Lojtari i krahut, Valdet Rama, është një nga “fiksimet” e trajnerit të përfaqësueses së Shqipërisë Xhani De Biazi, por edhe disa klubeve italiane. 27-vjeçari vlerësohet si një lojtar me profil të lartë pasi përveç talentit ai zotëron edhe pasaportë gjermane, pra është komunitar. Ky fakt u mundëson skuadrave italiane që të kursejnë vendin e ekstrakomunitarit për ndonjë lojtar tjetër e ndërkohë fakti tjetër që Rama është pa kontratë (pasi është liruar nga kontrata me Valladolidin, e rënë në Segunda Division), i bën ato të kursejnë shumë para nga 1 milion euroshi që aktualisht vlerësohet kartoni i tij. Pra Valdet Rama është “njeriu merkato” i momentit. Një javë më parë nga Spanja u raportua se Rama mund të qëndronte sërish në Primera Division pasi për të interesoheshin Deportivo La Coruna dhe Eibar por tashmë sikurse raporton tuttomercatoueb interesimi për Valdet Ramën është shfaqur edhe në Itali. Portali italian raporton se Genoa duket disi më në vështirësi nga Sassuolo apo Atalanta, pasi ajo duhet më parë të shesë dhe të sistemojë lojtarët që i ka cilësuar si të pa-nevojshëm. Gjithashtu tuttomercatoueb cilëson si një faktor kyç faktin se Valdet Rama është klient i Avokat Frederico Frenit nga Torino (i cili rezulton të jetë dhe burimi i informacionit për portalin italian), që ka shumë kontakte me klubet respektive.
Në Primera Divizion, Valdet Rama luante prej 1 sezoni e gjysmë, me punën dhe cilësitë e tij që vlerësohen nga dy prej tri ekipeve që janë ngjitur sivjet mes më të mirave, por sipas burimeve pranë lojtarit Deportivo La Korunjës dhe Eibari po intensifikojnë bisedimet. Gjithsesi, më shumë sesa Spanja, e ardhmja e ish-futbollistit të Hanoverit pritet të jetë në Turqi, ku është folur shpesh mbi interesimin e Beshiktashit. Mbase, nëse deri pak orë më parë klubi i Stambollit nuk kërkonte që të shpenzonte shumë parà për të bërë të vetin Ramën, tashmë që “mëngjarashi” është një lojtar i lirë, ai mund të akomodohet me më lehtësi te Beshiktashi, ndonëse diçka më shumë do mësohet ditët në vazhdim, sepse në radhë për të janë edhe shumë klube të tjera turke. Për sa i përket aventurës së tij te Valadolidi, futbollisti shqiptar grumbulloi 31 prezenca në Spanjë. Sipas asaj që shkruajnë mediat turke, Beshiktashi interesohet për 26-vjeçarin, i cili do të ishte i gatshëm të niste një eksperiencë të re në Superligën turke me një prej tre klubeve më të mëdha të Bosforit. Për Valdet Ramën, spanjollët e Valladolid që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Segunda Division kërkojnë 1 milionë euro, një shifër kjo jo shumë e lartë për një klub si Beshiktas.