NCoV është një virus vdekjeprurës që ka vënë në alarm studiuesit. Ai ka infektuar 13 persona, kryesisht nga Lindja e Mesme, 7 prej të cilëve kanë humbur jetën. Sipas shkencëtarëve fjala është për një virus me efekte shumë të forta, i ngjashëm me SARS-in e që mund të shndërrohet në epidemi
Quhet NCoV dhe ka prekur 13 persona. Më shumë gjysma e atyre që e kanë bartur, kanë vdekur dhe shkencëtarët në të gjithë botën po mbledhin detaje për të studiuar potencialet e këtij super-virusi që mund të shkaktojë një epidemi të re.
Sipas asaj që raporton “Reuters”, shkencëtarët e dinë tashmë që NcoV i përket familjes së koronaviruseve që shkaktojnë gripin dhe sipas tyre është i ngjashëm me agjentin viral që shkakton Sindromin Akut të Frymëmarrjes së Penguar, që njihet ndryshe si SARS e që dhjetë vite më parë terrorizoi botën, duke infektuar vetëm në Kinë 8.000 persona dhe duke vrarë 1/10 e tyre. Ky virus krijoi psikozën e një epidemie vdekjeprurëse duke përhapur panik në rang botëror. Rastet e para të infektimit me NcoV njihen që nga vjeshta e viti të kaluar dhe mesa duket janë lokalizuar kryesisht në Lindjen e Mesme. Gjashtë raste janë regjistruar në Arabinë Saudite dhe dy të tjera në Jordani, ndërsa në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani janë infektuar 5 persona, të cilët kanë udhëtuar nga Lindja e Mesme duke bartur me vete edhe virusin.
Por ajo që i shqetëson shkencëtarët është informacioni shumë i pakët që kanë mbi virusin. “Ajo që tashmë dimë është vërtet shqetësuese”, pranon Majkëll Osterholm, drejtor në Qendrën Kërkimore mbi Sëmundjet Infektive të Universitetit në Minesota. “Por ajo që nuk dimë, na tremb”, shton ai. Shtatorin e kaluar, virusi u izolua në Londër, në një paciente të ardhur nga Katari. Virologët anglezë kanë gjurmuar një lloj ‘peme gjenetike’ të virusit dhe kanë zhvilluar hetime të tjera në Gjermani dhe Zvicër, duke e trajtuar NCoV me të njëjtën terapi të përdorur për SARS-in. Por mbeten shumë pyetje pa përgjigje, dhe për momentin shkencëtarët nuk e dinë se sa i përhapur mund të jetë ky virus dhe çfarë intensiteti mund të ketë te të prekurit. Dyshimi është që këto 13 raste të infektimit janë vetëm maja e ajsbergut.
Sipas analizave të para të zhvilluara në Londër vjeshtën e kaluar, ‘kushëriri’ më i afërt me NcoV është një virus që prek lakuriqët e natës. Nuk është hera e parë që një virus transmetohet nga një kafshë te një njeri, e njëta gjë ndodhi me HIV-in dhe H1N1, ky i fundit përgjegjës për gripin e derrave që u përhap midis 2009-s dhe 2010-s. Megjithatë, hetimet shkencore po vijojnë dhe virologët nuk e përjashtojnë që ky virus i ri mund të përhapet shpejt në të gjithë botën: “Planeti është si një mikser (përzierës) virusesh. Nëse arriti të prekë njeriun në Lindjen e Mesme mund ta bëjë edhe me pjesën tjetër të botës. Është vetëm çështje kohe”, përfundon profesor Osterholm.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Cfare behet keshtu …po na vjen fundi