Konfliktet për shkak të biznesit dyshohet të jenë shkak i ekzekutimit dy net më parë të biznesmenit të ndërtimit Hikmet Kotorri. Sipas policisë së Tiranës, ekzekutimi i 43-vjeçarit Hikmet Kotorri ka lidhje me ngjarjen e një muaji më parë, kur në afërsi të zonës së Liqenit të Thatë, ortakut të tij i hodhën makinën në erë. Sipas burimeve të sigurta nga policia, edhe ekzekutimi i biznesmenit të ndërtimit ka lidhje me këtë ngjarje dhe dyshohet se atentatorët mund të jetë të njëjtët persona që hodhën në erë makinën e ortakut të Kotorrit disa javë më parë. Madje, një muaj më parë, lidhur me këtë ngjarje 43-vjeçari është marrë në pyetje. Megjithatë, blutë e kryeqytetit nuk përjashtojnë as problemet personale apo ndonjë konflikt të vjetër që mund të ketë pasur biznesmeni më parë. Policia po heton edhe të gjitha huamarrjet e tij, si dhe konfliktet e pronësisë që mund të ketë pasur biznesmeni i ndërtimit.
Hikmet Kotorri u ekzekutua me katër plumba në afërsi të shtëpisë së tij të dielën. Ngjarja u shënua rreth orës 22:30 në kryqëzimin e rrugëve “Ali Visha” dhe “Besnik Sykja”. Sipas policisë, Kotorri ka qenë duke u futur në hyrje të pallatit, kur është qëlluar me pistoletë nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se atentati është kryer nga dy persona, të cilët ende nuk janë identifikuar.