Gjatë gjithë ditës së djeshme, policia greke në pikën kufitare të Kakavijës nuk ka lejuar kalimin e fëmijëve të lindur në Greqi, të cilët në pasaportën shqiptare e kishin vendlindjen të shkruar shqip
Arlinda Gjypi
Policia greke në pikën kufitare të Kakavijës nuk ka lejuar 15 fëmijë shqiptarë që të kalojnë kufirin për të shkuar në shtetin fqinj ku janë të lindur. Mësohet se një gjë e tillë ka si pretendim faktin se në pasaportat shqiptare të këtyre fëmijëve, të gjithë të lindur në Greqi, vendlindja është shkruar në gjuhën shqipe.
Një gjë e tillë ka bërë që përgjatë gjithë ditës së mërkurë, nga ana e policisë greke të kthehen mbrapsht të gjithë fëmijët me këtë “cen” në pasaportë. Nga ana e vet, drejtori i kufirit në Gjirokastër mësohet se ka marrë takim me palën greke lidhur me këtë ngjarje, të cilësuar skandal nga ana e prindërve, të cilët ndeshen me këtë problem për herë të parë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Gjirokastrës bëhet e ditur se pas takimit mes dy policive greke dhe asaj shqiptare, policia e vendit fqinj ka pretenduar se vendlindja e fëmijëve të lindur në Greqi nuk mund të jetë e shkruar shqip në pasaportën shqiptare.
Nga ana e vet, policia shqiptare ndërsa reagoi për ngjarjen, njoftoi mediat se pala greke “nuk ka asnjë qëllim tjetër përveccse zbatimin e së drejtës ndërkombëtare për toponimet, pasi vendlindja e fëmijëve që kanë lindur në Greqi duhet të jetë e shkruar në gjuhën angleze dhe jo në gjuhën shqipe”. Ironikisht, në fund të ditës policia shqiptare siguroi edhe një herë se “marrëdhëniet mes dy policive janë mjaft të mira”, ndërsa mori përsipër të sigurojë qëllimet “edukuese” të palës greke, e cila ka marrë përsipër t’u mësojë shqiptarëve se si të zbatojnë të drejtat ndërkombëtare, duke kthyer mbrapsht 15 fëmijë brenda një dite pa asnjë lloj paralajmërimi.