Çështja e teatrit legjendar në Rusi dukej se ishte arkivuar me rrëfimin e balerinit Pavel Dmitriçenko, i cili pranonte se ishte ai që kishte urdhëruar sulmin me acid sulfurik ndaj drejtorit të teatrit, Sergei Filin. Por ka një të re: një apel i nënshkruar nga 300 kolegët e Dmitriçenkos, të cilët e konsiderojnë pranimin e fajit si një “akt të detyruar”
Më 17 janar në Rusi një person i maskuar sulmoi Sergei Filinin, drejtorin artistik të teatrit “Bolshoi Ballet”. Lajmi për sulmin e dhunshëm bëri xhiron e botës. Javën e kaluar u zbulua që balerini Pavel Dmitriçenko ka qenë urdhëruesi i sulmit, fakt i bërë publik pas rrëfimit të tij para hetuesve.
Balerinët që e njihnin Dmitriçenkon, i kanë shkruar një letër Vladimir Putinit ku theksohet se rrëfimi i tij se ishte përgjegjës i aktit të dhunshëm ndaj Filinit, ka qenë një akt i forcuar. Me sa duket, misteri nuk është zhdukur dhe hetimet duhet të vazhdojnë në kursin e tyre derisa të faktohen akuzat mbi balerinin.
Sulmi ndaj drejtorit artistik nuk ishte një surprizë, sepse ai kishte shfaqur edhe më parë shqetësimin për disa kërcënime që kishte marrë nëpërmjet telefonit. Sergei Filini po kthehej në kryeqytetin rus pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e 150-vjetorit të lindjes të regjisorit historik Stranislavski, kur mbeti viktimë e sulmit të dy keqbërësve që i hodhën acid në fytyrë. Sipas tij, mbas këtij gjesti qëndronte xhelozia profesionale. Në muajt e kaluar, ai kishte folur për disa telefonata kërcënuese anonime që kishte marrë, si dhe për një faqe në “Facebook” që e zhvlerësonte si personalitet artistik, por nuk besonte se ishte në rrezik, madje kishte refuzuar të merrte edhe truproja, siç pohon edhe asistentja e tij, Dilaiara Timergazina për “New York Times”.
“The Guardian” shton: “Në gjyq Dmitriçenko e ka akuzuar Filinin për favorizime në ndarjen e bursave të studimit”, por edhe një akuzë e tillë është pak për të justifikuar brutalitetin e sulmit. Në fakt, një numër i madh balerinësh dhe hetuesish mbështesin teorinë e pranimit të detyruar të fajit. Ndërsa, sipas prokurorëve të çështjes, balerini është shtyrë në një gjest të tillë nga mosmarrëveshjet që ka pasur brenda kompanisë së baletit. Një tjetër element që luan kundër tij, është prania e dëshmitarëve që tregojnë për flirte midis të fejuarës së tij, Anzhelina Vorontsova dhe Filinit.
Anatoli Iksanov, drejtori i teatrit moskovit, në një intervistë për kanalin “Russia1” ka përdorur fjalë të forta në përputhje me tezën e 300 balerinëve që mbështesin kolegun e tyre, Dmitriçenko. “Sulmuesi i vërtetë është ende i lirë dhe hetimet duhet të zbulojnë kush është”, tha Iksanov.
Treqind kolegët firmosës të letrës së hapur dërguar Vladimir Putinit janë shprehur se “kushdo që e njeh Dmitriçenkon do ta konsideronte absurditet idenë që mund të jetë ai pas agresionit të dhunshëm”. Sipas prokurorëve, zbatuesi i aktit është Juri Zarutski, shoferi Andrei Lipatov, ndërsa dërguesi Dmitriçenko. Nuk dihet ende nëse Putini do t’i japë japë rëndësi letrës dhe për rrjedhojë të urdhërojë një hetim paralel.
Përgatiti: Dorina Gjuzi