Zbatimi në terren i projektit për ndërtimin e Kampusit Universitar të Tiranës do të nisë brenda vitit. Nisja e punimeve është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga vetë rektori i UT-së, Dhori Kule, sipas të cilit është siguruar edhe leja e ndërtimit që i hap udhë punimeve për ngritjen e strukturës së re universitare. Lidhur me ecurinë e punimeve, rektori Kule ka sqaruar se fillimisht do të zhvillohen procedurat e tenderit nga ku do të përzgjidhen subjektet që do të marrin përsipër zbatimin në terren të projektit të aprovuar prej kohësh për ndërtimin e Kampusit Universitar. Me ngritjen e Kampusit të ri universitar, jo vetëm që do të mblidhen në të njëjtin ambient të gjitha fakultetet e këtij universiteti, (aktualisht janë të shpërndarë), por do t’i jepet zgjidhja përfundimtare edhe mbingarkesës së auditorëve nga prurjet e reja që shton vit pas viti.
Ndërkohë që mbingarkesa është klasifikuar si një ndër problematikat që mban peng zhvillimin cilësor të universiteteve. Për zbatimin e këtij projekti që u vjen në ndihmë problematikave universitare, Kule ka theksuar edhe nevojën e bashkëpunimit me Qeverinë e re. “Universiteti i Tiranës me këtë leje i jep fund në mënyrën më moderne perëndimore zgjidhjes së problemit të infrastrukturës. Me fillimin e vitit akademik 2013-2014 pjesa që merret me problemet financiare në UT do të fillojë procedurën e tenderimit. Kemi dëshirë që kjo të bëhet me tender ndërkombëtar. Duam që të bëhet një kampus jo vetëm i nivelit, por edhe cilësisë si ato që kemi parë në Evropë”, ka nënvizuar Kule. Lidhur me financimin e këtij projekti, vetë Universiteti i Tiranës do të kontribuojë me të ardhurat e vetë UT por ndërkohë, mendohet se do të shfrytëzohet edhe një bashkëpunim i mundshëm me donatorë për realizimin e këtij projekti.
Më tej ai është ndalur edhe në projektet më të fundit që e presin UT-në këtë vit akademik. Bashkëpunim me ndërkombëtarët, më shumë fonde dhe eksperienca për profesorët dhe studentët, janë risitë që do të shënojnë nisjen e vitit të ri akademik. Në këto kushte duke filluar nga tetori i këtij viti, Universiteti i Tiranës do të bashkë-koordinojë programet e mobilitetit të studentëve të Bachelorit, Masterit dhe Doktoraturës në dhjetë universitetet më të mira të Evropës Perëndimore. “Këtë vit ka fituar të drejtën për të qenë bashkëkoordinator i projektit “Erasmus Mundus, së bashku me universitetin e Gracit ku janë 10 universitete Perëndimore dhe 10 të Ballkanit Perëndimor. Është nga rastet unikale që një universitet i vendeve në tranzicion bëhet i barabartë në koordinim me universitetet perëndimore”, ka theksuar Kule.
Aktualisht universitetet janë në pritje të udhëzimeve se si do të realizojnë pranimet e reja që do të përzgjidhen përmes maturës shtetërore, Gjatë fjalës së tij, rektori Kule ka theksuar se përzgjedhja e Universitetit të Tiranës për të ndjekur studimet, e rrit shkallën e përgjegjshmërisë për të ofruar shërbime sa më cilësore për studentët. Në drejtim të arritjeve akademike, është konfirmuar edhe rritja e kualifikimeve në radhët e pedagogëve. Sipas tij universiteti është duke përparuar për të përmirësuar ndryshimin e kurrikulave sipas nevojave të tregut si dhe ofrimin e arsimimit cilësor në përputhje me kërkesat e tregut të punës.