Mbrojtja e vajzave dhe grave nga dhuna, sigurimi i shanseve të barabarata dhe rritja e mundësive ekonomike të tyre janë prioritete të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kështu ka deklaruar Ministri i MSR-së, Erion Veliaj, në tryezën e organizuar sot nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, ku u prezantuan përfundimet e projektit: “Fuqizimi i gruas: Ndërtimi i kapaciteteve për të përmirësuar aksesin ndaj mundësive ekonomike me një fokus të veçantë ndaj viktimave të dhunës në familje”.
Në tryezë ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, Këshilltari i Ministres së Arsimit dhe Sporteve, Arbi Mazniku, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, Drejtoresha Ekzekutive e “Linja e Këshillimit për Gra e Vajza”, znj. Iris Luarasi, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Vodafone Albania”, Albi Greva
Në fjalën e tij, Veliaj tha se qeveria shqiptare ka një plan konkret në luftën kundër dhunës dhe ka të bëjë me parandalimin, fuqizimin e shërbimeve, arsimimin profesional dhe punësimin e grave dhe vajzave. “Ne kemi vendosur që të transformojmë mënyrën se si përdoren financat publike për të fuqizuar zonjat dhe zonjushat në shoqërinë tonë. Do të orientojmë ndihmën ekonomike, në mënyrë që të jetë më e akseksueshme për zonjat e shtëpisë, si dhe duhet të thyejmë ciklin e kulturës së dhunës, duke përdorur të gjitha masat e diskriminimit pozitiv”. Veliaj tha se shërbimet sociale shtetërore do të reformohen duke krijuar shërbime të reja dhe efektive, si dhe duke u lidhur më mirë me shërbimet e tjera si ato ligjore, shëndetësore, të punësimit; po ashtu do të nxitet krijimi i strehëzave të grave dhe në rajone të tjera dhe do të forcohet monitorimi i masave ndaj dhunës ndaj grave.
Ministri Veliaj shtoi se në institucionet ku shpërndahen paratë e taksapaguesve, si ndihma ekonomike ose në institucionet ku me paratë e taksapaguesve fuqizohen ekonomikisht njerëzit, si arsimi profesional, do të përdorim të gjithë fuqinë e diskriminimit pozitiv dhe politikave gjinore për të arritur që gratë të gëzojnë të drejtat e tyre. “Programi ynë qeverisës parashikon riintegrimin e grave dhe vajzave viktima të dhunës, nëpërmjet ofrimit të banesave sociale, punësimit, formimit profesional dhe ndihmës e shërbimeve sociale” u shpreh z. Veliaj.
Nga ana tjetër, Ministri Veliaj shtoi se MMRS-ja do të shërbejë si institucioni drejtues për koordinimin e veprimeve dhe bashkëpunimit me institucione të tjera përgjegjëse për parandalimin dhe adresimin e dhunës ndaj grave dhe promovimin e shanseve të barabarta.
etëm gjatë vitit 2012 në media janë raportuar 22 gra dhe vajza të cilat kanë humbur jetën si rezultat i dhunës së ushtruar mdaj tyre në familje. Vetëm gjatë vitit 2013 kemi mbi 400 kërkesa për urdhëra mbrojtëse kërkuar nga gratë në gjykatat e vendit. Siç konfirmuan edhe gjetjet e projektit të Aleancës Gjinore për Zhvillim, niveli i papunësisë dhe mundësitë e ulëta ekonomike kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me rritjen e shkallës së abuzimit dhe dhunës në familje.
Projekti në fjalë u realizua në periudhën shkurt 2012 – korrik 2013 në qytetet e Shkodrës, Pukës, Lezhës, Laçit, Milotit, Ulzës dhe Burrelit, në partneritet me institucionet vendore dhe me vetë gratë e këtyre zonave dhe u financua nga Bashkimi Europian në kuadër të instrumentit EIDHR.