Një grua 45-vjeçare ka ndërruar jetë sot në spital pas dhunës barbare të ushtruar mbi të nga i shoqi dy ditë më parë. Lumturi Selimaj ndërroi jetë sot në spitalin e Vlorës, për shkak të plagëve të rënda në kokë. Episodi i dhunës në familje u shënua në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në fshatin Alikokë. Gëzim Selimaj, 49 vjeç, e ka qëlluar me vare në kokë dhe trup gruan e tij, pas një konflikti të nisur mes tyre, në prani të fëmijëve: një djalë dhe një vajzë 11 dhe 15 vjeç.
Goditjet në kokë i kanë shkaktuar dëmtime të mëdha gruas duke e çuar në gjendje kome. Burri ka lajmëruar policinë për ngjarjen, ndërsa gruaja është dërguar menjëherë në spital, ku ka ndërruar jetë sot. 49-vjeçari është vënë në pranga me akuzën “vrasje me dashje”.