Sekretari i Rinisë dhe Emigracionit në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, shfaqet më energjik dhe më i qartë në ato që opozita do të bëjë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Duke renditur dhe sqaruar strategjinë se si do zbatohet taksa progresive dhe si do ringrihet sistemi i drejtësisë, Veliaj kujton se pa ndëshkueshmëri dhe vullnet për ta bërë atë gjë, nuk ka për të pasur kurrë drejtësi. Sipas tij, Partia Socialiste ka një plan të qartë dhe strategji që po e zbaton, kurse kundërshtari ka vetëm fjalë dhe kopjon shëmtueshëm. Për Veliajn, miti i Berishës ka rënë, ndërsa tashmë shqiptarët e njohin thjesht si një mashtrues. Atij i janë larguar figura tepër qytetare si Topi e Mustafaj, kurse qytetarët janë të zhgënjyer nga keqqeverisja e 8 viteve. “Sali Berisha u ul në karrigen e Ismail Qemalit dhe premtoi ligjin e shtetësisë për 2 javë kohë, por tashmë që kanë kaluar më shumë se dy muaj, ai ligj jo vetëm që s’ka kaluar, por është harruar”, thotë ai. Ndërsa i hap derën të gjithë qytetarëve dhe figurave të reja që duan politikën dhe PS… Më poshtë intervista e plotë dhënë për “Ora News”…
Çfarë do të bëjë PS për drejtësinë pas zgjedhjeve dhe a mbani ndonjë përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet sistemi i drejtësisë?
Së pari, ne kemi thënë që dosjet që janë mbyllur nga kjo mazhorancë do të rihapen nga qeveria e socialistëve. Sot ka një konsensus në publik se drejtësia nuk funksionon në Shqipëri. Sa i përket, përgjegjësisë së Partisë Socialiste po pyet një tridhjetëvjeçar që përpara 16 vitesh ka qenë katërmbëdhjetë vjeç. Ne sot nuk kemi asnjë zyrtar me imunitet dhe nuk ka një procedim penal për një zyrtar. Unë besoj se ku ka vullnet politik ka dhe rrugëdalje, deri tani këtu ka munguar vullneti për të vendosur drejtësi. Ka shumë njerëz që me të drejtë thonë që duhet dënuar nga të dy palët si nga ata që protestuan edhe nga ata që vranë, siç ishin gardistët. Ka shumë të dënuar nga protestuesit dhe asnjë të dënuar për vrasje. Nga ana e qytetarëve që ishin në protestë kemi vite burg dhe nga ana tjetër vitet burg janë zero. Gjithmonë themi edhe këta edhe ata e asnjëherë nuk bëjmë një bilanc real. Është shumë e rëndësishme që t’i shohim gjërat në mikro jo vetëm në makro. Sheshi i qytetit është për të protestuar kur je i pakënaqur. Ky grup për sa kohë nuk përdori armë kundër protestuesve. Kemi njerëz që thonë se qeveria është hekuri apo muri, ne mendojmë se është koncepti se si të qeverisësh vendin. Ne kemi parë parlamente evropiane që ka pasur thyerje xhamash e karrigesh por s’kemi parë asnjë të vrarë.
Do të kemi një program të publikuar?
Tashmë kemi një program publik me katër tema që nuk e ka qeveria. Më pas do të kalojmë në një paketë për të shpalosur se çfarë do bëjmë në 100 ditët e para. Do i themi çdo qytetari që merre një makinë llogaritëse dhe bëj llogari se si del më mirë me taksë progresive apo të sheshtë duke ia shpjeguar me gjëra konkrete. Dhe dua të them se në betejën me idetë, Partia Socialiste ka pasur epërsi ndaj kundërshtarit.
Zoti Veliaj, çfarë fushate do të kemi nga ana e Partisë Socialiste, do të jetë pozitiv apo negativ?
Jemi munduar të largohemi nga retorika boshe propagandistike dhe të flasim për gjëra konkrete. Nëse sot jeton në Burrel dhe sëmuresh, të vizitohesh atje dhe jo të detyrohesh të shkosh diku tjetër. Njerëzit kanë nevojë të shohin te Partia Socialiste kompetencën për të gjetur një zgjidhje.
Meqë na u përmend Burreli, mirë është zoti Rama me shëndet duke kujtuar problemet që pati dy ditë më parë me tensionin?
