Pranvera Kola
Ndjekja e praktikës së detyrueshme profesionale është kusht për të gjithë të diplomuarit në farmaceutike, të cilët duan të konkurojnë më pas për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit në këtë specialitet. Sezoni i radhës për ndjekjen e praktikës së detyruar 3-mujore do të zhvillohet përgjatë periudhës janar-mars të vitit 2022. Ndërkohë që për të ndjekur praktikën, të gjithë farmacistët e rinj duhet që në fund të këtij muaji të kryejnë regjistrimin pranë Urdhrit Profesional të Farmacistit, ku dhe do të përcaktojnë subjektin në të cilin do të vlerësohen përgjatë tre muajve të praktikës.
Sipas afateve të vendosura, për të bërë regjistrimin për vijimin e praktikës çdo kandidat ka në dispozicion vetëm dy data. “Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale per sezonin janar-mars 2022 do kryhen në datat 28-29 dhjetor 2021”, bëjnë me dije autoritetet e Urdhrit të Farmacistit, të cilët kanë shpallur tashmë edhe dosjen e dokumenteve që duhen për të finalizuar këtë proces, si dhe rregullat që do të ndjekin zhvillimin e praktikës.
Edhe për këtë sezon, praktika profesionale do të mund të kryhet vetëm në farmacitë e rrjetit të hapur ose ato spitalore nën drejtimin e një farmacisti që ka jo më pak se 3 vjet përvojë pune në këtë profil mjekësor. Praktikantët për t’u regjistruar për kryerjen e praktikës profesionale duhet të paraqiten personalisht pranë zyrës së Urdhrit të Farmacistit dhe të dorëzojnë këto dokumente: një kërkesë dhe vetdeklarim sipas formatit të përcaktuar nga Urdhri. Po ashtu në dosjen e dokumenteve të regjistrimit duhet të përfshini edhe kontratën tip për kryerjen e praktikës profesionale pranë subjektit të përzgjedhur, fotokopje të certifikatës së anëtarësimit në UFSH të drejtuesit që do të udhëheqë ndjekjen e praktikës, fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave, raport mjeko-ligjor, tre fotografi (3×3.5 cm), si dhe mandat pagesën në shumën 10 mijë lekë të derdhur në bankën e nivelit të dytë të përcaktuar. Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe fotokopja e kartes së identitetit.
Në rregulloren e miratuar më herët përcaktohet se një farmacist do të mund të mbikqyrë vetëm një praktikant. Orari i kryerjes së praktikës është 8:00-14:00. Sikundër ka ndodhur edhe në sezonet e mëparëshme, gjatë zhvillimit të praktikës profesionale 2022, praktikantit do i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën.
Në përfundim të praktikës, secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik, ku do të dëshmojnë edhe njohuritë e fituara gjatë praktikës. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Kandidatët që nuk marrin rezultatet kaluese në testin e aftësimit praktik, duhet ta rijapin atë sërish gjatë sezoneve të vitit të ardhshëm.
Në rregulloren e zhvillimit të praktikës, përcaktohet se përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës. Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.
Lidhur me kriteret që duhet të përmbushë drejtuesi i praktikës, në rregullore saktësohet se duhet të jetë profesionist me përvojë jo më pak se 3 vjetësh, ndërkohë që duhet të plotësojë edhe këto kushte: T’i sigurojë praktikantit kushtet e nevojshme për realizimin e një praktike efektive, t’i bëjë një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm njohurive të praktikantit dhe të pajisë praktikantin me Formularin e Vlerësimit të Praktikës, të drejtojë praktikën profesionale në përputhje të plotë me standardet, parimet dhe normat e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe me legjislacionin farmaceutik në fuqi, t’i kërkojë praktikantit respektimin e orarit dhe ta dokumentojë atë në librezën e praktikës profesionale të anulojë kontratën në rast shkeljeje të detyrimeve të saj nga ana e praktikantit dhe të njoftojë strukturat më të afërta të UFSH-së”.
Dokumentet që duhet të dorëzoni në datat 28-29 dhjetor :
- Kërkesë sipas formatit të përcaktuar.
- Vetëdeklarim sipas formatit të përcaktuar.
- Kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale sipas formatit të përcaktuar.
- Fotokopje e certifikatës anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës.
- Fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave.
- Fotokopje e kartes së identitetit.
- Raport mjeko-ligjor.
- Tre fotografi (3×3.5 cm).
- Mandat pagesën në shumën 10000 lekë, në numrin e llogarisë së përcaktuar.