Mbyllet “Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës”. Përgjatë gjithë javës së shkuar strukturat e shëndetit publik në vend kanë ndërmarrë një sërë aksionesh për të ndërgjegjësuar popullatën rreth ndërlikimeve të kësaj sëmundje, si dhe hapësirave të mundshme të kontrollit. Prioritet i është dhënë edhe kualifikimit të stafit mjekësor në kapjen e hershme të simptomave tek pacientët e tyre. “Me aktivitetet e ofruara është bërë e mundur që edhe ofruesit e kujdesit shëndetëso, mjekët, infermieret, etj, të marrin informacionet e sakta lidhur me programet e depistimit dhe vaksinimit kundër kancerit të qafës së mitrës në mënyrë që t;u përgjigjen pyetjeve të publikut dhe ti inkurajojnë ata të përdorin këto shërbime, shprehet specialistja e ISHP-së lumturi Mërkuri. Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së një femre. Ai renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës përbën gati gjysmën e rasteve me tumore malinje që prekin aparatin genital femëror. Por, në pjesën më të madhe të rasteve ky lloj kanceri kapet në faza mjaft të avancuara.
Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është një lloj virusi i quajtur Human Papiloma Virus ose HPV. Ka më tepër se 100 tipe të virusit HPV, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksual. Ky është një virus i cili pasi hyn në organizëm mund të mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje, por personat që e mbartin mbeten infektues për partnerët e tyre seksual. Çdo grua është në risk për kancer të qafës së mitrës,pavarësisht nga mosha. Por, femrat të cilat bëhen seksualisht aktive në një moshë shumë të re, që kanë shumë partner seksual apo partnerët e të cilave kanë të tjerë partner seksual janë në rrezik më të madh.