Pak ditë më parë, kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, u shfaq në një video duke bërë detyrën e taksistit, një mënyrë kjo për të mësuar se çfarë mendojnë zgjedhësit. Por ideja e zgjuar e stafit elektoral të kryeministrit që kërkon një tjetër mandat është zhvlerësuar, pasi mediat mësuan se 5 prej 14 pasagjerëve ishin paguar më përpara për të marrë pjesë në video.
Vetë Partia Laburiste, e cila është aktualisht në pushtet, e konfirmoi këtë fakt, duke thënë se pasagjerëve u ishin dhënë nga 500 kroner (64 euro).
Atyre u ishte kërkuar të merrnin pjesë në një video të Partisë Laburiste, por nuk u ishte treguar se çfarë do të ndodhte. Kryeministri tha se donte të dëgjonte nga vetë votuesit para se të dalin sondazhet muajin tjetër.
Partia e Stoltenberg qeveris Norvegjinë prej vitit 2005 dhe por sondazhet nuk e favorizojnë për një mandat të tretë.
Videoja ku Stoltenberg shfaqet si një taksist i zakonshëm është bërë në bashkëpunim me një kompani reklamash në qershor dhe pritet të shfaqet gjatë fushatës elektorale, por vetë kryeministri e ka postuar në faqen e tij në Facebook prej disa ditësh.
Lajmi se pesë prej pasagjerëve të taksistit-kryeministër ishin paguar dhe përzgjedhur rastësisht u zbulua nga tabloidi Norway’s Verdens Gang (VG). / Gazmira Sokoli