Zoti Rama, është shumë në formë. Me një energji të madhe për fushatën e zgjedhjeve. Meqë jemi këtu dua të tregoj një ngjarje që më ndodhi sot. Isha me disa shokë dhe njëri po thoshte se do shkonte në Kosovë për të blerë një ilaç që i duhej të ëmës. E pyes nëse nuk ka në Shqipëri? Me thotë ky ilaç ndodhet edhe këtu por në Kosovë është 30 për qind më lirë se në Shqipëri. Sot nëse nuk je kushëri i ministrit ose ndonjë drejtori në ministri nuk je asgjëkundi. Ne nuk po themi që ta bëjmë fshatin si qytetin por të bëjmë disa gjëra konkrete. Do të heqim TVSH-në për materialet bujqësore.
Ku do gjendet paratë nëse ulen taksat?
Vetëm evazioni që bëhet me karburantet është 150 milionë euro. I njëjti evazion bëhet me mineralet. Sikur vetëm ajo shumë të shkonte për arsimin do të rritej buxheti për arsimin me 30 për qind. Nëse do të kemi ulje të këtij evazioni do të gjenden paratë. Në Shqipëri janë vetëm 2 mijë njerëz që marrin më shumë se 5 milionë lekë në muaj. Një që merr më pak, paguan më shumë taksa se sa një i pasur. Nëse një person merr 5 milionë lekë duke paguar 10 për qind të taksës, i mbetet 4 milionë e gjysmë duke mos iu prekur shporta. Një qytetar tjetër që merr 300 mijë lekë, duke i hequr 10 për qind i ke prekur shportën. Prandaj, ne themi se duhet të kemi një taksim më të ndershëm. Marrim si shembull Rrugën e Kombit. Çdo njeri që lind sot ka tre mijë euro borxh për rrugën por dua të theksoj edhe çështjen e taksës. Një njeri që e përdor atë rrugë me një makinë të shtrenjtë duhet të paguajë dhe ka mundësi të paguajë më shumë se një i ri që është me biçikletë ose papaq dhe rri gjithë kohën në shtëpi. Por, kjo nuk do të thotë se ai që është i kamur nuk duhet të votojë për Partinë Socialiste. Një njeri i pasur kërkon siguri, të mos i vijnë maskat në shtëpi. Shumë prej tyre thonë më mirë t’ia paguajë shtetit atë taksë se të m’i marrë vjedhësi.
A do të tërhiqet PS nga taksa progresive?
Po ju marr një shembull nga vitet e fundit në Shqipëri. Në vitin 2008 në vendin tonë ka qenë kompania “Praktiker”. Tashmë nuk është më sepse falimentoi. Nëse do të vërtetohej teza e qeverisë së taksa e sheshtë është ndihmë për biznesin atëherë s’do të kishim asnjë falimentim. Ne po u themi njerëzve që bëni llogaritë me laps në dorë. Nëse një parti u shkon me zarf me lekë atëherë ne i themi që vota për PS-në është një zarf me 700 mijë lekë që i përfiton nga heqja e taksave dhe rritja e shërbimeve të mira që do të kenë.
A do tremben investitorët nga taksa progresive?
Sot selia e PS-së është zyra më e vizituar nga ekspertë të FMN-së dhe Bankës Botërore të cilët janë të bindur se më 23 qershor do të kemi ndryshim të pushtetit dhe kërkojnë një partner serioz në Shqipëri. Ajo që dua të theksoj unë është se sot ne kemi një dosje me hidrocentrale të cilët ndodhen peng në duart e burrave dhe grave të ministrave, kushërinjve, nipave dhe fëmijëve të kryeministrit. Ne u themi investitorëve se këto do të çlirohen dhe do t’i kthehen publikut për t’iu dhënë më pas investitorëve seriozë të cilët mezi po presin që të investojnë në një vend që respekton të drejtën e tyre. Nëse më pyet mua se çfarë do të bëjë PS-ja javën tjetër apo muajin tjetër. Unë jam në gjendje të ta them me detaje. Nga pala tjetër, qeveria nuk ka asnjë plan. Ne jemi origjinali dhe ata thjesht një kopje. Njerëzit janë mjaftueshëm të zgjuar ta kuptojnë se kush është më mirë, kopja apo origjinali. Në anën tjetër kemi të bëjmë me një njeri që u ul në karrigen e Ismail Qemalit dhe tha për dy javë do vijë ligji për shtetësinë, kemi kaluar më shumë se dy muaj dhe nuk ka asnjë ligj. Qeveria ka pasur tetë vjet për t’i bërë, tashmë nuk e beson asnjeri. Dua të theksoj, se të gjitha premtimet që po na kopjon qeveria asgjë nuk ka kaluar në parlament duke mbetur thjesht në retorikë boshe.
