Emisioni “Piazzapulita” në Itali dëshmon rastet e një fenomeni në rritje, ku adresa interneti ofrojnë shërbime erotike ‘online’ të dhjetëra-mijëra vajzave që zhvishen kundrejt tarifave të caktuara. Nuk ka përjashtime: të diplomuara, të martuara, të gjitha e praktikojnë si një profesion të dytë për shkak të pamundësive ekonomike
Në Italinë e të papunëve ekziston drama e grave dhe vajzave që vendosin të zhvishen para kamerave në internet, për të përballuar vështirësitë ekonomike që janë shtuar për shkak të krizës. Në programin televiziv mbi çështjet politike dhe të aktualitetit, “Piazzapulita”, gazetarja Françeska Manoki ka mbledhur historitë e “vajzave webcam”, të cilat paraqiten nudo në adresa të caktuara interneti kundrejt një pagese. Në materialin e realizuar nga gazetarja, shpjegohet se në Itali janë rreth 75 000 femra që e praktikojnë si një zanat të dytë. Por sipas “Pianetadonna.it”, fenomeni është edhe më i përhapur dhe numri i vajzave italiane që zhvishen ‘online’ tashmë i ka kaluar 180 000.
Në jurisprudencën italiane kjo veprimtari konsiderohet krim dhe konfigurohet në atë të prostitucionit edhe pse shërbimet seksuale ofrohen nëpërmjet videokonferencave, në anën tjetër të monitorit të kompjuterit ndodhet një person që paguan.
“Punoja në një studio avokatësh, pastaj më dërguan në shtëpi për një kohë të pacaktuar. Kisha nevojë për të ardhura dhe kështu nisa të punoj si pastruese dhe kameriere në një bar, por më pushuan edhe aty, kështu që fillova të zhvishesha për përdoruesit e rrejtit”, tregon një vajzë, e diplomuar për jurisprudencë, e cila preferon të mbetet anonime.
Ajo shpjegon se duhet shumë pak për t’u bërë një “vajzë webcam”-i: “Një kompjuter, një lidhje me internetin dhe po të bësh xhiron nëpër të, mund të gjesh dhjetëra adresa të “specializuara” që ofrojnë këtë lloj shërbimi. Mjafton të bësh disa foto, të regjistrohesh dhe, nëse të pranojnë e vendos ti çmimin që dëshiron. Në fund, pret që ndonjë ndjekës të kontaktojë me ty dhe kur kjo ndodh, fillon e zhvishesh… Në këtë mënyrë ia dal të mbyll muajin pa pasur shqetësimin e faturave”, thotë vajza.
Gazetarja shpjegon se të gjitha “procedurat” kryhen në të zezë, një treg vazhdimisht në zgjerim dhe plotësisht i paligjshëm: Janë pa fund paratë që qarkullojnë në këtë rrjet dhe asgjë nuk taksohet.
“Jam e martuar, bashkëshorti im e di se çfarë bëj, por është e vetmja mënyrë për të jetuar”, thotë një grua në moshë të mesme. Për sa kohë mund të punohet brenda një dite? “Kjo është relative. Unë filloj mbasdite, pushoj dhe pastaj rifilloj pas orës 22:30”, shton ajo.
Faqe të tëra në internet që shfaqin lista me imazhet e qindra grave, të gatshme për t’u zhveshur dhe secila me tarifën e saj. Eksperiencat e tyre janë të ngjashme, një pjesë e madhe janë vajza që kanë mbaruar universitetin dhe mungesa e mundësive të punësimit i ka hedhur në rrugën e fitimit të parave të lehta. Të gjitha këto raste pasqyrojnë Italinë e lodhur nga kriza dhe recensioni i viteve të fundit.
“Punoj me kohë të pjeshme, ndihmoj fëmijët në mësime pas shkolle, por kostoja e jetës është tepër e lartë këtu dhe paratë nuk dalin. Nuk e di se si do t’ia dilja mbanë po të mos kisha këtë si alternativë të dytë”, thotë një tjetër vajzë.
Të gjitha duken të tërhequra nga “paratë e thjeshta”, të cilat për një muaj mund të variojnë nga 800 euro deri në 4-5.000 të tilla, varet nga koha që i dedikon. Adresat e specializuara që ofrojnë këtë lloj shërbimi, mbajnë 20-50% të fitimeve dhe pothuajse të gjitha i kanë bazat në parajsat fiskale. Përgatiti: Dorina Gjuzi
Keqardhje qe duhet te vuajne njerezit dhe te marrin hapa te tilla, vetem e vetem se 5 njerez te ndyre ne Wall St krijuan tere kete krize financiare qe ka 5 vjet qe lengon kudo.
Shikoni ne youtube nje dokumentar “Wake-up Call” dhe do kuptoni pse u krijua kjo krize.