Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, hyn në veshka rreth një litër gjak, apo një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra. Pasi pastrohet gjaku kthehet përsëri në trup, duke ndihmuar zemrën dhe organet e tjera jetësore të funksionojnë normalisht, e të mbajnë larg komplikacionet shëndetësore. Kjo cilësohet si një ndër arsyet kryesore që duhet të nxisë vëmendjen tonë në kryerjen e shpeshtë të kontrolleve për veshkat, pasi shpesh herë komplikacionet që shfaqen në organizëm mund të kenë pikënisjen edhe nga mosfunksionimi i mirë i veshkës. Më tej specialistët e nefrologjisë listojnë edhe katër faktorë të tjerë të rëndësishëm që duhet të zgjojnë vëmendjen tonë për një kujdes më të madh të veshkave. Konkretisht bëhet fjalë për fakte të tilla që kanë të bëjnë me: “Çdo ditë veshkat tona kontrollojnë me kujdes sasinë e kripës dhe të ujit në trupin tonë në mënyrë që tensioni i gjakut të mbetet i njëjtë. Veshkat prodhojnë hormonin e rëninës që rregullon tensionin dhe volumin e gjakut. Veshkat prodhojnë hormonin e eritropoetinës që stimulon palcën e kockave për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut. Veshkat aktivizojnë vitaminën D, e cila është e rëndësishme për të pasur kocka të shëndetshme”. Veshkat preken nga një shumëllojshmëri sëmundjesh dhe çrregullimesh të saj. Në pjesën dërrmuese të rasteve tek sëmundjet e veshkave sulmohen, njësitë e filtrimit të veshkave (nefronet), të cilat dëmtojnë aftësinë e tyre për të eliminuar mbeturinat dhe lëngjet e tepërta. Nuk ka asnjë shkak të vetëm të sëmundjes kronike të veshkave. Disa forma të sëmundjes mund të jenë të trashëguara, ndërsa të tjerat janë të fituara. Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: “Ndryshime të urinimit si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj. Shfaqje e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë .Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi”.