Parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve politike është tashmë objekt bisedash në çdo grup shoqëror, në rrugë apo në lokalet e Tiranës. Në Shqipëri, nuk është e vështirë të “lexosh” lëvizjet politike pasi mllefet e trashëguara ndaj njëri-tjetrit, krahinalizmat e kultivuara 7-8 vitet e fundit, urrejtja për kundërshtarin politik sikur të ishte i një race inferiore, babëzia për pushtet brenda dhe midis llojeve si dhe emocionaliteti trashëguar shqiptar, janë “virtyte” që të japin mundësinë e qasjes ndaj lajmit, aty, në tavolinën ku je ulur për kafe, në “bllok”. Megjithkëtë, parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve ka edhe vështirësitë e veta sepse, me “varrosjen” e idealizmit dhe lindjen e fenomentit “xhuveli”, fenomenit “meta” si dhe fenomenit të kohëve të fundit -“nacionalizmit”, gjithçka mund të ndodh në cdo qark të republikës dhe për cilëndo forcë politike, e madhe a e vogël qoftë ajo. Kësisoj, mendoj se të gjithë ata që vënë duart në zjarr për një individ a për një subjekt politik, është mirë ti heqin duart nga zjarri se ndoshta edhe mund t’ju digjen.
Por po t’u referohemi thjesht dhe vetëm shifrave, statistikave, precedentit zgjedhor apo një intuite të pranueshme, kam mendimin se rezultatet e zgjedhjeve të post 23 qershorit mund të parashikohen deri diku. Konkretisht, kujtojmë që në 2009-tën morën pjesë 1.566.079 zgjedhës nga 3.084.946 që përmbante lista e zgjedhësve ose 50.77%. Tabela postzgjedhore e 23 qershorit të 2013-tës ka shumë gjasa të jetë me shifra më të larta. Sidomos në numrin e votuesve real. Ata mund të jenë afërsishtë 1.673.000 (duke ju referuar statistikave demografike mbi lëvizjet e popullsisë vitet e fundit nga brenda jashtë vendit dhe anasjelltas). E them këtë sepse, e para, vlerësoj shtimin e votave të emigrantëve. Kriza e fortë që ka prekur vendet më të populluara nga emigrantët shqiptarë (sidomos në Greqi dhe Itali ku jetojnë jo pak, por 1.2 milionë shqiptarë) po i detyron ata, në bazë të statistikave, rikthimin me një fluks të konsiderueshëm. Sidomos nga 2009-ta e këtej. E dyta, kriza ekonomiko-politike brenda vendit, rritja e nivelit të ndërgjegjësimit qytetar për shkak të papunësisë gjithnjë e në rritje, lodhja nga pushteti aktual që cdo ditë e më shumë është mbërthyer nga korrupsioni dëshmojnë se kupa është mbushur dhe reagimi qytetar do jetë masiv. Kështu që, ajo pjesë e popullsisë votuese që zakonisht e kemi quajtur pjesa “gri”, ose më indiferentja ndaj politikës, këtë radhë duket se do të jetë aktive në votim. Do të jetë aktive sepse ka kuptuar që mosmarrja me politikë e ka kthyer në viktimë.
Numri i votuesve do të jetë më i madh edhe për faktin se skenës politike shqiptare i janë shtuar edhe dy subjekte të reja që, dashur apo pa dashur, përbëjnë eveniment. Ato janë; Aleanca Kuq e Zi (AK) dhe Fryma e Re Demokratike(FRD). AK-ja si forca e parë politike në vend me prirje kombëtare dhe FRD-ja si fraksioni i parë serioz i PD-së. Sipas parashikimeve, mendohet se AK-ja do të “ushqehet” nga një pjesë e shtresës “gri” e pa dyshim nga një pjesë e mirë emigrantësh. Kjo shtresë qytetarësh është e pa implikuar me interesa të drejtëpërdrejta me politikën. Madje është edhe pjesa më e sakrifikuar e shoqërisë tone pasi ka mbajtur barrën më të madhe ekonomike të vendit në këto 23 vite demokraci dhe fatkeqësisht është shpërblyer sipas parimit “punon kali dhe ha gomari”. Ndërsa FRD-ja do të thith një pjesë të së djathtës “gri” dhe një pjesë tjetër të të pakënaqurve nga e djathta aktuale.
Pra, atë pjesë “gri” të së djathtës që nuk ka besuar as dje e as sot te një “severe leader” si Berisha. Pa dyshim që, e gjithë ajo shtresë e moderuar, qytetare me vlera dhe me kontribut në instalimin e sistemit demokratik, sic janë të përndjekurit politik, me siguri do të jetë mbështetësja kryesore e kësaj force politike. Arsyet janë të qarta. Në 22 vjet “demokraci” kjo shtresë e elektoratit të djathtë ka qenë më e diskriminuara. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizoi sa vota do të marri njëri apo tjetri subjekt, por të hedhi dritë mbi një eveniment pozitiv, atë të shtimit të numrit të votuesve dhe pikëpytjen e orientimit të tyre. Në këto kushte dhe mbi këtë logjikë, kam mendimin se cilado nga dy partitë e mëdha , PS apo PD, arrin të bëjë aleancë me AK-në dhe FRD-në së bashku, do të jetë edhe forca politike që do të qeverisë pas 23 qershorit!