Opozita duket se është e paqartë me taksën, thotë kolegu Henri Çili në një koment të tij?
Ne kemi një plan dhe themi: “Do e bëjmë kështu”. Pala tjetër nuk ka asnjë plan konkret. Qeveria thotë se ju s’e bëni mirë. Unë kam 10 vite në vend dhe kam parë që vendi nuk është qeverisur mirë. Dua të theksoj këtu që edhe Henri si analist i qeverisë të dalë publikisht me qëndrimet e tij dhe jo me qëndrime të kamufluara.
A është Rama, lideri i duhur për të qenë kryeministër?
Padyshim që është lideri më kompetent i këtyre 20 viteve në politikën shqiptare. Unë kam qenë shumë kritik me qeverinë e PS para vitit 2005 por ama nuk kishte gra që u rrëmbehej varësja nga qafa.
A është thyer miti Berisha?
Sigurisht që është thyer. Mjafton të kujtojmë Burrelin apo Kavajën. Figurat qytetare që i kishte pranë tashmë nuk janë më pjesë e tij. Flas për Bamir Topin dhe Besnik Mustafajn. Miti i tij ka rënë.
A do të ketë prurje të reja në PS?
PS është një grup dinamik. Ju e patë prezantimin e Alfred Pezës që është një gazetar shumë i mirë. Politika nuk është sport për spektatorë, por për në fushë dhe janë të mirëpritur të gjithë ata që duan të angazhohen.
Si do i ruani votat?
Të gjitha raportet thonë se votat vidhen në Shqipëri. Kur kemi rezultat të ngushtë, kemi gjykatat që e transformojnë rezultatin. Ne kemi bërë disa fitore që dukeshin të pamundura si është Saranda, Burreli apo Kavaja. Tashmë kemi një eksperiencë se si inkurajohen njerëzit. Kemi të gjitha masat për të ruajtur votat. Por çelësi i suksesit do të jetë pjesëmarrja e lartë në votime. Duhet të kemi një rezultat të thellë që dhe kundërshtari të mos ketë mundësi manipulimi.
Miti Berishes ka rene qe pas ’92 dhe populli e ka deshmuar qe me referendumin e ’94, zgjedhjet e ’96 (packa qe i vodhen), dhe kryengritjen e ’97. Pyetje me idiote dhe pergjigje akoma me idiote ska ku te shkoj.
” Kemi të gjitha masat për të ruajtur votat. ” Cfare masash do merren koknretisht? Cfare masash keni ndermarr nderkohe qe PD dhe LSI kane filluar haptazi me vjedhjet? Po me date 23 qershor? Po pas 23 qershorit? Si do luftohet me gjykatat e Berishes pas zgjedhjeve? Mund ti dime masat konkrete zotrote apo do na i beni surpriz?
Pyetjes “Çfarë do të bëjë PS për drejtësinë pas zgjedhjeve dhe a mbani ndonjë përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet sistemi i drejtësisë?” kete e ka anashkaluar komplet. Dmth ke bere konstatime qe drejtesia s’funksionon (Miremengjes vogelush) dhe ke thene do e rregullojme hahahaha asnje zgjidhje konkrete aman.
Edhe ate 100 ditet e para une do t’ju keshilloja te jeni pak me kreativ meqe mbaheni dhe si vizionar sepse keto jane brockullat e Nanos. Me fal harrove une qe prape Nano vazhdon komandon ne ate parti. Maskarenj keni marr popullin ne qaf keni marr. Plasi Gerdeci, 21 Janari, nuk denohet askush (karshilliku shtetit haptazi ndaj popullit) e ju na perrallisni sikur vendi eshte ne nje gjendje mese normale. Cuditem nje Europe cuditem me keto qe po ndodhin ketu dhe me gjumin tone. Faj kane edhte gazetaret qe bejne keto palo intervista me pyetje pergjigje gati. Edhe une qe smarr vesh nga gazetaria, te kisha degjeneruar ne kete interviste me keto perjgigje mediokre, qesharake si vet ti. Funderrina qe lejuat te digjej e shitej Shqiperia pa piken e meshires.