Renditja e dhjetë preferencave, me anë të cilave konkurrohet për të siguruar vijimin e studimeve të larta në publik do t’u kushtojë maturantëve 2000 lekë. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur gjatë ditës së djeshme tarifën që duhet të shlyejnë rreth 40 mijë maturantët që pretendojnë për të vijuar studimet e larta në një nga fakultetet publike. Pasi të kenë shlyer detyrimin në një nga bankat e nivelit të dytë maturantët mund të vijojnë plotësimin online të preferencave.
Përmes formularit A2, maturantët e suksesshëm në të katër provimet e maturës (dy provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje), do mund të listojnë në rend zbritës 10 degët ku duan të vijojnë studimet e larta sipas rendit zbritës.
Njëkohësisht edhe për maturën e këtij viti plotësimi i këtij formulari do të bëhet tërësisht onlinë, sipas një kalendari të caktuar datash për të gjitha rrethet në vend. Në një prononcim të dhënë për gaztën “Dita”, drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu konfirmon se dhjetë ditë është afati i lënë në dispozicion të maturantëve për plotësimin e formularit A2.
“Plotësimi i formularit pritet të nisë rreth datave 20 ose 21 korrik. Aplikimi këtë vit do të bëhet online, ndërkohë që nuk parashikohen ndryshime sa i takon procedurës së plotësimit apo kushteve për listimin e preferencave. Plotësimi i formularit do të përfundojë rreth datës 30 korrik. Mund të themi se maturantët do të kenë më shumë mundësi për të zgjedhur, pasi këtë vit janë shtuar rreth 25 programe të reja universitare, të detajuara këto në brendësi të formularit A2”, deklaron Vejsiu.
Aktualisht një numër i madh maturantësh nuk kanë ende në duar rezultatet e provimeve. Shkak për këtë situatë bëhet grumbullimi mënjanë i shumë testeve të dyshuara për kopje, të cilat do ti nënshtrohen verifikimit nga një tjetër komision ekspertësh që është ngritur së fundmi me urdhër të Ministrit të Arsimit.
Gjithashtu ka edhe teste të cilat janë vënë mënjanë, jo vetëm për kopje, por edhe për shkak të mos përputhjes së të dhënave apo të shenjave, qoftë edhe gabimisht të bëra gjatë ditës së provimit nga maturanti. Por, pavarësisht këtij fakti këta maturantë nuk do të penalizohen nga e drejta për plotësimin e formularit A2. Komisioni do t’u rikthejë një përgjigje këtyre maturantëve, në lidhje me rezultatin e tyre para mbylljes së afateve të plotësimit të formularit A2.
Rreth 11 mijë është numri i maturantëve që mbeten jashtë garës për të plotësuar formularin A2, pasi këta maturantë janë vlerësuar me nota negative në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje, të cilat duhet t’i japin sërish gjatë muajit shtator. Vetëm pasi të kenë marrë rezultatet kaluese do mund të aplikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Ndërkohë, 5 deri në 6 mijë maturantë të tjerë gjatë këtij viti kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta edhe në universitetet e huaja.
Përzgjedhja e duhur e degëve universitare
Për të mos rrezikuar ndjekjen e studimeve të larta në fakultetet publike në vitin e ri akademik 2013-2014, maturantët duhet të verifikojnë me kujdes të gjithë elementët e përllogaritjes së rezultatit final që i çojnë ata drejt degëve fituese.
Për të siguruar një të drejtë studimi në universitetet publike maturantët duhet të vënë balancën e duhur, pikët e grumbulluara nga provimet, mesataren e shkollës së mesme dhe kërkesën për çdo degë studimore. Duke iu referuar të dhënave të bëra publike gjatë maturave të mëparshme, ka rezultuar se për një sërë degësh, të cilat rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat në rang vendi, mund të konkurrojnë vetëm një kategori e caktuar maturantësh.
Konkretisht bëhet fjalë për ata nxënës që krahas rezultateve të larta të marra në provimet e maturës kanë edhe një mesatare të lartë të shkollës së mesme. Kjo pasi për programet më të kërkuara, ku përfshihen degët si stomatologji, mjekësi, farmaci, drejtësi, inxhinieri ndërtimi, financë, psikologji, apo shkenca politike, inxhinieri elektronike apo informatike, ka rezultuar që fituesit e fundit të pranuar krahas totalit të lartë të pikëve të grumbulluara nga matura, kanë pasur edhe mesatare të lartë të shkollës së mesme, përkatësisht mbi notën 8.
Si rezultat i këtyre përllogaritjeve një maturant që ka notë mesatare rreth 6-s, apo pak më shumë se kaq, si dhe rezultatet të provimeve në këtë nivel, nuk duhet kurrsesi të vërë në preferencat e tij të para degët e përmendura më lart, pasi mundësitë për t’u shpallur fitues janë tepër të vogla. Në këto kushte, ata do të rrezikonin edhe të drejtën për të qenë ndërmjet listave fituese në programet universitare ku kanë më shumë shans për të qenë fitues. Kandidatët që duan të vijojnë studimet në degët e arteve apo të sporteve duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë plotësimit të formularit A-2. Kjo pasi pranimet në këto degë do të përzgjidhen nga testimet specifike, që do të zhvillohen në fund të muajit gusht. Kështu, maturantët-kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs, si: arte, sporte, dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin për t’u shpallur fitues në këto degë.
Roli i koeficienteve
Krahas rezultateve të arritura në provime rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e degëve që ju bëjnë fitues për universitete luajnë edhe koeficientet. Kështu, para se të listoni dhjetë programet më të kërkuara, konsultohuni me llojin e koeficientit të përcaktuar për të gjitha lëndët me zgjedhje nga secili universitetet, si dhe llojin e koeficientit që i takon shkollës së mesme që ju keni kryer. Paketa informuese e shpallur në faqen zyrtare të MASH, www.mash.gov.al ka të detajuara të plota të gjitha llojet e koeficienteve që do të përdoren në formulën e llogaritjes së pikëve totale të maturës. Kandidatët për universitete mund të bëjnë vetë përllogaritjet e pikëve që mund të grumbullojnë (përllogaritje e cila mundësohet në saje të disponimit të rezultateve për dy lëndët e detyruara dhe dy lëndët me zgjedhje, si dhe llojet e koeficienteve të shkollës dhe lëndës me zgjedhje). Rezultatin që del nga llogaritja nëpërmjet formulës tradicionale maturanti duhet ta krahasojë me pikët e fituesit të fundit të pranuar në çdo program një vit më parë. Vetëm në këtë rast ai mund të bëjë një përzgjedhje më të drejtë të degëve, në të cilat kanë probabilitetin më të madh për të qenë fitues. Ndërsa kandidatët që duan të vijojnë studimet në degët e arteve apo të sporteve duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë plotësimit të formularit A2. Kjo pasi pranimet në këto degë do të përzgjidhen nga testimet specifike, që do të zhvillohen në fund të muajit gusht. Kështu, maturantët-kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs, si: arte, sporte, dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin për t’u shpallur fitues në këto degë.