Letër te DITA
Jashar Lleshi, ish-mësues
Kam punuar shumë vite si mësues në zonat e Peshkopisë. Puna me fëmijët më ka bërë të ndjeshëm ndaj tyre. Më ka bërë përshtypje një realitet tronditës. Shikoj përditë, shumë fëmijë që punojnë, madje edhe shumë të mitur, të vegjël në moshë. Kam biseduar me disa prej tyre “si prind” dhe ata më kanë pohuar se punojnë të detyruar prej varfërisë në familje, mbasi prindërit i kanë pa punë, të sëmurë ose janë fëmijë produkt divorcesh, pa mbështetje familjare dhe ekonomike. Në Tiranë, ku unë jetoj aktualisht, ky fenomen është shumë i përhapur. Në çdo hap në rrugë dhe qendra pune e shërbimesh private të mesme e të vogla, shikon fëmijë të moshës 10-16 vjeç që punojnë si të rritur, me të njëjtin orar e ngarkesë pune, madje në disa raste edhe më shumë e në punë më të rëndomta e të rrezikëshme për shëndetin dhe jetën e tyre. Me sa kam dëgjuar në TV, Inspektoriati i Punës ka nisur një aksion për të bllokuar dhe eleminuar punësimin e fëmijëve. Por vetëm puna e këtij inspektoriati nuk mjafton. Kërkohet një sensibilizim i të gjithë institucioneve që nga strukturat ligjore, shkolla, qytetarët e deri tek shoqëria civile. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe punësimi i tyre në mënyrë skllavëruese e antiligjore, nuk duhet të mbetet vetëm nëpër fjalime në seminare, uorkshope e statistika, apo në fushata sensibilizuese fletushkash e takimesh me komunitetin. Është koha që ligji të veprojë, sepse ai ka fuqinë të ndalë këtë realitet. Ndërsa njihen sanksionet ndaj subjekteve e individëve që shfrytëzojnë punën e të miturve, legjislacioni shqiptar nuk parashikon asnjë masë ndëshkimore ndaj prindërve që jetojnë me punën e fëmijëve të tyre.
besa meir e ke shkrujt o profesor Jashari, eshte mbush dinjaja me femjie qe lypin e punojne si skllava, ta lumsha mendjen per ket qe ke fol drejt e ke