “rrëmbim personi”. Në operacion morën pjesë edhe forcat RENEA, që rrethuan dhe neutralizuan të dyshuarin pa dëme në njerëz, pasi cilësohej me rrezikshmëri. Shota akuzohet për rrëmbimin me qëllim grabitjen e Andrea Calevo, biznesmen italian, në Xhenova dy vjet më parë, të cilit i kërkuan 8 milionë euro. Ai u arratis gjatë kohës qe mbahej si i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Krujës. Policia kishte bërë më parë edhe 4 operacione në zonë, Fushë-Krujë dhe Krujë, si dhe në fshatra, por Shota kishte arritur të shpëtonte. Pritet nxjerrja në gjykatë për efekt ekstradimi.
Durrës
Por dy ditë më parë është arrestuar edhe një tjetër i kërkuar nga Interpol Roma me dënime për krime të ndryshme, me qëllim ekstradimi. Policia e Durrësit sqaroi ditën e djeshme detajet e operacionit të arrestimit të shumëkërkuarit nga Italia, Artur (Gentjan) Kaçi, 35 vjeç. Gjykata e Sienës, më 29 nëntor 2006, e ka dënuar me 7 vjet e 9 muaj burg për “sulm e përleshje”. Kurse Gjykata e Apelit Perugia, më 12 maj 2009, ka dhënë “arrest në burg” për “vjedhje me dhunë”, “shkelje e ligjit mbi të huajt” dhe Gjykata e Apelit Firence, më 30 janar 2010, për “vjedhje me dhunë”, “keqpërdorim i kartave të kreditit”, “trafik droge”, “dëmtim, kërcënim, sulm, plaçkitje”.