Rasti i një vogëlusheje 20 muajshe të bën të mendosh se mrekullitë ekzistojnë vërtet. Olivia Smith ka arritur të mbijetojë, pasi lapsi me të cilin ngjyroste iu fut në sy, duke i përshkuar trurin për më shumë se 10 centimetër. Vogëlushja ka qenë duke ngjyrosur, kur ka rënë aksidentalisht nga karrigia. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin pediatrik të Bostonit, ku i është nënshtruar një operacioni.
Mjekët thanë se lapsi i kishte hyrë në syrin e djathtë dhe kishte përshkuar trurin deri te veshi i majtë. Por mrekullisht, lapsi nuk ka prekur asnjë pikë me rëndësi vitale.
Nëna e saj tregon se në momentin që vajza bërtit, ajo mendoi se i kishte hyrë një pjesë e vogël druri në sy, pasi nga lapsi pak kishte mbetur jashtë. Edhe vetë mjekët kanë mbetur të habitur nga radiografia e kokës së vogëlushes. Ata thonë se është e pabesueshme sesi lapsi nuk ka prekur zona me rëndësi në tru. Nga aksidenti, vogëlushes i janë shkaktuar tre iktuse, të cilat kanë çuar në bllokimin e funksioneve të anës së majtë të trupit, por gjithçka është e përkohshme. Vajza tashmë është nxjerrë nga spitali dhe mjekët japin garanci se nuk ka asnjë dëmtim tjetër. Ata thonë se raste mrekullish ndodhin rrallë.
Vitin e kaluar, një rast i ngjashëm u shënua në Ilinois, ku 32-vjeçari Dante Autullo u paraqit në spital me ankesa për dhimbje koke dhe të përziera. Pas radiografisë u pa se ai kishte në tru një gozhdë 9 cm të gjatë. Ai kishte pasur një incident në punë një ditë më përpara, por nuk i kishte kushtuar rëndësi dhe ishte mjekuar nga një shok. Operacioni delikat në tru e çliroi nga dhimbjet dhe objekti që i shkaktonte ato, pa pasur asnjë dëmtim tjetër.