Mbretëria e vogël e Butanit e vendosur midis Kinës, Indisë dhe Himalajeve është vendi i parë në botë që po përpiqet të ketë prodhime bujqësore 100% biologjike. “The Guardian” ka realizuar një artikull mbi vendin dhe njerëzit që i japin përparësi natyrës dhe burimeve të pastra
Pjesa më e madhe njerëzve e kanë të vështirë ta lokalizojnë në hartë, ndërsa të tjerë as nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për të, por Butani, mbretëria e shtrirë në një hapësirë të vogël midis maleve të Himalajës, Kinës dhe Indisë i ka vënë vetes një objektiv, për të cilin shumë pak kombe të tjera mund të krenohen: Ai është vendi i parë në botë që synon të ketë një bujqësi 100% biologjike.
Zgjedhje filozofike
Një artikull në “The Guardian” tregon se si Butani ka bllokuar shitjen e pesticideve dhe kimikateve bimore brenda kufijve të tij, duke përdorur mbeturinat organike të fermave si të vetmin ‘pleh’ natyral. Në këtë mënyrë, në vend që të prodhojnë më pak, fermerët dhe fshatarët e këtij vendi do të jenë në gjendje që të shtojnë të lashtat e tyre, duke rritur eksportin e ushqimeve të një cilësie shumë të lartë drejt Kinës dhe Indisë.
Rajonet në të cilat është përqendruar ky zhvillim, kanë zgjedhur një rregull praktik dhe filozofik: “Shumë nga praktikat tona e kanë prejardhjen nga agrikultura tradicionale. Jemi bio, jemi edhe budistë. Besojmë në harmoninë e natyrës: kafshët kanë të drejtë të jetojnë, ne duam të shikojmë bimë dhe insekte të lumtura”, tha ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Pema Giamtsho, gjatë Konferencës për Zhvillim që u mbajt në Dehli dy javë më parë. “Territori ynë është shkëmbor. Nëse përdorim pesticide kimike, herët a vonë ato do të mbërrijnë në lugina duke ndotur ujërat dhe bimët e tjera. Duhet të konsiderojmë të gjithë ambientin”, shtoi ministri i Butanit.
Vend i vetëmjaftueshëm
Natyrisht, që nuk bëhet fjalë për një proces të menjëhershëm: “Kthimi në një vend plotësisht biologjik kërkon shumë kohë. Nuk kemi fiksuar asnjë limit kohor, nuk mund ta bëjmë nesër. Objektivin që i kemi vënë vetes, do ta arrijmë rajon më rajon. Butani është një komb ku mbizotëron agrikultura, por gjithashtu është shumë i hapur ndaj ndikimeve të botës”, thotë Giamtsho.
Shtimi gjithnjë e më i madh i numrit të ‘tigrave aziatikë’, ka bërë që vendi të shpopullohet dhe ata që kanë mbetur, presin që qeveria të sjellë ‘erën e modernitetit’ në vend. “E megjithatë, – shpjegon ministri, – e ardhmja e Butanit varet nga mënyra se si do të përballohen sfidat e mëdha të kohës që jetojmë, si emergjencat klimatike dhe siguria në fushën energjitike. Duam të jemi të vetëmjaftueshëm dhe të pavarur. Importojmë orizin, por gjërat po ndryshojnë, tani populli ynë preferon grurin dhe hikrrën”.
Zgjidhje
“Po eksperimentojmë me metoda të ndryshme kultivimi, – shton në fjalën e tij ministri, – por gjithashtu duam të zgjerojmë sipërfaqet e tokave të ujitura dhe t’i veçojmë të mbjellat, në mënyrë që të mos vuajnë sulmet e parazitëve”. Po energjia? Butani nuk ka as lëndë djegëse e as centrale bërthamore, por është i bekuar nga lumenj që kanë një potencial prej 30 mijë megavatësh.
“Tani të gjithë duan të blejnë automjete dhe kjo do të thotë se duhet të fillojmë të importojmë karburant. Por ne dëshirojmë ta zhvillojmë vetë energjinë. Gjithmonë mund të gjejmë një zgjidhje, mjafton që të bëjmë zgjedhjet e duhura”, përfundon Giamtsho.
Përgatiti: Dorina Gjuzi