I shoqëruar disa herë në polici për dhunë ndaj gruas, e mbyll rrugëtimin e tij kriminal, me dy vrasje. Punonjës i repartit Ushtarak në Zallher, por pjesë e stafit civil, Ilirjan Cani ekzekuton gruan e tij dhe më pas qëllon veten me një plumb. Ngjarja tragjike shënon viktimën e tretë grua të vrarë nga burri brenda një harku kohor prej 60 orësh. Ajo ndodhi pasditen e djeshme në kryeqytet, në rrugën “Sadik Petrela”, pranë “Venue Club”. Fqinjët kanë treguar se pak para se të dëgjoheshin krismat e armës, midis çifti pati një sherr. Në fillim ai ka zbrazur pesë plumba mbi trupin e gruas së tij, kurse me të gjashtin ka qëlluar veten. Alketa Cani 37 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, 12 dhe 13 vjeç që nuk janë ndodhur në shtëpi, vdes në vend, kurse Ilirjan Cani dërgohet në Spitalin Ushtarak në vdekje klinike.
Problemet
Çifti debatonte herë pas here për shkak se 42-vjeçari, Ilirjan Cani, konsumonte pije alkoolike. Kësaj here konflikti ka kaluar deri në përdorimin e armës, me të cilën Ilirjani ka qëlluar nënën e fëmijëve të tij, e cila punonte si shitëse në një nga dyqanet kryesore të xhinseve në Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes, gazetarët u informuan se autori Ilirjan Cani ishte shoqëruar disa herë në polici për dhunë ndaj gruas së tij. Por megjithatë ai kishte vazhduar të konsumonte alkool dhe të rrihte gruan e tij. Informacionet tregojnë se gruaja më parë kishte humbur dy punë, për shkak të probleme që I shkaktonte I shoqi në ato ambiente. Por prej disa kohësh kishte mundur të mbijetonte si shitëse, ku shpesh herë i duhej të shmangte të shoqin e dehur nga konflikti me persona të tjerë. Ekspertët më të mirë shkuan mbrëmë në vendin e ngjarjes, për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e krimit.
Leave a comment