Sebastian Sinomati, një djalosh 19 vjeçar nga Qendra e Zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar në Vlorë, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë gjenetike në sy, u vizitua sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Amerikan.
I kontaktuar nga drejtori i qendrës në Vlorë, i cili nëpërmjet një letre i shprehte ministrit shqetësimin për shëndetin e Sebastianit, Veliaj iu drejtua Spitalit Amerikan për realizimin e ndërhyrjes së veçantë dhe të kushtueshme falas (transplantin e korneas). Sebastiani ishte diagnostikuar me neurofibromatozë, një sëmundje e rrallë tumorale, e cila i kishte dëmtuar totalisht shikimin në syrin e djathtë, por nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e kirurges oftalmologe Dr. Teuta Haveri dhe stafit të specializuar të okulistikës, transplanti i kornesë është realizuar me sukses, duke i rikthyer shikimin pacientit.
“I jam shumë mirënjohës dashamirësisë së Spitalit Amerikan në Tiranë, sepse kostoja e këtij operacioni ishte e papërballueshme për qendrën e zhvillimit”, u shpreh Veliaj.